Çështje të pazgjidhura me policinë në veri të Kosovës
3 Qershor 2011Gjashtë komandantë serbë të stacioneve policicore, që veprojnë në veri të Kosovës, vazhdojnë të jenë të suspenduar nga detyra, për shkak se ata nuk po u binden urdhërave të komandës qëndrore të policisë në Prishtinë. Suspendimi i tyre i përkohshëm është bërë me urdhër të drejtorit të përgjithshëm të policisë së Kosovës, Reshat Maliqi. Shkak për këtë është se gjashtë komandantët e policisë, pjesëtarë të komunitetit serb, nuk pranuan ta zbatojnë një sistem rotativ të policisë, ku ata duhet të kalonin në detyrë nga një stacion policie në një stacion tjeter.
EULEX-i ndërmjetëson për gjetjen e një zgjidhjeje
Mosrespektimi i këtij urdhëri nga komandanët serbë të policisë, që operojnë në veri të Kosovës, e kanë shtyrë shefin e misionit EULEX në Kosovë, Xavier Bout de Marnac, të udhëtojë këtë javë në Beograd. Mediat serbe njoftojnë se shefi i misionit EULEX dhe ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Dacic, janë pajtuar që ditëve në vijim përfaqësuesit e serbëve të bisedojnë me zyrtarë të EULEX-it dhe të gjendet zgjidhje më e mirë në të mirë të dy palëve, kur është në pyetje komanda rotative e stacioneve policore në veri të Kosovës. Zëdhënësi i misionit EULEX, Blerim Krasniqi, i tha DW se misioni EULEX vazhdon të jetë në kontakt me të dy palët, me qëllim të gjetjes së një zgjidhje të problemit. "Rotacioni i komandantëve të stacioneve policore ka kuptim menaxherial dhe bëhet për shkaqe menaxheriale. Kjo është praktikë e zakonshme në organizatat policore. EULEX-i është në kontakt me të gjitha palët në lidhje me këtë çështje", thotë zëdhënësi Blerim Krasniqi.
Problemi me pjesëtaret serbë të policisë së Kosovës në veri daton më herët sidomos që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, ku ata u urdhëruan nga autoritet e Beogradit që të mos u binden urdhërave të komandës qëndrore në Prishtinë. Ministri i punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, thotë për programin tonë se në radhët e policisë në veri të Kosovës ka edhe pjestarë me funksione të dyfishta, që marrin urdhëra edhe nga policia e Serbisë: “Natyrisht ata janë policë të Kosovës. Një pjesë e tyre janë të interesuar që ta kryejnë punën në mënyrë profesionale, mirëpo ka një numër të konsiderueshëm të tyre, që kanë role të dyfishta, që bashkëpunojnë edhe me strukturat e ish policisë së Serbisë, ka prej tyre që janë edhe në fletëpagesat e policisë së Serbisë. Unë kam kërkuar një hetim edhe nga misioni EULEX edhe nga menaxhmenti regjional i policisë, që ata, që kanë rol të dyfishtë, nuk mund të jenë pjesë e policisë së Kosovës”, thotë Bajram Rexhepi.
Rexhepi: Misioni EULEX ka për detyrë që të shtyjë gjerat përpara
Ministri i brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi, thotë se mungesa e vendosjes së rendit dhe ligjit në veri të Kosovës ka bërë që shumë kriminilë, siç thotë ai, të veprojnë lirshëm në këtë pjesë. Veprimi pa u ndëshkuar i këtyre personave, që ai i quan të rrezikshëm, ka bërë që edhe pjesëtarët serbë të policisë në veri të hezitojnë të ndërmarrin veprime kundër tyre. Sipas ministrit Bajram Rexhepi ka pasur shumë raste, kur familjet e policëve të përkushtruar serbë në veri janë kërcënuar. Ai thotë se misioni EULEX ka për detyrë që të shtyjë gjerat përpara. Në një vendim të fundit të ministrisë së Brendshme bëhet e ditur se Inspektorati i Policisë së Kosovës do të ushtrojë përgjegjësi shtesë, sa i përket ndjekjes penale ndaj punonjësve të Policisë së Kosovës për ata, që nuk ushtrojnë kompetencat në përputhje me ligjin.
Autor: Bekim Shehu.
Redaktoi: Angjelina Verbica