1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çdo i katërti gjerman mendon si antisemitist

24 Tetor 2019

Dy javë pas atentatit ndaj një sinagoge në qytetin gjermanolindor, Hale, një studim provon atë, që kishte kohë që e paralajmëronte shoqëria civile. Armiqësia ndaj hebrenjve ndodhet në mesin e shoqërisë gjermane.

Symbolbild - Antisemitismus - Polizei vor Synagoge
Fotografi: Getty Images/AFP/C. Stache

41% e gjermanëve janë të mendimit, se hebrenjtë flasin tepër për Holokaustin. Në këtë përfundim arrin një sondazh përfaqësues i Kongresit Botëror të Hebrenjve (WJC). Kjo organizatë ka pyetur për dy muaj, para atentatit ndaj sinagogës në Hale, rreth 1300 vetë. Rezultati: Qëndrimet antisemitiste duket se kanë mbërritur në mesin e shoqërisë.

Sipas studimit, 27% e gjermanëve mendojnë në mënyrë antisemite. Në të njëjtën kohë më shumë, se dy të tretat (65%) e ndjejnë rritjen e antisemitizmit dhe e lidhin këtë me suksesin e partive ekstremiste të djathta në vend.

Ajo që të bën të mendohesh është rezultati i studimit lidhur me qëndrimin e të ashtuquajturave elita. Sipas studimit këta janë persona me të ardhura deri në 100.000 euro në vit. 28% e tyre pretendojnë, se hebrenjtë kanë shumë pushtet në ekonomi, madje 26% e të anketuarve thonë se "ata kanë shumë pushtet në politikën botërore" -  deklarata që bëjnë pjesë në repertorin e njohur të antisemitizmit. Gati gjysma e të anketuarve thonë, se hebrenjtë janë më luajalë ndaj Izraelit se Gjermanisë.

Kryqe naziste tek varrezat e hebrenjve, Kröpeln, RostockFotografi: picture-alliance/dpa/B. Wüstneck

Lauder: "Ka ardhur koha që shoqëria gjermane të mbajë qëndrim

Në të njëjtën kohë ky studim thotë se ka shumë gatishmëri në rritje për të luftuar kundër antisemitizmit.  Dy të tretat e "elitës" do ta nënshkruanin një peticion për luftimin e antisemitizmit, një e treta e të anketuarve do të dilte në rrugë për të protestuar kudnër antisemitizmit. Shumë vetë janë të mendimit se hebrenjtë janë të ekspozuar ndaj rrezikut të dhunës dhe sulmeve verbale të urrejtjes.

Presidenti i Kongresit Botëror të Hebrenjve, Ronald S. Lauder e komentoi studimin me fjalë drastike. Antisemitizmi ka arritur një pikë kritike në Gjermani, tha ai sipas "Süddeutsche Zeitung." "Ka ardhur koha, që e gjithë shoqëria gjermane të mbajë qëndrim dhe të luftojë frontalisht antisemitizmin." Gjermania ka një detyrim unik për të penguar rikthimin e intolerancës dhe urrejtjes. Nëse një e treta e shoqërisë identifikohet me antisemitizmin, atëherë është koha për dy të tretat e saj të mbrojë demokracinë dhe shoqërinë.

 

 

 

la/mir/pg (kna, epd, WJC, Süddeutsche Zeitung)