EU Kommission Präsident
16 Shtator 2009Çfarë është në fakt një President i Komisionit të BE-së?
Drejtues i mbi 20 mijë punonjësve
Ai drejton një aparat me mbi 20 mijë punonjës, që i ngjan një aparati qeveritar me departamentet e caktuara. Por, Komisioni i BE-së është një institucion unik në botë, kështu edhe shefi i tij.
Komisioni ushtron aktivitetin e tij në bazë të Marrëveshjes së Amsterdamit nën "drejtimin politik të presidentit të tij". Pra Presidenti është kryetari i Komisionit. Ndër detyrat e tij bëjnë pjesë organizimi i mbledhjeve të Komisionit dhe përfaqësimi jashtë i Komisionit. Presidenti i Komisionit merr pjesë në mbledhjet e Këshillit Evropian dhe në debatet më të rëndësishme të Parlamentit Evropian.
Presidenti emëron 27 komisarët e Komisionit
Përveç kësaj, ai emëron në marrëveshje me Kryetarët e qeverive të vendeve anëtare, 27 komisarët e Komisionit. Sipas Marrëveshjes së Nicës, Presidenti mund t`u ndryshojë kompetencat e tyre ose të kërkojë dorëheqjen gjatë kohës që ata qëndrojnë në detyrë. Po ashtu si Parlamenti Evropian, edhe Presidenti i Komisionit qëndron pesë vjet në post. Marrëveshja e Maastrihtit bashkoi periudhat e mbajtjes së posteve të Presidentit dhe Parlamentit.
Presidenti emërohet nga Kryetarët e shteteve dhe të qeverive të BE-së
Presidenti emërohet nga Kryetarët e shteteve dhe të qeverive të vendeve anëtare të BE-së. Megjithatë atij i duhet aprovimi i Parlamentit, i cili mund të mos e pranojë një President. Prandaj para zgjedhjes së Presidentit zhvillohen një sërë bisedimesh jozyrtare dhe zyrtare midis vendeve të BE-së, Këshillit të Ministrave dhe Parlamentit Evropian si dhe blloqeve më të mëdha politike të Parlamentit. Kandidati që del në fund përkrahet prej të gjithëve. Duke patur mbështetjen e dy institucioneve të BE-së, ai forcon autoritetin e tij politik.
Këshilli ndjek gjatë përzgjedhjes së kandidatëve rezultatin e zgjedhjeve evropiane
Marrëveshja e Lizbonës, e cila pritet të ratifikohet nga vendet anëtare të BE-së, parashikon që Këshilli të ndjekë gjatë përzgjedhjes së kandidatëve rezultatin e zgjedhjeve evropiane. Kjo do të thotë se duhet përfaqësuar fraksioni më i fortë i Parlamentit. Kështu të drejtat e Parlamentit forcohen më shumë. Duke patur parasysh pjesëmarrjen e ulët në zgjedhjet parlamentare të 2009-ës, janë shtuar zërat që kërkojnë që Presidenti i Komisionit të zgjidhet direkt nga qytetarët, në mënyrë që ata të mobilizohen më shumë.
Presidentët e deritanishëm të Komisionit (të KEP, KE dhe BE):
- Walter Hallstein nga Gjermania (1958-1967)
- Jean Rey nga Belgjika (1967-1970)
- Franco Maria Malfatti nga Italia (1970-1972)
- Sicco Leendert Mansholt nga Hollanda (1972-1973)
- François-Xavier Ortoli nga Franca (1973-1977)
- Roy Jenkins nga Britania e Madhe (1977-1982)
- Gaston Thorn nga Luksemburg (1981-1985)
- Jaques Delors nga Franca (1985-1995)
- Jacques Santer nga Luksemburg (1995-1999)
- Romano Prodi nga Italia (1999-2004)
- José Manuel Barroso nga Portugalia (2004-aktualisht)
- José Manuel Barroso nga Portugalia (2009 - )
Autor: Julia Kukelkorn/ Aida Cama
Redaktoi: Auron Dodi