1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Çmimin Nobel në mjekësi e merr një britanik dhe një japonez

AG/Aida Cama8 Tetor 2012

Studiuesit e qelizave John Gurdon dhe Shinya Yamanaka kanë marrë Çmimin Nobel për mjekësi këtë vit. Ata u nderuan për punën e tyre në fushën e studimit të qelizave.

Shinya Yamanaka dhe John B. Gurdon
Shinya Yamanaka dhe John B. GurdonFotografi: dapd

Shkencëtari britanik John Gurdon dhe japonezi Shinya Yamanaka janë marrë me riprogramimin e qelizave të trupit në gjendjen embrionale. Zbulimi që ata kanë bërë se qelizat e pjekura mund të riprogramohen në gjendjen e tyre fillestare, ka revolucionarizuar njohuritë për zhvillimin e qelizave dhe organizmave, argumentoi Komiteti i Çmimit Nobel vendimin për të nderuar dy studiuesit. Ata kanë hapur një fushë krejt të re për zhvillimin e preparateve mjekësorë. Megjithatë është ende herët të thuhet nëse njohuritë e fituara mund të përdoren në terapinë qelizore. Falë punës së dy studiuesve është mësuar tani se zhvillimi i qelizave nuk është rrugë njëdrejtimshe.

Burim i ri molekular për qelizat

Yamanaka ka publikuar në vitin 2006 një punim shkencor që tregon se si nëpërmjet një triku gjenetik qelizat e trupave të rritur mund të transformohen në qeliza burimore, që i ngjajnë shumë embrionit. Gurdon pati hedhur bazën e këtij studimi.

Shumë studiues në gjithë botën shpresojnë nëpërmjet të ashtuquajturave qeliza burimore pluripotente të induktuara (qeliza iPS) të përfitojnë një ditë inde apo organe, që nuk refuzohen nga marrësi, sepse vijnë nga trupi i vet. Vitet e kaluara qelizat iPS janë përdorur faktikisht në shumë tipe të tjera qelizash. Me to janë krijuar madje minj të aftë për të jetuar.

Medalja e Çmimit NobelFotografi: picture-alliance/dpa

Fizik, kimi, letërsi, paqe

Çmimet e tjera Nobel ndahen ditët e ardhshme. Ditën e martë dhe të mërkurë bëhen të njohura marrësit e çmimit në fizikë dhe kimi, për të cilat vendimin e merr po ashtu Akademia Suedeze e Shkencave. Ditën e enjte do të bëhet i ditur vendimi kush e merr Çmimin Nobel në letërsi. Ditën e premte Komiteti norvegjez i Çmimit Nobel do të bëjë të ditur në Oslo, mbajtësin e çmimit për paqen. Më 15 tetor do të bëhet i njohur çmimi në fushën e ekonomisë.