200 vjetori i lindjes së Liszt-it
21 Tetor 2011
«Prirja ime për katoliçizmin i ka rrënjët në fëmininë time dhe është bërë një ndjenjë, që mbizotëron tek unë.» Këtë fjali ka shkruar në vitin 1863 një gjeni i muzikës asokohe 51 vjeçar, për të cilin askush nuk do ta besonte një gjë të tillë nisur nga sitili i tij i jetesës plot afera dhe preferenca për luks: Eshtë fjala për Franz Liszt. Sivjet ai ka një jubile të dyfishtë: para 200 vjetësh më 22 tetor 1811 ai lindi në fshatin hungarez Raiding. Përpara 125 vjetësh, më 31 korrik 1186, ai ndërroi jetë në Bajrojt.
Liszt ishte një kompozitor dhe një njeri, që e shijonte jetën, ai ishte si të thuash "një popstar" i shekullit të 19-të. Krahas artit të tingujve ai i përkushtohej botës së damave. E megjithatë në moshën e mesme ai u tërhoq në një manastir roman.
Profetizimi i një dhuntie të jashtëzakonshme
Sipas legjendës së familjes qysh para lindjes është parashikuar rëndësia e Franz Liszt-it: «Një cigane» duhet t'i ketë profetizuar nënës së tij shtatzënë, me shfaqjen e "kometës së madhe në vitin 1811", se do të lindë një djalë të destinuar për madhështi.
Franz ishte i vetmi djalë i Adam Liszt (1776-1827), një nëpunës administrate në shërbim të princit Esterhazy dhe gruas së tij Maria Anna (1788-1866). Prindërit shumë shpejt ishin të vetëdijshëm për dhuntinë e jashtëzakonshme të djalit të tyre. Shumë shpejt i jati luajti rolin e nxitësit të rreptë ngjashëm si Leopold Mozart për Wolfgang Amadeus-in. Në vjeshtën e vitit 1820 Franz si nëntëvjeçar u prezantua për herë të parë në publik në Edenburg/Sopron dhe në Presburg/Bratislavë si interpretues dhe improvizues.
Me babain e tij ai udhëtoi shtatorin e vitit 1823 për në Paris, ku «Petit Litz» entuziazmoi publikun. Në këtë mënyrë nisi jeta poliglote e tij nëpër sallone dhe salla koncertesh, epiqendra e së cilës ishte Parisi. Veçanërisht damat pariziene ishin të mrekulluara prej atraktivitetit muzikor dhe ekstrentrizmit të Liszt-it. «Njëra pas tjetrës atyre u binte të fikët në koncertet e tij. Liszt kishte një efekt, që në kohën tonë është konstatuar me Elvis Presley dhe Beatles», vëren kleriku Quirinus Greiwe në një portret të Liszt-it.
Përkushtimi ndaj fesë
Në aspektin fetar tërheqin vëmendjen dy kapituj të biografisë së shumëanshme të Liszt-it: Një kapitull i veçantë është viti 1827, vdekja e babait 50 vjeçar. Franz u tërhoq nga shkëlqimi i sallave të koncerteve dhe filloi të japë mësim. Një dashuri e pafat e shtyu 17 vjeçarin drejt literaturës fetare dhe filozofisë. Ai vendosi kontakte me dijetarë të mëdhenj si Victor Hugo, Honore de Balzac dhe Heinrich Heine. Por influencën më të madhe ai e pati nga iluministi Abbe Felicite de Lamennais, librin e të cilit «Paroles d'un croyant» (Fjalët e një besimtari) Liszt e lexonte me entuziazëm. Ai vendosi të bëhej vetö prift.
Pas viteve të endjes me aktivitete artistike dhe turbullira private në Zvicër, Itali e Gjermani ai u vendos me të dashurën e tij Carolyne zu Sayn-Wittgenstein në Romë.
Martesën Liszt e kishte planifikuar për ditëlindje me rastin e 50 vjetorit, por kjo nuk u realizua: Për shkak të aferave të muzikantit, princesha refuzoi. Këtej e tutje Liszt iu përkushtua më intensivisht muzikës sakrale. Deri në 1870 ai qëndroi në Romë dhe në përshtatje me "dy shpirtrat në kraharorin e tij" ai bënte një jetë sa mondane, aq edhe pjesërisht jetën e manastirit si murg.
Ndarja nga gjeniu i muzikës
Në 1863 ai u tërhoq në një manastir në Monte Mario, ku atë ndër të tjerë e vizitoi edhe Papa Piu i IX. Pas udhëtimeve të mëtejshme nëpër koncerte në vitin 1865 Liszt u prit nga Papa personalisht, i cili e shuguroi atë sipas urdhërit të ulët, duke e shpallur një klerik, jo sipas celibatit.
Por ai nuk mund të shkëputej tërësisht nga jeta e mëparshme. Ai sërish udhëtoi nëpër koncerte, vazhdoi t'u përkushtohej damave dhe jetonte në Romë, Budapest e Vajmar. Volumi i veprave të tij muzikore të inspiruara prej besimit është i jashtëzakonshëm: krahas 65 veprave korale kishtare bëjnë pjesë edhe kompozimet religjioze për piano. Vepra më e shquar është Missa solemnis (1856), e cila krahas meshës së Anton Bruckner-it, konsiderohet ndër veprat kulmore të muzikës kishtare të shekullit të 19-të.
Gjatë një udhëtimi për në festivalin e Wagnerit në Bajrojt më 31 korrik 1886 Liszt ndërroi jetë. Pak ditë më pas më 3 gusht ai u varros në Bajrojt.
Autor: V.Filaj-Ballvora (dpa, kna)
Redaktoi: A Verbica