1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çeki: fëmijët romë tek fëmijët handikapatë

12 Mars 2013

Grupet e të drejtave të njeriut i akuzojnë autoritetet çeke se i çojnë fëmijët romë të mësojnë në shkolla së bashku me fëmijet me probleme mendore. Një grup të rinjsh romë po përpiqet për të ndryshuar këtë situatë.

Fotografi: AP

Nebud Dilino titullohet kënga e grupit United Gipsy Crew dhe është duke marrë shumë klikime në YouTube e shpërndarë në Facebook. Ritimi është i lezetshëm, videoja profesionale dhe vargjet kanë një mesazh serioz. "Dilino" në gjuhën rome do të thotë budalla ose idiot. Në video shfaqen katër fëmijë që pyesin prindërit e tyre përse i çojnë të mësojnë në një "shkollë speciale" ku marrin një edukim inferior, që më pas do të zvogëlojë shanset e tyre për të shkuar në universitet dhe për të marrë një profesion. 

"Unë e kuptoj që disa fëmijë, të cilët kanë probleme mendore duhet t'i ndjekin këto shkolla", thotë Michal Miko, i cili punon në një NGO të quajtur Slovo 21, që prodhoi videon e këngës. Ai thotë për DW se procesi në të cilin zgjidhen fëmijët për këto shkolla ka shumë probleme. "Ka një raport të vitit 2011 nga Inspektoriati Çek i Shkollave, i cili thotë se në këto shkolla janë 3,600 nxënës të cilët janë pranuar pa asnjë lloj testimi. Si mund të futen fëmijët në këto shkolla pa bërë një test? Kjo nuk është normale."

Shkolla "praktike"

Republika Çeke është kritikuar shpesh herë nga organizatat ndërkombëtare për numrin e madh të fëmijëve romë, të cilët mësojnë në shkolla të tilla. Së fundmi autoritetet çeke u kanë ndryshuar emrin në "shkolla praktike", por sërish kurrikula e tyre është shumë e kufizuar në krahasim me shkollat e tjera publike. Në vitin 2007 Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut tha se trajtimi i fëmijëve romë ishte i njëjtë me izolimin. Autoritetet u urdhëruan të ndryshojnë situatën. Disa gjëra u përmirësuan më pas, por disa ndryshme ishin thjesht kozmetikë. Por është edhe një sfidë tjetër, nëse Çekia do të zbusë diskriminimin ndaj komunitetit rom, duhet ta nisë këtë gjë që nga shkollat. 

Marek Jano, pjesëtar i grupit United Gypsy CrewFotografi: Markéta Nešlehová

As Richard Karol dhe Marek Jano, dy nga djemtë e grupit United Gypsy Crew, nuk kanë mësuar në një nga shkollat speciale. Pas ndjekjes së një shkolle normale, Richardi 15 vjecar, tashmë studion në një konservator muzike. Moshatari Marek ndjek gjithashtu të njëjtën rrugë. Richard thotë se nëse do të kishte shkuar në një “shkollë speciale” nuk do të kishte patur mundësinë të studionte atë që ai ka passion.  "Nuk është faji i fëmijëve që shkojnë të mësojnë në shkollat speciale. Është faji i prindërve të tyre. Prandaj  ne duam tu japim zemër fëmijëve, por edhe prindërve të tyre të përdorin mendien dhe t'i dërgojnë në shkolla normale edhe jo ato speciale."

Në videon e këngës shfaqen pjesë të ndryshme të Pragës dhe pjesëtarë të suksesshëm të komunitetit rom, si përshembull një infermiere, një gazetar dhe një mësues, të cilët nuk kanë shkuar në një shkollë speciale, por kanë ndjekur një edukim normal si të gjithë fëmijët e tjerë në Çeki dhe tashmë kanë një profesion e karrierë. "Mua më pëlqen videoja", thotë Lyubov Grunkovskaya, i cili është me origjinë nga Bjellorusia dhe punon për Slovo 21. "Unë nuk jam pjesë e komunitetit rom, por shoh që mesazhi që përcjell kënga vjen në ndihmë të këtij komuniteti. Kam dëgjuar shumë raste kur pjesëtarë të shoqërisë civile i kanë thënë komunitetit rom "Ju keni këtë mundësi, prandaj bëhuni si ne!", por kur vetë pjesëtarë të komunitetit rom thonë një gjë të tillë, atëherë merr më shumë forcë."

President i ri çek Milos Zeman ka premtuar se do të jetë 'zëri i të gjithë qytetarëve'.Fotografi: Getty Images

Të dy të rinjtë thonë se kohët janë duke ndryshuar dhe idea se fëmijët romë nuk duhet të kenë një edukim standard është duke marrë fund. "Ka patur një reagim pozitiv. Klipi është klikuar nga shumë vetë në YouTube. Deri tani jemi të kënaqur dhe shpresojmë që mesazhi i kësaj kënge të shpërndahet akoma më shumë."

Autor: Rob Cameron/ Amarildo Topi

Redaktoi: Auron Dodi