1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

20 vjet histori suksesi: Fondacioni gjerman NEHEMIA në Pogradec

21 Prill 2011

Fondacioni gjerman NEHEMIA ka ngritur një rrjet qendrash edukimi dhe mbështetje sociale për fëmijët dhe të rinjtë pranë qytetit të Pogradecit. Ai është ndërkohë pjesë e historisë së qytetit.

Nehemia Albanien besucht Deutschland
Studentë shqiptarë të universitetit NEHEMIA vizitojnë BerlininFotografi: Nehemia Universität

Saimir Rushiti prej dy viteve ka nisur të mësojë të luajë në klarinetë. E ka marrë me shumë pasion dhe dëshiron që të bëhet një instrumentist i mirë. Ai është njëri prej nxënësve të Shkollës Amaro Tan, një institucion edukues për fëmijët në nevojë i ngritur nga Fondacioni NEHEMIA në qytetin e Pogradecit. “Në këtë shkollë kam qënë që nga klasa e parë dhe aty përfundova 9 vjeçaren. Tani Fondacioni po më ndihmon që të vazhdoj dhe shkollën e mesme për muzikë në qytetin e Korçës”.

Saimiri është njëri prej 110 fëmijëve që ndjekin ose e kanë përfunduar shkollën Amaro Tan të NEHEMIA-s. Ky nuk është institucioni i vetëm arsimor i Fondacionit që njihet nga Ministria e Arsimit. Ka dhe një rrjet shkollash e kopshtesh, si dhe Universitetin NEHEMIA. Fondacioni ka dy dekada që zhvillon aktivitet në Shqipëri. Fillimisht duke mbështetur në ndihma humanitare dhe tashmë me projekte zhvilluese në fushën e arsimit, punën sociale dhe zhvillimin e komunitetit.

Një studente e Universitetit NEHEMIAFotografi: Nehemia Universität

Nga dhënia e guximit tek vizioni për të ardhmen

Drejtori i Përgjithshëm i Fondacionit, Arnold Geiger e thotë me krenari se historia 20 vjeçare e NEHEMIA-s në Shqipëri, është historia e jetës së tij. Ai ishte vetë në vitin 1991 kur mbëriti në vendin që sapo ndahej nga diktatura gati gjysëm shekullore, për të nisur proceset demokratike dhe integrimin europian. Duke e ndarë në disa etapa kontributin e NEHEMIA-s në Shqipëri ai thotë se në fillim të viteve '90 u ofrua guximi dhe bujaria; në vitin e trazuar 1997 u dha shpresë dhe besim; në krizën e Kosovës dha përkrahje dhe zemërgjerësi; ndërkohë që aktualisht shfaq qëndrueshmëri dhe vizion për më tej. “Ka një rritje në Shqipëri. Kjo është vërtet shumë e dukshme. Unë udhëtoj kudo dhe kam parë se njerezit kanë angazhim dhe objektiva”, thotë Geiger për DW, duke veçuar bashkëpunimin e ngushtë me pushtetin lokal në Pogradec gjatë dy dekadave të fundit.

Pse e duan maturantët NEHEMIA-n

Ymer Duka, është bashkëpunëtor i Fondacionit NEHEMIA për rrethin e Durrësit. Ai është afruar me këtë organizatë që në vitin 1995. Ai kujton angazhimin e jashtëzakonshëm në kohën e krizës së Kosovës në vitin 1999, kur bashkë me miq të tij në Fondacion morën nën kujdes rreth 120 vetë, për t'i trajtuar ata me ngrënie, fjetje, ndihmë psikologjike, zhvillimin e aktviteteve argëtuese etj - thotë Ymer Duka për DW. “Kemi patur një qëndër pritjeje në Shijak. Ishte një magazinë e vjetër buke dhe aty kemi ngritur mencën dhe ambientet ndihmëse për ata që u sistemuan aty, në mënyrë që ata të ndihen mirë”.

Kurse Greta Muço është maturante në shkollën e mesme NEHEMIA dhe shpreh dëshirën që të vazhdojë ashtu si e motra Universitetin që është po strukturë e Fondacionit. “Më pëlqen se është në degën ekonomike, se është dual, d.m.th. edhe teorik edhe praktik, dhe se leksionet e seminaret bëhen në gjuhën angleze dhe me profesorë të huaj”, thotë Greta për DW-në.

Për zëvendësambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, Jurij Aston, ajo që ka ndodhur me NEHEMIA-n në Pogradec është një tregues se projektet e mëdha mund të bëhen edhe jashtë kryeqytetit. “E them me bindje se ky Fondacion është pjesë e historisë së këtij qyteti, një qytet që ka marrë dhe mjaft mbështetje me projekte konkrete nga Gjermania, si për sistemin e ujësjellës kanalizimeve, apo për mbrojten ekologjike të Liqenit” - shprehet Aston.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Lindita Arapi

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW