1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
Media

Çështja Jan Kuciak: Një gjyq nën vëzhgim

19 Dhjetor 2019

Sot fillon në Pezinok pranë Bratislavës gjyqi kundër te dyshuarve per vrasjen e gazetarit Ján Kuciak dhe të fejuarës së tij Martina Kušnírova. Ngjarja e transformoi Sllovakinë.

Slovakai | ermordeter Journalist Jan Kuciak und Martina Kusnirova | Freedom Square
Fotografi: picture-alliance/dpa/CTK/S. Petr

Ky gjyq ka të ngjarë të jetë një nga proceset më të vëzhguara të pjesës lindore të BE-së. Asokohe vrasja e tronditi Sllovakinë, nxori në protesta qytetarët dhe si përfundim çoi në përmbysjen e qeverisë së kryeministrit Robert Fico.

Njerëzit protestuan sepse iu kujtuan vitet 1990. Në atë kohë, Vladimír Mecziar-i e sundonte vendin me metoda tepër të largëta nga shteti i së drejtës. Le të kujtojmë vetëm rrëmbimin e birit të presidentit të atëhershëm, Michal Kováč në Austri, apo vdekjen e ish-oficerit të policisë Róbert Remiáš, si pasojë e shpërthimit të një autobombe. Kjo vrasje nuk u sqarua asnjëherë, megjithëse dyshohej se në të kishte gisht kundër-spiunazhi civil, SIS.

Dihej që gazetari investigus Jan Kuciak ishte jokomod. Në portalin "Aktuellity.sk" ai shkruante për prapaskena të dyshimta deri në kriminale të disa sipërmarrësve dhe për lidhjet e tyre  me politikat e vendit. 

"Nuk duam të jetojmë në një shtet mafioz!"

Ján dhe Martina u vranë të mërkurën, më 21 Shkurt 2018, por policia i gjeti kufomat e tyre me vone. Ndërsa shefi i policisë, Tibor Gašpar, vetëm të hënën e informoi publikun rreth krimit. Dy ditë më pas në Bratislavë nisën protestat nën moton: "Ne nuk duam të jetojmë në një shtet mafioz!" Protestuesit besonin se gazetari u bë viktimë e atyre për të cilët ai shkruante.

Artikulli i fundit që ai shkroi para vdekjes i kushtohej, jo për herë të parë, Marian Kočner-it, i cili e kishte kërcënuar qysh vite më parë. Në artikullin e tij të fundit, ai fliste për  sipërmarrësit italianë që punojnë në Sllovakinë Lindore, që janë të lidhur me Ndrangheta-n kalabreze dhe me lidhje deri te partia në pushtet, Smer-SD, e sidomos me Maria Troškován, asistenten e Kryeministrit Robert Fico. Teksti u publikua një javë pas krimit. Dy javë më pas Fico dhe qeveria e tij dhanë dorëheqjen. 

Marian Kočner dhe bashkëpunëtorët e tij

Dyshimi se pas këtij akti mund të qendronte Ndrangheta u  hodh poshtë shpejt. Gjithnjë e më shumë gjurmë forconin idenë se krimi ishte bërë me porosi nga mafia vendore. Më 8 Mars 2019, më shumë se një vit pas vrasjes, Marian Kočner, u akuzua se e kishte porositur ai krimin. Bashkë me të, në bankën e të akuzuarve janë edhe Alena Zsuzsová, Tomáš Szabó dhe Miroslav Marček.  Ky i fundit akuzohet të ketë qenë vrasësi, ndërsa Szabó ndihëmsi i tij.  

Zoltán Andruskó ndërmjetësoi midis Zsuzsovás dhe dy autorëve të tjerë të dyshuar. Andrusko do të jetë fillimisht si dëshmitar kyç, çka nuk do të thotë se nuk do të japë llogari para gjyqit. "Por falë pranimit të fajit dhe bashkëpunimit me hetuesit ai mund të llogarisë me një dënim më të butë", i tha Deutsche Welles, gazetari Martin Milan Šimečka. Të akuzuarve u kanosen dënime prej nga 25 vjet e lart. 

Nën syrin vigjilent të publikut

Dëshmitë  kryesore u gjetën në celularin e Kočner-it. Në aplikacionin Threema të instaluar atje, hetuesit zbuluan disa biseda tronditëse të sipërmarrësit me ish-zëvendësministren e Drejtësisë, Monika Jankovská, me njërin nga të pandehurit, Alena Zsuzsová, me biznesmenin Norbert Bödör (një i afërm i ish-shefit të policisë, Gašpar), me gjykatësin, Vladimír Sklenka, dhe prokurorët, Palysti Bystríí dhe Petr Šufliarský. Politologu Grigorij Mesežnikov nuk ka dyshim se Kočner do të përpiqet ta zvarrisë gjyqin. Por ai llogarit me një gjyq në përputhje të plotë me ligjin.  "Ky proces do të zhvillohet nën syrin vigjilent të publikut," tha ai për Deutsche Wellen.

 

 Aureliusz Marek Pedziwol