Çpronësime me procese të përshpejtuara?
10 Nëntor 2010
Propozimi i qeverisë për ndryshimin e Ligjit për shpronësim parasheh marrjen e pronës nga qytetari me procedurë urgjente, nëse autoritetet qendrore dhe lokale vlerësojnë se në atë pronë duhet të ndërtohet ndonjë objekt me interes shoqëror. Sipas sqarimeve qeveritare, aplikimi i procedurës urgjente në marrjen e pronave do të mundësonte realizimin e projekteve të planifikuara. Më parë, prona ka mund të merret vetëm pasi të ketë aktgjykim të plotëfuqishëm për shpronësim. Anashkalimi i gjykatave në procesin e shpronësimit sqarohet me faktin se shumë lëndë kontestuese për shpronësim qytetarët i kanë fituar pas ankimit tek gjykata kushtetuese.
Propozimi që prona të mund të merret me procedurë urgjente, është vlerësuar si një vendim i ashpër për qytetarët. Eksperti për çështje juridike Osman Kadriu, vlerëson se ligji për shpronësim është në kundërshtim me Kushtetutën. "Kushtetuta aktuale e Maqedonisë në vend të parë dhe për herë të parë pronësinë e shqyrton dhe e trajton si materie kushtetuese, e garanton si të drejtë kushtetuese. Nuk mund të privohet nga posedimi pronari i një prone të patundëshme, nëse vendimi për shpronësim nuk është i plotfuqishëm", thotë profesori universitar Osman Kadriu. Nëse i lihet qeverisë që të vendosë për urgjencën e marrjes së pronës mund të ketë keqpërdorime të natyrave të ndryshme. "Mendoj se qeveria me këtë ligj dhe me këto propozime përsëri do të sjellë një rregullativë, e cila do të jetë në kundërshtim me kushtetutën dhe me këtë rregullativë natyrisht se dëmtohen qytetarët", vlerëson Osman Kadriu.
Në Maqedoni numri i lëndëve kontestuese për shpronësim është tejet i madh. Familjes Rustemi iu është marrë prona për ndërtimin e rrugës në afërsi të Shkupit. Ata tani më një dekadë ankohen në gjygje. "Toka na është marrë pa na pyetur, ne nuk e kemi ditë se çka kanë dashtë të ndërtojnë. Na e kanë paguar me çmim të cilin e kanë caktuar vetë, për ne ato çmime janë të papranueshme", thotë Meribane Rustemi pronare e pasurisë së patundëshme .
Mersim Pollozhani është noter, në zyrën e tij për çdo ditë ai takon palë që kërkojnë ndihmë për procedurat e shpronësimit. Sipas Pollozhanit Ligji i ri për shpronësim ka një tentim që është pak regresiv sa i përket kompensimit të pronës private. "Ka një tentim që ky kompensim të bëhet me një vlerë deri 20 euro, që për kushtet aktuale është shumë e ulët, është të paktën pesëfish më e ulët se vlera reale. Vlera e kompensimit duhet të definohet, nuk mund të lihet e padefinuar," thotë Mersim Pollozhani. Sipas tij edhe procedurat gjygjësore që kanë të bëjnë me kompensimin e pronës duhet të shkurtohen sepse ato në Maqedoni zgjasin deri katër vite. "Këtu është dëmi më i madh që mund ta pësojnë qytetarët. Një kompensim që duhet ta marrë sot ai do ta marrë pas katër, pesë, gjashtë apo shtatë viteve që nuk është njëlloj," thotë Pollozhani.
Autor: Fatos Musliu
Redaktoi: Aida Cama