1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çdo i treti qytetar në Maqedoni llogaritet i varfër

22 Shtator 2010

Edhe pse më herët është vërejtur tani edhe zyrtarisht është konfirmuar se varfëria gjithnjë e më shumë po troket në dyert e familjve në Maqedoni. Çdo i treti qytetar në Maqedoni llogaritet si i varfër.

Fotografi: AP

Enti i statistikës ka prezantuar të dhëna alarmante për numrin e qytetarëve të prekur nga varfër në Maqedoni, çdo i treti qytetar llogaritet se është i varfër. Në dhjetë vitet e fundit është shënuar rritje graduale e varfërisë, por sivjet ajo ka shënuar shifrën rekorde prej 31.1% . Sipas ekspertëve të ekonomisë ndikim të drejtëpërdrejtë në rritjen e numrit të të varfërve ka patur falimentimi i shumë sipërmarjeve dhe papunësia.

Në periudhën e krizës ekonomike botërore është pritur rritja e përqindjes së varfërisë edhe në Maqedoni ,ka vlerësuar kryeministri Nikolla Gruevski. “Më vjen keq për këtë përqindje të lartë të varfërisë, kjo dukuri është reale në Maqedoni. Në ritjen e saj s`do mend se ka ndikuar kriza botërore nga e cila nuk mundi të mbetet imune as Maqedonia. Do të bëjmë përpjekje serize që ta pengojmë ritjen e varfërisë” ka theksuar kryeministri Gruevski.

Shumica e atyre që marrin ndihmë sociale i takojnë etnitetit rom.Fotografi: Petr Stojanovski

Përfaqësues të sindikatave të Maqedonisë vlerësojnë se trendi i thellimit të varfërisë është tejet alarmant. Sindikata pret nga qeveria të ndërmarrë masa urgjente sociale. “Subvencionet për familjet e prekura nga varfëria, siç janë lehtësimet për pagesat e faturave të energjisë elektrike si dhe për blerjen e prodhimeve të caktuara ushqimore, do të ndihmonin këto familje”, vlerëson Zhivko Mitrevski kryetar i Lidhjes së sindikatave të Maqedonisë.

Të varfërit të zhgënjyer nga kujdesi shtetit

Familjet e prekura nga varfëria kanë humbur shpresat tek siç thonë, “premtimet kote të qeverisë” për ndihma. Ata ankohen edhe për ndërprerjen e disa beneficioneve që merreshin nga qendrat sociale.“E pyes shtetin se a mban llogari për popullin, na e ndërprenë ndihmën sociale. Këto dy muaj nuk kishim para as për bukë”, thotë Mirjana Veljanovska pensioniste që kujdeset edhe për dy mbesat e saja studente.

Miradie Sulejmani është e papunë dhe kujdeset me vështirësi për tre fëmijët e saj. Ajo thotë se nuk ka kurrfarë ndihme nga shteti. “Është shumë vështirë. Me një ndihmë simbolike sociale mundohem të shkolloj fëmijët. Burri më ka vdekur para 4 muajsh, por edhe kur ai ka qenë gjallë nuk kemi pasur të ardhura”.

“Vështirë po jetojmë. Nuk kemi mundësi ku të fitojmë para, prandaj po kursejmë, por është vështirë të kursesh në ushqim,” thotë Violeta Kotllarska, e cila kujdeset për familjen e saj gjashtë antarëshe.

StrumicaFotografi: Petar Stojanovski

Për sociolugun Ilija Acevski nuk mjafton që shteti të kujdeset vetëm për ndihma pasive: “Qeveria duhet të ketë një qasje më aktive për tejkalimin e varfërisë së qytetarëve, kjo nënkupton që duhet t`i aftesojë njerëzit për të dalë nga kjo situatë, siç janë dhënia e kredive apo punësimi i tyre,” vlerëson Acevski.

Masat për zbutjen e varfërisë

Ministria për punë dhe politikë sociale në bashkëpunim me OKB-në , ka përpiluar strategjinë për luftë kundër varfërisë. Në këtë strategji janë përfshirë shumë sfera, sepse që fenomeni i varfërisë paraqet një dukuri që kërkon angazhime të më shumë institucioneve. “Sferat prioritare të kësaj strategjie janë punësimi, arsimimi, shëndetësia, kujdesi afatgjatë si dhe banimi social. Kjo stategji paraqet një bazament i cili do të jetë në drejtim të zhdukjes së kësaj dukurie”, thotë Erzana Jakupi zëdhenëse në Ministrinë për punë dhe politikë sociale.

Varfëria nuk matet sipas etniteteve thonë nga Enti për statistikë, por nga të dhënat, shumica e atyre që marrin ndihmë sociale i takojnë etnitetit rom, por nuk është i vogël edhe numri i shqiptarëve apo maqedonasve.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Aida Cama