Është dëshirë utopike të duash të sjellësh demokracinë e vërtetë në Afganistan
21 Maj 2007Gazeta "Neue Westfälische" që del në Bielefeld komenton:
"Çfarë bën Bundesveri në Afganistan, e në radhë të parë, ç'duhet të arrijë ushtria gjermane atje? Deri më tani politika nuk ka dhënë një përgjigje të saktë ndaj kësaj pyetjeje. Eshtë një dëshirë utopike, që të sjellësh demokracinë e vërtetë, mirëqenien e plotë dhe raportet rregullta në Afganistan. Sado e dëshirueshme që është kjo nga perspektiva perëndimore, një gjë e tillë nuk u shkon përshtat qarqeve kulturore të këtij rajoni. Në rastin më të mirë tani për tani kjo nuk u përshtatet atyre dhe do të duheshin shumë vite që vendi të mund të zhvillohej në këtë drejtim. Por me zhvillime të tilla do të ketë gjithnjë e më shumë të humbur që nuk duan stabilitet, që preferojnë t´i shtypin gratë dhe që janë të kënaqur me të drejtën e të fortit aktualisht në fuqi. Këto forca do të kundërvihen gjithmonë me dhunë ndaj ndryshimeve. Më në fund duhet të jepet përgjigje edhe për atë, se në çfarë kushtesh do të realizohet tërheqja e Bundesverit."
Nga artikulli i "Westdeutsche Zeitung" të Dyseldorfit shkëpusim:
"Me çdo viktimë tjetër gjermane do të vështirësohet edhe më shumë gjetja e mbështetjes për mandatin gjerman në Afganistan, shtyrja e të cilit duhet të miratohet në vjeshtë. Atmosfera mund të ndryshojë kryekëput, nëse karakteri i misionit në heshtje do të shndërrohet në një mision luftarak me mentalitet pushtimi. Gjë kjo që nuk do të ishte e mbuluar në aspektin politik. Mënyra amerikane e ndërhyrjes së tipit Rambo për të qetësuar vatrat e konfliktit, tek ne nuk është as e mençur dhe as e realizueshme. Tek ne është ende prezent dështimi i 120.000 rusëve në Afganistan. Pra ne, edhe pse nuk duam ta pranojmë, shumë shpejt do të na duhet të flasim për tërheqjen."
Komentatori i "Wiesbadener Kurier" e konsideron të dështuar misionin në Afganistan: "Nuk ka asnjë vend të sigurtë në Afganistan dhe kjo tregon, për dështimin e deritanishëm të misionit perëndimor në Hindukush. As që mund të bëhet fjalë në këtë vend për një ndërtim të sukseshëm të kombit, apo për vendosjen e një rendi të besueshëm, në sfondin e rritjes së vazhdueshme të atentatorëve kamikaz dhe forcës konstante të Talibanëve."
Një citat nga komenti i "Schweriner Volkszeitung": "Respekt për të gjithë ata politikanë, që pavarësisht nga qëndrimi kritik i tyre ndaj misioneve të Bundesverit jashtë vendit, tani po i rezistojnë joshjes për të fituar pikë politike duke përfituar nga rasti i fatkeqësisë. Vdekja e ushtarëve nuk e shtron nga e para çështjen mbi kuptimin e këtij misioni. "Pa asnjë farë cinizmi" ky është reziku i pashmanshëm ushtarak. Çdo ushtar e di këtë e megjithatë ka vendosur për këtë profesion. Sidoqoftë ky pohim me mendje të kthjellët nuk përmban nota ngushëlluese në këtë ditë të hidhërimit."
Së fundi edhe një pjesë nga komenti i "Märkische Allgemeine" të Pocdamit:
"Në Kundush kjo ishte një goditje e qëllimshme ndaj gjermanëve. Një goditje ndaj një vendi, që reagon në mënyrë defensive në Afganistan, që jep ndihmë për rindërtimin si asnjë shtet tjetër dhe që nuk e fsheh dëshpërimin e vet prej këtij misioni. Kalkulimi i këtij sulmi padyshim ka për qëllim rindezjen e debatit për kthimin e ushtarëve në Gjermani dhe zhytjen në kaos të Veriut relativisht stabël të Afganistanit. Tërheqja nuk do të ishte vetëm dështim i misionit ushtarak gjerman, por edhe dështim i konceptit gjerman për rindërtimin. Pa lënë në heshtje edhe faktin, që kjo do të presupozonte fitoren e terrorit për rajonin në përgjithësi."