1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çfarë partie është CHP në Turqi?

Daniel Bellut
3 Prill 2019

Në disa qytete turke kandidatë të Partisë Republikane (CHP) arritën fitore. Po çfarë partie është kjo?

Türkei Ankara Kommunalwahlen CHP-Anhänger feiern
Fotografi: Getty Images/AFP/A. Altan

Cumhuriyet Halk Partisi (CHP) - në përkthim: Partia Popullore Republikane - u themelua në vitin 1923 nga themeluesi i shtetit turk, Mustafa Kemal Atatürk. Ajo është partia e parë, më e vjetra dhe më e suksesshmja parti e vendit. Asnjë parti tjetër nuk ka marrë më shpesh pjesë në qeveri. Deri në vitin 1945 ajo madje ishte e vetmja parti në Turqi.

Profili i partisë bazohet në të ashtuquajturat "gjashtë shigjeta", që përfaqësojnë edhe logon e partisë.

-Republikanizmi

-Laicizmi

-Reformizmi (Modernizimi)

-Etatizmi

-Populizmi (Sovranitet i popullit/Demokraci)

-Nacionalizmi

Këto janë deri sot aspektet qendrore të "ideologjisë kemaliste", të cilat do t'i ruajë dhe mbrojë CHP-ja.

Zhvillim ideologjik

Në vitet gjashtëdhjetë, CHP u hap edhe për vlerat socialdemokrate. Që atëherë, këtë parti mund ta shohësh si parti simotër të partisë socialdemokrate gjermane, SPD. Ajo ka qëndrim miqësor ndaj Evropës dhe e sheh një anëtarësim të Turqisë në Bashkimin Evropian si një hap të nevojshëm për modernizim. Në tërësi, CHP ka një qëndrim pozitiv ndaj Evropës dhe Perëndimit. Themeluesi i partisë Atatürk e vazhdoi përshtatjen osmane të vonë ndaj Perëndimit dhe reformoi drejtësinë, ekonominë, ushtrinë dhe politikën sipas modelit të shteteve evropiane.

Mbështetës të CHP festojnë në AnkaraFotografi: picture-alliance/dpa/B. Ozbilic

CHP ka një klientelë shumë më të shkolluar dhe me të ardhura më të larta se partia islamiste-konservatore AKP, e cila si tendencë i drejtohet popullatës më të paarsimuar të fshatrave. Mbështetës ose simpatizantë të CHP kishin për dekada pozicione të rëndësishme në drejtësi, ushtri, arsim dhe kulturë.

Në këtë mënyrë u ndienë të denigruar turqit fetarë dhe fshatarë. Kemalizmi perceptohej nga kjo shtresë e popullatës si antifetar dhe që donte të prishte traditat ekzistuese. Për shembull, Kemal Atatürku i ndaloi që të mbahen në godina publike qeleshen dhe shaminë tradicionale të kokës, që në Turqi quhen Fes. Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan dhe partia e tij, AKP mundën të nxjerrin kapital nga kjo atmosferë.

Rënie pikiatë e CHP - ngjitje e AKP

Ndikimi i CHP-së ra shumë pas fitores së parë në zgjedhje të AKP-së në vitin 2002. Që atëherë, kjo parti pas AKP-së është gjithnjë në pozitë më të disfavorshme. Rivalja konservatore ka arritur madje që në shumicën e zgjedhjeve parlamentare të sigurojë shumicën.

Kjo bëri që në njëzet vitet e shkuara të niste një ndryshim pushteti dhe ndryshim kulturor që përfshiu gjithë shoqërinë. Erdogani e konsolidoi pushtetin, duke e zëvendësuar elitën e vjetër kemaliste, veçanërisht në medie, drejtësi dhe në ushtri, me një elitë të re konservatore. Rivaliteti midis CHP dhe AKP-së pra është më tepër se i natyrës politike. Partitë veprojnë si të thuash si kundërpole në një luftë kulturore.