1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çmimi Nobel i Paqes i jepet organizatës Nihon Hidankyo

11 Tetor 2024

Organizata japoneze Nihon Hidankyo u themelua nga të mbijetuarit e Hiroshimas dhe Nagasakit - dhe që atëherë është angazhuar për çarmatimin bërthamor. Ajo tani merr Çmimin Nobel të Paqes.

Japan Hiroshima | PK Toshiyuki Mimaki Ko-Vorsitzender der Japan Confederation of A- and H-Bomb Sufferers' Organizations
Fotografi: KYODO/REUTERS

Jørgen Watne Frydnes, kryetari i komitetit norvegjez të Nobelit, shpjegoi se tabuja për "përdorimin e armëve bërthamore" ndodhet nën presion. Sipas tij, komiteti Nobel dëshiron të "nderojë të gjithë të mbijetuarit, të cilët, pavarësisht vuajtjeve fizike dhe kujtimeve të dhimbshme, zgjodhën të përdorin përvojat e tyre të kushtueshme për të kultivuar shpresën dhe përkushtimin për paqen".

Organizata e të mbijetuarve në Hiroshima dhe Nagasaki

Nihon Hidankyo u themelua nga të mbijetuarit e bombave atomike amerikane të hedhura në Hiroshima dhe Nagasaki. Ata quhen edhe hibakusha në Japoni. Vlerësohet se më shumë se 200.000 njerëz vdiqën drejtpërdrejt gjatë ose si rezultat i bombardimeve atomike të 6 dhe 9 gushtit 1945.

Presidenti i Nihon Hidankyo-s, Tomoyuki Mimaki, i cili ishte i pranishëm në Bashkinë e Hiroshimës gjatë njoftimit, ishte i gëzuar dhe iu mbushën sytë me lot kur dëgjoi lajmin. Çmimi Nobel i Paqes shoqërohet me njëmbëdhjetë milionë korona suedeze (afërsisht 967.000 euro).

Shumë më pak propozime kandidatësh

Në këto kohë të luftës në Lindjen e Mesme, luftës në Ukrainë dhe dhjetëra konflikteve të tjera, asnjë favorit i qartë nuk u dallua këtë vit për Çmimin Nobel për Paqen. Kësaj radhe u propozuan gjithsej 286 kandidatë, përfshirë 197 individë dhe 89 organizata.

Kjo ishte shumë më pak se në vitet e mëparshme. Emrat e të propozuarve mbahen tradicionalisht sekret nga institucionet Nobel për 50 vjet.

Logoja e Nihon HidankyoFotografi: Javad Parsa/NTB Scanpix via AP/picture alliance

Urime edhe nga Gjermania

Fituesi i Çmimit Nobel të Paqes 2017, Fushata për të zhdukur Armët Bërthamore (Ican), uroi laureatët japonezë të këtij viti. Ky është një dallim shumë i rëndësishëm dhe absolutisht i merituar, tha Ican në Gjenevë. Rreziku i përdorimit të mëtejshëm të armëve bërthamore mund të jetë më i lartë se kurrë.

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock e përshëndeti Çmimin Nobel për Paqen që iu dha organizatës antibërthamore si shenjë të rëndësishme edhe në drejtim të presidentit rus Vladimir Putin. "Pikërisht në një kohë kur fuqitë agresive po kërcënojnë edhe një herë të përdorin armë bërthamore, është edhe më e rëndësishme që bota në tërësi të bëjë të qartë se paqja do të thotë që armë të tilla nuk do të përdoren kurrë”, tha politikania e Gjelbër gjatë një takimi me ministrin e Jashtëm sllovak Juraj Blanar në Berlin, pa përmendur emrin e Putinit.

Që nga fillimi i luftës së saj të agresionit kundër Ukrainës, Rusia ka kërcënuar vazhdimisht se do të përdorë armë bërthamore.

Gati 80 vjet pa përdorimin e armëve bërthamore

Sipas Zyrës së Komisionerit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, çmimi është "një njohje e rëndësisë së lëvizjeve bazë, dhe në veçanti të të mbijetuarve të shkeljeve të tmerrshme të të drejtave të njeriut, për punën e tyre të palodhur dhe këmbëngulëse, shpesh larg vëmendjes, pa shumë njohje, me shumë pengesa dhe jo gjithmonë me një sasi të madhe burimesh”, tha një zëdhënëse në Gjenevë.

Studiuesi i paqes, Dan Smith beson se Nihon Hidankyo u zgjodh për tre arsye. Së pari, fokusi është realisht në pasojat njerëzore të përdorimit të armëve bërthamore, së dyti, një qendër të vëmendjes vihen marrëdhëniet dhe tensionet aktuale ndërkombëtare, ta Drejtori i Institutit Kërkimor për Paqen Sipri nga Stokholmi.

Aspekti i tretë është 80-vjetori i bombardimeve atomike në Hiroshima dhe Nagasaki vitin e ardhshëm. "Kjo gjithashtu do të thotë se ne kemi arritur të mos përdorim armë bërthamore për gati 80 vjet," tha Smith. Në të njëjtën kohë, tabuja kundër përdorimit të armëve bërthamore duket se po zhduket gjithnjë e më shumë, paralajmëroi studiuesi i paqes, veçanërisht duke iu referuar kërcënimeve ruse kundër Perëndimit.

Çmimi më i rëndësishëm për të drejtat e njeriut

Njerëz dhe organizata të angazhuara për çarmatimin bërthamor janë shpërblyer nga komiteti i Çmimit Nobel edhe në të kaluarën. 

Çmimi Nobel i Paqes konsiderohet çmimi më i rëndësishëm në botë për shërbimet për çarmatimin, ruajtjen e paqes dhe të drejtat e njeriut. Këtë javë, në Stokholm tashmë janë shpallur fituesit e çmimit Nobel të këtij viti në kategoritë e mjekësisë, fizikës, kimisë dhe letërsisë. Të hënën do të ndahet për herë të fundit Çmimi për shkencat ekonomike.

Çmimet Nobel ndahen tradicionalisht në ditën e vdekjes së Alfred Nobelit, më 10 dhjetor.

ag/tgsch