1,1 Milionë Euro për një ligj?
19 Janar 2010Guido Westerwelle sapo kishte ardhur në qeveri, kur kabineti do të duhej të miratonte një paketë konjukturore për t'ia lehtësuar ekonomisë gjermane përballimin e krizës. Dhe ishte propozimi dhe këmbëngulja e Partisë së tij, asaj të Demokratëve të Lirë (FDP) që njëra nga masat e përfshira në paketë të ishte edhe ulja e tatimeve mbi vlerën e shtuar për hoteleritë nga 19 në 7 përqind. Revista "Der Spiegel" ka zbuluar ndërkohë, se pikërisht pak kohë më parë, në adresë të partisë kishte hyrë një donacion i majmë nga një pronar hotelesh. Rastësi?
Për opozitarët socialdemokratë ulja e TVSH-së është një shpërblim i drejtpërdrejtë ndaj donacionit prej 1,1 milionë Euro, që kompania "Substantia AG" u pat bërë liberalëve gjatë vitit të kaluar. Sipas burimeve të revistës Der Spiegel, pronarë të kompanisë në fjalë janë aksionarët kryesorë të kompanisë "Moevenpick", e cila ka në Gjermani 14 hotele.
"Ky është një skandal i madh që tregon se si FDP-ja është shitur për një ligj, për të cilin nuk kishte nevojë askush,"- u shpreh të hënën, zëvendëskryetari i SPD-së, Klaus Wowereit. Edhe kryetarja e grupit parlamentar të "Të Gjelbërve", Renate Kuenast, nuk i kurseu fjalët e ashpra: "FDP-ja po e trajton shtetin sikur ta kishte gjahun e vet", tha ajo.
FDP-ja i quan kritikat absurde
Guido Westerwelle të hënën i hodhi poshtë kritikat: "Sa i madh duhet të jetë hidhërimi i Partisë Socialdemokrate, që e shtyn atë të artikulojë kritika kaq absurde", reagoi me indinjatë ministri i jashtëm i Gjermanisë. Sipas liberalëve, marrja e donacionit nuk ka të bëjë aspak me uljen e tatimit: "Ne nuk kemi bërë asnjë gabim. Kemi marrë një donacion, të cilin e kemi deklaruar në përputhje me ligjin. Uljen e tatimeve për hoteleritë e kishim kërkuar edhe shumë kohë më parë, pasi është një sektor, ku janë në rrezik vendet e punës për shkak të krizës", argumentoi të hënën para gazetarëve Christian Lindner, sekretari i përgjithshëm i liberalëve.
Debati për donacionet ndaj liberalëve u hap pikërisht në të njëjtën ditë, kur në Augsburg filloi procesi gjyqësor kundër ish-lobiistit të tregtisë së armëve, Karlz-Heinz Schreiberit. Gjatë viteve 80-të dhe 90-të, Schreiber pat bërë donacione të mëdha ndaj partive të ndryshme, sidomos asaj të Helmut Kohl-it, e cila i merrte dhuratat e lobiistit gjerman në mënyrë jolegale, nëpërmjet xhirollogarive në Zvicër. Skandali i atëhershëm i "valixheve të zeza", i kushtoi Helmut Kohl-it, postin e kryetarit të CDU-së. Duke marrë shkak nga këto dy ngjarje analistë të ndryshëm në mediet gjermane kërkojnë më shumë transparencë në procedurën e financimit të partive. Ata shprehen për publikimin e menjëhershëm të donacioneve dhe heqjen e anonimitetit për dhuratat nën 10.000 euro.
Autor : Anila Shuka
Redaktoi : Aida Cama