1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çfarë kërkon të arrijë Viktor Orbani?

10 Korrik 2024

Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban, i cili para se të shkonte në Uashington, qëndroi në Kiev, Moskë dhe Pekin, duket se është në kërkim të krijimit të një aleance me republikanin Donald Trump.

Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban
Kryeministri i Hungarisë Viktor OrbanFotografi: Valery Sharifulin/POOL/TASSdpa/picture alliance

Hungaria mori më 1 korrik 2024 presidencën e radhës së Këshillit Europian, që do ta mbajë për gjashtë muaj me radhë dhe kryeministri Viktor Orban para se të shkonte në Uashington qëndroi për vizita në Kiev, Moskë e më pas në Pekin, duke luajtur rolin e një lloj mediatori të vetëemëruar dhe stimuluesi të vetëshpallur të paqes.

Përmes një videoje të publikuar në X ditën e hënë, Orbani e vlerëson Kinën si fuqinë e vetme botërore "të angazhuar dukshëm për vendosjen e paqes" midis Rusisë dhe Ukrainës dhe kur tregon për takimin e tij me presidentin kinez, Xi Jinping, e portretizon veten si dikë që është në mision paqeje.

Viktor Orban dhe Xi JinpingFotografi: (Rolex dela Pena/Pool Photo/AP Photo/picture alliance

"Kjo është e rëndësishme për Hungarinë dhe gjithë Bashkimin Europian," thotë ai në këtë video që e publikoi, kur ndodhej në Pekin për shtrimin e rrugës së bisedimeve dhe shtoi se „ne do të vazhdojmë punën tonë".

Megjithëse ai nuk deklaroi shprehimisht se ishte duke prezantuar Bashkimin Europian, disa njerëz menduan se ai kishte si synim të linte një përshtypje të tillë.

Kaja Kallas, komisare e BE-së për politikën e jashtme, tha më parë se Orbani ishte duke "shfrytëzuar” presidencën hungareze të Këshillit të BE-së për të "krijuar konfuzion” lidhur me politikën europiane për Ukrainën.

Në një tweet të datës 5 korrik, Orbani pranon se nuk ka marrë mandat për të zhvilluar negociata në emër të BE-së. Sidoqoftë ai dërgoi sinjale të ndryshme kur shtoi se "ne nuk mund të rrimë duarlidhur duke pritur që lufta të përfundojë vetë si me magji. Ne do të shërbejmë si aktorë të rëndësishëm për të hedhur hapat e parë në drejtim të paqes.”

BE e kritikoi ashpër Orbanin pas takimit që bëri me presidentin rus Vladimit PutinFotografi: Valeriy Sharifulin/SNA/IMAGO

BE e kritikoi ashpër Orbanin pas takimit që bëri me presidentin rus Vladimir Putin, duke theksuar se ai "nuk është duke përfaqësuar BE në asnjë lloj mënyre.”

Zëvendëskancelari gjerman Robert Habeck tha se takimet e Orbanit duhen parë si çështje bilaterale dhe jo në kuadër të ndonjë angazhimi zyrtar për BE.

Sidoqoftë Orbani është duke dëshmuar edhe një herë se është enfant terrible në bllokun e 27 vendeve anëtare. Ekspertët thonë se përpjekjet e fundit të Orbanit janë pjesë e një plani afatgjatë për ta paraqitur veten si udhëheqës të së djathtës ekstreme të Europës, dhe se mbështet kandidatin republikan për president amerikan, Donald Trumpin, që të kthehet në pushtet.

Cilat janë synimet politike të Orbanit?

Nuk ka asgjë të re në mbështetjen e kryeministrit hungarez Orban për Rusinë ose koketërinë me Kinën. Dy vitet e fundit ai ka kundërshtuar vazhdimisht sanksionet e Bashkimit Europian kundër Moskës dhe është munduar të bllokojë ndihmat për Ukrainën.

Dhe në një kohë kur BE është duke u përpjekur të zgjerojë tregtinë jo me Kinën por me vendet e tjera, dhe të ulë rrezikshmërinë e zinxhirëve kritikë të furnizimeve me lëndë të para, Budapesti ka përqafuar tregtinë me Pekinin, duke filluar këtë maj një partneritet strategjik gjithëpërfshirës.

Para se të shkonte në Uashington, Viktor Orban qëndroi për vizitë në Kiev dhe Moskë Fotografi: Ukrainian Presidential Press Office/REUTERS

Julien Hoez, këshilltar politik dhe ekspert në çështjet e BE-së, thotë se lojërat e fundit të Orbanit synojnë të rrisin mbështetjen që Hungaria i jep, pasi partia e tij Fidesz mori në zgjedhjet europiane mbajtur muajin e kaluar rezultatin më të keq zgjedhor të marrë ndonjëherë. Megjithëse partia e Orbanit dhe aleatët e saj morën 44 përqind të votave, ata humbën votat që shkuan për Peter Magyarin, një njeri që ka qenë i afërt me Orbanin, por që është kthyer në rival të fortë dhe shihet si kërcënim serioz.

Por kjo është vetëm një nga dëshirat që Orbani mbart me vete. Ai do po ashtu ta prezantojë veten si udhëheqës të së djathtës ekstreme të Europës, e cila është duke u zgjeruar dhe të krijojë kështu një ”aks joliberal” nga SHBA në Europë, thotë Hoez.

"Ai është duke u përpjekur ta prezantojë veten si udhëheqës të europianëve që janë skeptikë ndaj Europës, që janë më shumë të interesuar për të pasur marrëdhënie me Kinën ose Rusinë ose që nuk duan fare të përzihen me të tjerët dhe në përgjithësi tregojnë tendenca izolacioniste të të gjitha llojeve si ato që shihen në SHBA.”

Grupimi i djathtë në Parlamentin Evropian "Patriotët”Fotografi: Tobias Steinmaurer/APA/picturedesk/picture alliance

Ditën e hënë, partia Fidesz e Orbanit hyri në një grupim të ri të djathtë ekstrem në Parlamentin Europian, ku merr pjesë edhe kryetarja e së djathtës ekstreme franceze, Marine Le Pen. Ky grupim i djathtë mban emrin "Patriotët”. Ekspertët thonë se formimi i këtij grupimi, ndërthurur me vizitën e Orbanit në Pekin, kanë qenë për t'u treguar mbështetësve të Trumpit në SHBA sa i rëndësishëm është Orbani.

Së bashku me prezantimin si figurë udhëheqëse e së djathtës ekstreme të Europës, Orbani kërkon po ashtu ta paraqesë veten si dikush që është brujtur me të njëjtin brum si Donald Trumpi. 

Moderator i Trumpit në Europë?

Pierre Haroche, një asistent profesor për politikën europiane dhe ndërkombëtare dhe bashkëpunëtor i Institutit Jacques Delors Institute, thotë se aktualisht Orbani është duke bërë "punën paraprake” për të pasur përfitim sa më të madh nëse Trump fiton dhe rizgjidhet president amerikan.

"Orbani është duke punuar për arritjen e një marrëveshjeje të cilën ai mendon se do të pranohet nga Trumpi,” thotë Haroche. "Trump ka thënë se do t'i japë fund konfliktit (luftës në Ukrainë) brenda 24 orësh. Orbani do që të jetë në gjendje të thotë, unë kam folur ndërkohë me palët e interesuara dhe ta kthejë veten kështu në një moderator të pazëvendësueshëm.'

"Patja e influencës në BE nëpërmjet një grupimi do ta bënte Orbanin më të dobishëm për Trumpin,” shton eksperti.

Lojërat e Orbanit kanë tronditur Brukselin

Në takimin e radhës të përfaqësuesve të përhershëm të vendeve anëtare të BE-së, ata me siguri që do të diskutojnë rolin që duhet të luajë presidenca e radhës dhe nëse Hungaria mund të jetë një ndërmjetësues i besueshëm.

Ekspertët thonë se BE nuk ka çfarë të bëjë tjetër për ta dënuar Orbanin. Një „opsion bërthamor” që do të kufizonte të drejtat e Hungarisë në bazë të Ligjit 7 të Marrëveshjes së Bashkimit Europian është duke u pëshpëritur shpesh, por nuk mendohet se do të përdoret kësaj here.

Ndërkohë në përgjigje të postimit të lartpërmendur Orbanit në X, i biri i Trumpit, Donald Trump junior, e vlerësoi udhëheqësin hungarez si nxitës të paqes „siç është im atë".

Hapin tjetër Orbani e hedh në Uashington. Tani po hamendësohet nëse ai do të takohet me Trumpin gjatë qëndrimit në SHBA, apo thjesht do të marrë pjesë në samitin e NATO-s për nder të 75-vjetorit të krijimit të aleancës. 

 

 

Anchal Vohra