1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

2016 - Viti i kanabisit: Varfëria josh shqiptarët për drogën

16 Dhjetor 2016

Viti 2016 u përmbyt me lajme për shkatërrrim të parcelave të kanabisit apo gjetjen e drogës. Sa më shumë shkatërrohej, aq më shumë mbillej. Disa e shohin madje si mundësi punësimi.Po e humb Shqipëria luftën me drogën?

Albanien Cannabisanbau
Ish-pularia si magazinë droge në RrëshenFotografi: DW/L. Arapi

Një rrugë e pashtruar, ende e mbushur me pellgje nga shiu i fundit të çon drejt ca barakave në afërsi të qytetit Rrëshen. Po bie muzgu. Errësira është mbuloja e duhur që ish-punëtoret e kanabisit të flasin. Ato duket se ende kanë frikë, pas aksionit të fundit policor të para pak javëve, kur policia me një aksion të befasishëm e paralizoi të ashtuquajturin laboratorin e drogës në afërsi të qytetit Rrëshen. 4,2 tonë drogë pastrohej, thahej dhe paketohej në pularinë e dikurshme, fare pak kilometra larg qendrës së qytetit Rrëshen.

Mira und Rita (emrat e ndryshuar) ishin të papuna, para se të fillonin punën tek kjo magazinë për pak më shumë se 10 euro në ditë. „Më besoni ose jo, ne e bëmë për bukën e gojës për fëmijët", ankohet Mira, një grua rreth të 50-ve me flokë të prera shumë shkurt. Ajo është e zemëruar: Për ata atje lart, që nuk e çajnë kokën për të varfrit, për policët, „që fitojnë më shumë se ne", për bosët e drogës. „Na u tha që ishte sherebelë", betohet ajo, duke shtuar se nuk e dinte, që po thante kanabis.

Të punësohesh në industrinë e kanabisit?

Ndërsa Rita një bjonde e re, rrëfen se ishte gëzuar shumë fillimisht që kishte gjetur më në fund punë. Ajo përkëdhel vajzën 5-vjeçare. „Nuk dija gjë, të betohem, deri sa pashë policinë brenda", shton ajo. Mund të kesh ndoshta dyshime për atë, se këto dy gra nuk dinin gjë se punonin në një magazinë kanabisi, por jo për gëzimin për punën e gjetur. Mjafton një vështrim në shtëpinë e tyre për ta kuptuar këtë: Brenda çatia pikon, ngrohje nuk ka, jashtë radhiten kapulët me plehra.

Varfëria nxit të papunët të punojnë në magazina kanabisiFotografi: DW/L. Arapi

Megjithë premtimet patetike, qeveria shqiptare nuk i ka dalë të zbusë varfërinë e shtresave të thjeshta në Shqipëri në këto vite. Papunësia është e lartë, ndërsa ndihma ekonomike për familjet në nevojë shumë e ulët: 75 Euro për familje në muaj. A është kjo një ndër arsyet pse fermerë në vështirësi dhe të papunë vendosin të kthehen në kultivues të kanabisit?

Kryetari i Partisë Demokratike në opozitë, Lulzim Basha shikon tek përhapja e mbjelljes së kanabisit ndër të tjera edhe një problem social. „E vërteta është se mijëra shqiptarë nuk kanë alternativë tjetër, sepse mungojnë masat ekonomike dhe sociale të qeverisë, sidomos për zonat rurale. Njerëzit janë para alternativës, bukë për fëmijët ose drogën. Për fat të keq, shumë kanë zgjedhur alternativën e dytë."

Më shumë se 2,5 milionë rrënjë të shkatërruara në 2016-n

Duket një pazar i lehtë për bosët e drogës të gjejnë punëtorë për tharje, paketim apo për mbjelljen e kanabisit. Në magazinën e drogës pranë Rrëshenit punonin të ardhur edhe nga qytete të tjera. Sipas burimeve të Deutsche Welles, nëse një kultivues kanabisi arrin ta shpëtojë parcelën nga kontrollet e policisë, e shet kilogramin për rreth 200 Euro. Në Europë pastaj çmimet rriten. Shpesh droga mbillet në zona malore, disa kultivues madje kanë zhvilluar sisteme ujitjeje, e i ruajnë parcelat me armë.

Kreu i PD-së, Lulzim BashaFotografi: DW/Auron Dodi

Droga nuk është një fenomen i ri. Edhe më parë, Shqipëria njihte Lazaratin, apo zonën e Malësisë së Shkodrës si zona ku mbillej drogë, por viti 2016 mund të quhet viti i kanabisit në Shqipëri për shkak të masivizimit në të gjithë vendin. Sipas Policisë së Shtetit janë shkatërruar më shumë se 2,5 milionë rrënjë, 5204 parcela janë identifikuar me ndihmën e palës italiane. Drejtori i Përgjithshëm për Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit, Altin Qato, e kundërshton perceptimin se situata ka dalë jashtë kontrollit. „Ky është një numër më i madh se viti i kaluar, kjo ka krijuar një kontekst, sikur situata mund të ketë dalë jashtë kontrollit. Ne e argumentojmë këtë me një organizim më të mirë të policisë për kontrollin e territorit, duke rritur numrin e forcave të policisë, të aktivizuar për të goditur këtë aktivitet, kemi rritur bashkëpunimin me partnerë të tjerë ndërkombëtarë, sidomos me qeverinë italiane."

Drejtori i Përgjithshëm për Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit, Altin QatoFotografi: Policia e Shtetit

Por opozita e akuzon qeverinë se kanabisi lulëzoi këtë vit edhe për një arsye tjetër. Sipas saj ekziston një aleancë e disa segmenteve shtetërorë me kriminalitetin e organizuar. „Nuk ka shqiptar që të besojë se kjo mund të ndodhte pa implikimin e segmentëve të politikës, policisë. Ka pasur investigime të medias, që tregojnë se si segmente të policisë janë të domosdoshëm për të garantuar kultivimin, e trafikimin e kanabisit e se kjo ndodh me mbështetje e mbrojtje politike nga lart", thotë kreu i PD-së, Lulzim Basha.
 

Hije mbi segmentë të policisë

Gazetari Elvis Nabolli, kryeredaktor i televizonit „Rozafa" në Shkodër, i saponderuar me Çmimin e Ekcelencës për Gazetari Investigative nga platforma BIRN ka hulumtuar gjatë mbi fenomenin e kanabisit në Shëipëri. Sipas të dhënave të tij, mbjellja e kanabisit është një lojë e rrezikshme për fermerët e thjeshtë, por jo për bosët e saj."Kam pasur biseda me persona të lidhur me këtë industri, duhet të theksohet se kjo industri kontrollohet nga njerëz të fuqishëm, me lidhje të konsiderueshme me përfaqësues të shtetit, duke nisur nga policë të thjeshtë, deri tek shefa që kanë lidhje me hallka në shtet."

Por drejtori në Policinë e Shtetit, Altin Qato nuk i pranon hijet që hidhen mbi policinë, që sipas tij ka punuar këtë vit më shumë se kurdoherë tjetër. „Kemi hasur edhe raste, kur elementë të veçantë kanë bashkëpunim, por ky nuk është fenomen. Ne nuk e shmangim përgjegjësinë e punonjësve të policisë, ka punonjës të veçantë, të implikuar në këtë aktivitet por ne kundërshtojmë se nuk është si fenomen."

Gazetari investigativ, Elvis NabolliFotografi: privat

Sa raste të identifikuara ka për implikim të policëve? Drejtori Altin Qato thotë për Deutsche Wellen se „për momentin që flasim kemi rreth 40 procedime penale të punonjësve të policisë, 8 prej tyre janë të arrestuar, janë rreth 43 procedime displinore që sipas informacioneve tona, ata nuk kanë vepruar."

Ndërkohë dimri ka mbërritur edhe në Shqipëri. Kjo do të thotë, se nuk raportohet më për shkatërrim të parcelave të kanabisit, por më shumë për konfiskimin e drogës. „Të vjelat" kërkojnë rrugëdaljen përmes Adriatikut drejt Italisë, e shtigjeve tokësore drejt Malit të Zi e Serbisë për të kaluar pastaj në Europë. Shqipëria po kthehet në një „Kolumbi" të Europës, akuzon opozita. Por lajme të tilla nuk u interesojnë edhe aq shumë dy punëtoreve të kanabisit, Ritës dhe Mirës. Ato duan të sigurojnë bukën e fëmijëve. „Po qe se do të kishim prapë një shans të tillë, ne prapë do të shkonim”, thonë  ato. Në Shqipëri luftohet për mbijetesë.