1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çfarë pritet nga samiti i BE?

Kristof Haselbah14 Dhjetor 2006

Presidentët dhe kryeministrat e shteteve anëtare të BE-së fillojnë sot konsultimet në Bruksel mbi çështjet e sigurisë dhe zgjerimit dhe refugjatëve që vijnë nga kufijtë jugorë

Fotografi: AP

Sikur ministrat e jashtëm të BE të mos kishin marrë të hënën një vendim të prerë për Turqinë, me siguri që në samitin e BE do të mbizotëronte kjo temë. Megjithatë, edhe pas marrëveshjes së arritur me shumë vështirësi, pritet që çështja e Turqisë të mbetet edhe një kohë të gjatë në tavolinën e bisedimeve, sepse bëhet fjalë për parimet bazë të BE.

Kancelarja gjermane Angela Merkel, mendon se janë plotësuar kërkesat e saj, të formuluara javën e kaluar në takimin me presidentin francez Zhak Shirak. "Shpresoj se edhe pala turke do ta shohë se këtu nuk është fjala për ashpërsimin e masave për pranim në BE, por për pritjet tona. Në qoftë se këto pritje nuk realizohen, me siguri që do të ketë edhe disa pasoja", thekson Merkel.

BE priste që Turqia të realizojë premtimet e dhëna, për respektimin e regjimit të doganave në mbarë BE, pra edhe në Qipro. Por kjo do të thoshte tërthorazi edhe njohjen e Republikës së Qipros. Vëzhguesit politik janë të mendimit se kjo do të ishte vetëvrasje politike për partitë në pushtet, vetëm pak kohë para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan deklaroi në parlament se sjellja e këtillë e BE nuk është e drejtë. "Turqisë i është bërë një e padrejtë, përkundër vullnetit tonë politik. Vendimi nuk është në harmoni me marrveshjet e arritura më parë për raportet midis Turqisë dhe BE. Përveç kësaj, vendimi është në kundërshtim edhe me qëllimet e përbashkëta. Është e qartë se për shkak të Qipros po dëmtohen raportet tona me BE. Qipriotët grekë dhe grekët po e shfrytëzojnë këtë çëshjte për të përfituar për vete", theksoi kryeministri turk.

Megjithë dëshpërimin qeveria turke ka paralajmëruar vazhdimin e kursit të reformave drejt BE. Shumë qeveri evropiane e shohin këtë si përmbushje të kërkesave të tyre. Askush e madje as kritikët më të ashpër të sjelljeve të Turqisë, nuk është i interesuar për dobësimin e forcave reformatore në Turqi.

Por problemi themelor në raportet mes Turqisë dhe BE mbetet dhe me këtë do të merret edhe samiti i BE. Për shkak të lodhjes me procesin e zgjerimit, shumë evropianë do të shtrojnë pyetjen: sa shpejt dhe sa larg mund të përhapet BE, i cili ende nuk ka as kushtetutën e re. Vitin e ardhshëm do të pranohen Rumania dhe Bullgaria. Kroacia ka nisur negociatat së bashku me Turqinë, por në raportet e fundit thuhet se ajo ka shkuar shumë më larg në këtë proces. Prandaj është e mundur që të anëtarësohet që në vitin 2009. Si do të vazhdojë ky proces, brenda dhe jashtë BE? Janë këto pyetje të cilat do të kalohen për kohën kur Gjermania të marrë udhëheqësinë e BE. Berlini ka filluar të përgatitë përgjigjet.