1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

051211 Zielmarke Menschenrechte UN

10 Dhjetor 2011

Për Komisaren e Lartë të Kombeve të Bashkuara në çështjet e të drejtave të njeriut, Navi Pillay, viti 2011 ishte një vit i jashtëzakonshëm. Kudo në botë shumë njerëz dolën hapur në mbrotje të të drejtave të tyre.

Takim i Këshillit të OKB për të drejtat e njeriut në Gjenevë
Takim i Këshillit të OKB për të drejtat e njeriut në GjenevëFotografi: dapd

„Në Tunizi, Kajro, Bengasi dhe Dara 'a, miliona njerëz nga të gjitha shtresat e shoqërisë u angazhuan në mbrojtje të dinjitetit të tyre njerëzor. Dhe më vonë kjo ndodhi, megjithëse në një kontekst tjetër, edhe në Madrid, Nju Jork, Londër, Santiago dhe gjetkë. Këta njerëz e shkundën nga pluhuri Deklaratën e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe kërkuan "Liri nga frika dhe liri nga nevoja".

Edhe Theodor Rathgeber nga "Forumi për të drejtat e njeriut", bën një bilanc pozitiv për vitin 2011, megjithëse jo kaq euforik. Rathgeber merr pjesë për 50 organizatat joqeveritare në takimet e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë. „Ajo që ishte për tu përmendur këtë vit, ishte një erë e freskët në Këshillin e të drejtave të njeriut. Këshilli nxorri një rezolutë kundër Iranit dhe mori vendim për të monitoruar Bjellorusinë. Kjo ka qenë gati një sensacion i vogël, nëse e krahason me fillimet e Këshillit të të drejtave të njeriut.“

Komisarja e Lartë të Kombeve të Bashkuara në çështjet e të drejtave të njeriut, Navi PillayFotografi: AP

Një sensacion shkaktoi edhe takimi i posaçëm i Këshillit të të drejtave të njeriut për gjendjen në Libi, në fund të shkurtit. Ambasadori libian në Gjenevë, u distancua gjatë zhvillimit të debateve nga regjimi i Gaddafit. Këshilli e hoqi Libisë anëtarësinë. Të dyja këto ngjarje nuk kanë ndodhur asnjëherë në 60 vjetët e historisë së këti organizmi të OKB-së.

Në muajin nëntor këshilli i dha fund raundit të parë të një procesi që kishte filluar në vitin 2006 për kontrollin periodik të situatës së të drejtave të njeriut në të gjitha 194 vendet anëtare të OKB-së. Edhe këtu Rathgeber bën një përmbledhje pozitive. "Unë vlerësoj që të gjitha shtetet morën pjesë në të, duke prezantuar raportet e të drejtave të njeriut në vend. Komisionet e pakteve të KB, nuk e kanë arritur nje rezultat të tillë. Aty raportet vijnë me tetë deri dhjetë vjet vonësë. Ky proces i ri ka sjellë një lloj detyrimi."

Edhe pjesëmarrja në debatet për raportet e prezantuara nga 194 qeveri ishte shumë intensive. 160 vende sollën 20 mijë kërkesa shtesë. Në shumë raste pati raporte të tjera kritike të organizatave joqeveritare, ndaj të cilave përfaqësuesit e qeverive të vendeve të prekura duhet të reagonin duke dhënë mendimin e tyre para Këshillit për të drejtat e njeriut.

Theodor RathgeberFotografi: Theodor Rathgeber

Për Komisaren e Lartë të KB, Navi Pillay ky sukses i konstatuar tek të drejtat e njeriut, sidomos në Afrikë dhe në Lindjen e Afërme u bë i mundur nëpërmjet përdorimit të mjeteve të reja të komunikacionit dhe medieve sociale. "Qeveritë e humbën monopolin në përhapjen e informacioneve kështu që nuk mund të ushtrojnë më censurë. Në vend të tyre, ne mund të përjetojmë sot fate reale dhe luftime reale që ndodhin në kohën e transmetimit. Kjo është një përvojë e mirë. Në vitin 2011, të drejtat e njeriut u përhapën si virus."

Autor: Andreas Zumach/ Aida Cama

Redaktoi: Mimoza Kelmendi