1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çështja e emrit acaron klimën e marrëdhënieve greko-maqedonase

Niko Anagnosti20 Shkurt 2008

Greqia mbetet kokëfortë duke përmendur edhe fjalën veto për bllokimin e ftesës së pritshme të NATO-s ndaj Shkupit për takimin e Bukureshtit.

Festa e dimrit në MavrovëFotografi: picture-alliance/ dpa

Athina dhe Shkupi zyrtar kanë që prej ditës së djeshme në tryezat e tyre propozimin e ri për emrin të paraqitur në kryeqytetin grek nga ndërmjetësi ndërkombëtar Matthew Nimetz, që e cilësoi atë si “një propozim kompromisi të drejtë dhe dinjitoz”.

“E di se në propozimin tim ka elementë që të dyja palët do ta kenë të vështirë t’i pranojnë.” - tha Nimetz duke theksuar njëkohësisht se “tani është ora e zgjidhjes”, e cila do të jetë në favor të dy fqinjëve por edhe situatës së krijuar në rajon pas pavarësisë së shpallur të Kosovës.

Nimetz ishte tepër konspirativ për përmbajtjen e propozimit të tij dhe tha se pret përgjigjen e të dyja palëve pas 15 ditesh në Nju Jork, ku do të bëhet edhe propozimi definitiv.

Si sfinksi ishin edhe të dy negociatorët, Dimitrov dhe Vasillaqis duke krijuar kështu terren për spekulime gazetareske që flasin për pesë variante të ndryshme emërtimesh të hedhura në tavolinë. Megjithëse ndërmjetësuesi ndërkombëtar ishte i qartë kur tha se “janë marrë parasysh sensibilitetet e të gjithëve”, pala greke le të kuptohet se është bërë një zhvendosje drejt qëndrimit të saj për një emërtim të përbërë, unik, dhe jo për dy, siç kërkon pala tjetër, një për marrëdhëniet me shtetet e tjera, si Republikë e Maqedonisë dhe një tjetër për raportet me Greqinë dhe organizmat ndërkombëtarë.

Kryeministri grek Kostas Karamanlis, dhe MPJ Dora BakojanisFotografi: AP

“Vija e kuqe” e kompromisit për palën greke pritet t’i bëhet e qartë gjatë ditës së sotme zotit Nimetz edhe nga kryeministri Karamanlis, të cilit, siç vlerësojnë analistët, me 151 deputetë, si alternativë e vetme, sado e padëshirueshme qoftë, i mbetet ajo e vetos dhe e bllokimit të ftesës së pritshme të NATO-s ndaj Shkupit në muajin prill në Bukuresht, në rast se nuk adoptohet një emërtim i vetëm me termin Maqedoni si përcaktim gjeografik, siç kërkon edhe opozita socialiste.

“Ndodhemi para bisedimesh të vështira ku Greqia merr pjesë me qëndrime të qarta dhe të gjitha mundësitë e saj të fuqishme.” - ishte insinuata e qartë e zonjës Bakojani që përmes medias maqedonase ftoi fqinjët e saj të shohin nga e “ardhmja e përbashkët euroatlantike” në qoftë se arrihet kompromisi për emrin.

Por episodet e mbrëmshme para ambasadës greke në Shkup, ku grupe të rinjsh të revoltuar qëllonin me gurë dhe reagimi grek se “për fat të keq disa po i çojnë gjërat drejt qorrsokakut të plotë” janë indikative të klimës së acaruar që shoqëron bisedimet për gjetjen e kompromisit.

Niko Anagnosti