Çfarë gjuhe do të flasë Kosova pas statusit?
28 Shkurt 2007
Udhëheqësit politik kosovarë, thonë se jeta dhe rregullimi ligjor në Kosovë sa i përket gjuhëve dhe arsimit për komunitetet, është më i avancuar sesa parashihet në pakon e ndërmjetësit ndërkombëtar për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari.
Në këtë linjë, Këshilli Konsultativ për Komunitete, i cili funksionon në kuadër të grupit negociator të Kosovës, është pajtuar që në marrëveshjen për statusin e Kosovës, të ketë një formulim i cili e njeh praktikën e të drejtës së përdorimit zyrtar edhe të gjuhës boshnjake, turke dhe rome në komunat ku jetojnë këto komunitete.
Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, menjëherë pas prezantimit të pakos së
ndërmjetësit Marti Ahtisari, u deklaruan se pakoja është e pa drejtë, sepse i trajton në mënyrë të drejtë të gjitha pakicat. Mirëpo, ky pohim u hodh poshtë nga grupi negociator i Kosovës. Këtë fakt udhëheqësit kosovar e argumentuan se dy të tretat e pakos së Ahtisarit, flasin vetëm për serbët e Kosovës. Këta të fundit ndërkaq, vazhdojnë të jenë të pakënaqur me pikat ku flitet për të drejtat e tyre dhe në këtë linjë kanë kërkuar që në pakon e Marti Ahtisarit, serbët të trajtohen si komb e jo si pakicë.
Në pakon për statusin të ndërmjetësit Marti Ahtisari, gjuha serbe parashihet të jetë gjuhë zyrtare në tërë territorin e Kosovës ndërsa, gjuhët e pakicave tjera jo serbe mund të perdoren si gjuhë zyrtare vetëm në komunat ku ata jetojnë dhe ku kanë një numër të konsiderueshëm të banorëve. Tash për tash, në bazë të ligjeve të miratuara nga kuvendi Kosovës përveç gjuhës serbe, është vetëm gjuha turke ajo e cila është zyrtarizuar në komunën e Prizrenit, ku komuniteti turk është më i koncentruar. Mirëpo, kërkesa të ngjashme vazhdimisht shtrohen edhe nga komunitetet tjera pakicë të Kosovës. Kjo çështje do të përcaktohet vetëm pas marrëveshjes për statusin e Kosovës.