1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

20 vjet Facebook - shpresë, rreziqe, tregti e të dhënave

5 Shkurt 2024

Rritja e mediave sociale filloi me Facebook dy dekada më parë. Entuziazmi fillestar ia la vendin zhgënjimit dhe kritikave të shumta.

Facebook - Meta, kompania mëmë e Facebookut
Meta, kompania mëmë e FacebookutFotografi: Jaap Arriens/NurPhoto/picture alliance

Facebooku feston 20 vjetorin e ekzistencës. Është rrjeti social më i madh në botë. Më shumë se tre miliardë njerëz janë aktivë në këtë faqe të paktën një herë në muaj. Kjo është, më shumë se një e treta e popullsisë së botës. Një histori suksesi. Por për themeluesin e Facebook, Mark Zuckerberg, festimi ka një shije jo të mirë. Vetëm disa ditë para përvjetorit, Zuckerberg u përball me kritika të ashpra në një seancë dëgjimore në Senatin amerikan. "Ju i keni duart e përgjakura," i bërtiti Zuckerbergut senatori republikan, Lindsey Graham. "Ju keni një produkt që vret njerëzit."

Esenca: Mungesa e mbrojtjes së fëmijëve dhe të rinjve në platformat e mëdha të internetit. "Vendimet tuaja të projektimit, dështimi juaj për të investuar siç duhet në siguri, ndjekja juaj e vazhdueshme e fitimit mbi sigurinë bazë po i vënë fëmijët dhe nipërit tanë në rrezik," tha demokrati Dick Durbin, udhëheqësi i shumicës në Senatin e SHBA.

Fajësimet ndaj Zuckerbegut - "i keni duart me gjak"Fotografi: Bonnie Cash/UPI/IMAGO

Rreziqet e mediave sociale tani po debatohen gjerësisht. Në Shtetet e Bashkuara, ata konsiderohen si bashkëpërgjegjës për krizën e shëndetit mendor të të rinjve. Vivek Murthy, drejtor i shërbimit shëndetësor publik, publikoi një rekomandim të veçantë për rrjetet sociale në maj 2023. Ai paralajmëron se ka "shumë shenja që mediat sociale mund të dëmtojnë seriozisht shëndetin mendor dhe mirëqenien e fëmijëve dhe të rinjve".

Këtë e nënvizon në një bisedë për DW psikologu dhe studiuesi i rrezikut gjerman Gerd Gigerenzer (Gigerenzer). "Disa studime tregojnë se pasiguria, mungesa e vetëvlerësimit, depresioni dhe madje edhe mendimet për vetëvrasje janë rritur”, thekson Gigerencer.

Ndër këto shenja në SHBA mund të numërohet, për shembull, rritja e shkallës së vetëvrasjeve tek njerëzit e moshës 10 deri në 25 vjeç. Në dekadën e kaluar, nga viti 2011 deri në vitin 2021, është rritur me 60 për qind.

Një fillim më i mirë?

Megjithatë, Facebook filloi si një platformë e parrezikshme. Si një rrjet social, ku mund të gjeni shpejt shokët e shkollës, të ndani fotot tuaja të pushimeve dhe të vazhdoni me atë që rrethi juaj i miqve po bën tani. "Në fillim, Facebook shpresonte ta bënte botën një vend më të mirë duke lidhur njerëzit," kujton eksperti i medias me qendër në Berlin, Martin Emmer për fillimet e Facebookut.

Kënaqja e një nevoje të lashtë njerëzore

Për shembull, me ndryshimet në botën arabe gjatë Pranverës Arabe të vitit 2011, të cilat fillimisht u shënuan me shpresa të mëdha. Për shkak të rolit të rrjetit në organizimin e demonstratave dhe rezistencës, ato ndonjëherë janë quajtur "revolucione në Facebook".

Mark Zuckerberg, Facebooku mbush 20 vjet.Fotografi: Eric Risberg/AP/picture alliance

Facebooku, veçanërisht në të njëjtën kohë me zhvillimin e shpejtë të telefonave inteligjentë, siguroi plotësimin e një nevoje të lashtë njerëzore në nivelin më të lartë teknik. "Njeriu është një qenie shoqërore”, shpjegon Emmer. "Dhe kështu ato platforma krijuan diçka që asnjë media tjetër nuk e kishte pasur më parë."

Mes fuqizimit dhe pafuqisë

Megjithatë ofrimi i infrastrukturës së lidhjes mes njerëzve, pavarësisht sa "falas" mund të duket, ka një çmim. Përdoruesit paguajnë dy herë: me të dhënat personale dhe vëmendjen e tyre. Vëmendja është një mall i rrallë. Reklamuesit janë të lumtur të paguajnë për të. Sidomos nëse mesazhet mund t'u dërgohen klientëve të mundshëm falë profileve të sakta të personalitetit. Kjo është arsyeja pse operatorët e platformës mbledhin sa më shumë të dhëna nga përdoruesit e tyre dhe çdo "like" u siguron atyre një pjesë tjetër të të dhënave. Me njohuri të hollësishme të interesave të përdoruesve, pëlqimet dhe mos pëlqimet, për ta krijohet një përmbajtje e tillë që i mban në platformë, e cila është sa më gjatë të jetë e mundur.

Se si këto përmbajtje ndikojnë tek individët dhe shoqëria është injoruar prej kohësh nga platformat. Polarizimi në rritje i shoqërisë, debati gjithnjë e më i ashpër politik, përhapja e teorive më të çmendura të konspiracionit - e gjithë kjo është e lidhur me Facebookun dhe platforma të ngjashme.

Psikologu Gigerencer krahason rrjetet me një kafene ku ju merrni kafe falas. "Të gjithë shkojnë atje, takojnë miqtë e tyre dhe nuk duhet të paguajnë asgjë. Por: Ka përgjime, ka kamera dhe bëhen video që regjistrojnë gjithçka dhe më pas ua kalojnë informacionin palëve të treta. Kafeneja është gjithashtu plot me njerëz që të ndërpresin vazhdimisht dhe të ofrojnë mallra të përshtatura posaçërisht për ty”. Përdoruesit e vërtetë, shpjegon Gigerencer, nuk janë duke pirë kafe. Jo, këta janë ata që ju ndërpresin dhe paguajnë kafen tuaj.

Problemet e Facebookut me të dhënat!Fotografi: Monika Skolimowska/dpa-Zentralbild/picture alliance

Dhe mund të kenë edhe interesa politike. Në vitin 2016, për shembull, nisën akuzat kundër Rusisë se përdori Facebookun për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale. Dy vjet më vonë, Facebooku u përfshi në skandalin e Cambridge Analytica: Kompania, kryesisht pa dijeninë e përdoruesve të saj, analizoi të dhënat nga rreth 50 milionë profile të Facebook. Dhe gjatë zgjedhjeve amerikane të vitit 2020, grupi "Stop the Steal" në Facebook luajti një rol kyç në legjendën e përhapur nga Donald Trump për zgjedhjet e vjedhura.

Superzgjedhjet 2024

Fotografi: Getty Images/AFP/I. Kasamani

2024 është një vit tjetër zgjedhor, madje një vit superzgjedhor. Qytetarët në vendet ku jeton më shumë se gjysma e popullsisë së botës shkojnë në votimet për Parlamenti nEuropian. Për shembull, nëIndidhe Indonezi,Pakistan dhe Rusi, në SHBA dhe për Parlamentin Evropian. Shkencëtari amerikan i kompjuterave dhe kritiku i mediave sociale Jaron Lanier është i shqetësuar: "Do të ketë gjithnjë e më shumë gënjeshtra serioze duke përdorur inteligjencën artificiale dhe teknologji të tjera të reja të aplikuara për të manipuluar njerëzit. Dhe nuk mendoj se shumë njerëz do të jenë të përgatitur," tha ai në një intervistë me DW.

Reagon politika

Politika duket se ka ardhur në vete dhe po përpiqet të arrijë hapin me gjigantët e teknologjisë. Në vitin 2022, Bashkimi Evropian miratoi Ligjin për Shërbimet Digjitale. Qëllimi është të hiqet më shpejt përmbajtja e paligjshme, siç është gjuha e urrejtjes. Në të njëjtën kohë, ai duhet të mbrojë më mirë të drejtat themelore të përdoruesve - duke përfshirë lirinë e fjalës.

Gjithashtu, studiuesit më në fund duhet të kenë akses në të dhënat e gjigantëve të internetit. Studiuesi i rrjeteve sociale me bazë në Berlin, Philipp Lorenz-Spreen gëzohet: "Diçka po ndodh në fushën e transparencës, që më në fund mund ta hapim pak atë kutinë e zezë dhe të shohim se si funksionon ajo makineri."

Sido që të jetë, ato janë shumë fitimprurëse. Kompania mëmë e Facebook-ut, Meta, e cila zotëron gjithashtu Instagramin dhe WhatsApp-in, fitoi aq shumë para nga reklamat në tremujorin e fundit të 2023, sa vendosi të paguajë dividentë për aksionerët e saj për herë të parë në 20 vjetorin e saj. Të paktën ata mund të kenë diçka për të festuar.

 

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë