Çmime në Kanë për studenten berlineze dhe austriakun
21 Maj 2011
Në Festivalin e 64-ët ndërkombëtar të Kanës, janë dhënë çmimet e para. Një studente nga Berlini mori çmimin e dhënë për filmin më të mirë me metrazh të shkurtër, një austriak u vlerësua për filmin më të mirë artistik evropian jashtë konkurimit.
Austriaku Karl Markovics u vlerësua për regjinë në filmin "Frymëmarrja". Filmi artistik mori çmimin «Europa Cinemas Label» si filmi më i mirë evropian. Seksioni i festivalit e bëri këtë të ditur ditën e shtunë. 47 vjeçari Markovics është njohur më parë si aktor në filmat "Fallsifikatori" dhe "Identitet i panjohur".
Regjisorja e re berlineze Doroteya Droumeva, studente e Akademisë së Filmit dhe Televizionit, mori çmimin kryesor në programin e filmave me metrazh të shkurtër Cinéfondation, për filmin e saj 30 minutësh «Letra». Filmi i saj tregon për një të re e cila humbet toruan kur mëson se është shtatzënë.
Në qendër të dramës 90 minutëshe "Frymëmarrja" ndodhet një 19 vjeçar që ndodhet në një shkollë edukimi, dhe nuk ka as familje as lidhje sociale. Kur një ditë në morg sheh një të vdekur që mban mbiemrin e tij, fillon kërkimin e të ëmës, të cilën nuk e ka takuar kurrë.
Autor: Aida Cama/ dpa
Redaktoi: Mimoza Cika/ Kelmendi