1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëAmerika e Veriut

250 vjet marrëdhënie Gjermani-SHBA

4 Korrik 2026

Nga emigrantët gjermanë në SHBA, dy luftërat botërore, e deri te Donald Trump dhe rrënjët e tij gjermane marrëdhëniet 250-vjeçare gjermano-amerikane janë të larmishme dhe komplekse.

Një performuese rodeoje në panairin “Great American State Fair”, me rastin e 250-vjetorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës
Panairi “Great American State Fair” me rastin e 250-vjetorit të Shteteve të Bashkuara të AmerikësFotografi: Allison Bailey/NurPhoto/picture alliance

Që nga themelimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vitin 1776 gjermanët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në këtë vend. Sipas sondazheve qytetarët amerikanë me prejardhje gjermane përbëjnë madje grupin më të madh etnik në SHBA. Nga ana tjetër ndikimi i SHBA-së në Gjermani, veçanërisht që nga shekulli XX, ka qenë shumë i madh dhe kjo vazhdon edhe sot. Aktualisht marrëdhëniet janë të tensionuara. Kjo lidhet kryesisht me Donald Trumpin, ndoshta presidentin më pak të pëlqyer të SHBA-së në Gjermani, paraardhësit e të cilit gjithashtu vinin nga Gjermania. Por marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë më tepër se vetëm politikë.

Një oficer prusian në Luftën për Pavarësi

Oficeri prusian Friedrich Wilhelm von Steuben shkoi në Amerikën e Veriut në vitin 1778 dhe luftoi në pozicione drejtuese kundër pushtetit kolonial britanik gjatë Luftës Amerikane për Pavarësi.

Në këtë pikturë (majtas) është presidenti i ardhshëm i parë i SHBA-së, George Washington, së bashku me Steubenin (i treti nga e majta) dhe oficerë të tjerë. Fotografi: History/Bildagentur-online/picture alliance

Që nga viti 1957 për nder të tij organizohet çdo vit Parada Steuben në Nju-Jork.

Punonjës gjermanë në SHBA

Dhjetëra-miliona gjermanë emigruan në SHBA, veçanërisht gjatë shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX. Ndër ta kkishte edhe mjekë gjermanë që arritën në vitin 1912 në qendrën e pritjes në Ellis Island, në lumin Hudson.

Mjekë gjermanë mbërrijnë në vitin 1912 në qendrën e pritjes në Ellis Island, në lumin Hudson.Fotografi: Heritage Art/Heritage Images/Bain News Service/IMAGO

Në një sondazh të vitit 2022, rreth 50 milionë qytetarë amerikanë deklaruan se prejardhja e tyre kryesore ishte "gjermane”. Kështu amerikanët me prejardhje gjermane përbëjnë grupin më të madh etnik në SHBA.

Trupat amerikane kundër Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore

Dy luftëra botërore, në të cilat amerikanët luftuan kundër gjermanëve, i vunë marrëdhëniet mes dy vendeve në një provë të vështirë. Në të ashtuquajturën D-Day, më 6 qershor 1944, ushtarët amerikanë zbarkuan në Francën e pushtuar nga Rajhu Gjerman.

Ushtarë amerikanë gjatë zbarkimit në Ditën D (D-Day) në Francë, Normandi në vitin 1944.Fotografi: Fox Photos/Hulton Archive/Getty Images

Së bashku me aleatët e tjerë, ata çliruan Evropën dhe vetë gjermanët nga nacional-socializmi, edhe pse jo të gjithë gjermanët e përjetuan atëherë këtë si çlirim.

Gjatë pushtimit amerikan të Gjermanisë marrëdhëniet dashurore midis ushtarëve amerikanë dhe grave gjermane ishin rreptësisht të ndaluara. Megjithatë ky ndalim u hoq më 22 korrik 1945.

Gjatë pushtimit amerikan të Gjermanisë marrëdhëniet dashurore midis ushtarëve amerikanë dhe grave gjermane ishin rreptësisht të ndaluara. Fotografi: TT/IMAGO

Dhe sipas vlerësimeve 15.000 deri në 20.000 gra gjermane u martuan gjatë dhe menjëherë pas luftës me ushtarë amerikanë të forcave pushtuese. Numri i fëmijëve nga këto lidhje, shpesh të papranuar zyrtarisht, vlerësohet të jetë midis 100.000 dhe 220.000.

Elvis Presley në Gjermani

Kur Elvis Presley filloi shërbimin ushtarak në Gjermani në vitin 1958, ai ishte tashmë yll ndërkombëtar i muzikës pop. Ai mishëronte stilin e jetës dhe frymën e një brezi të tërë, edhe në Gjermani. Në këtë mënyrë, ai u bë një ambasador jozyrtar i vendit të tij në Republikën Federale të Gjermanisë.

Elvis Presley ushtar në Gjermani Fotografi: AP

"Mbreti i Rock'n'Roll”-it e ka kryer shërbimin ushtarak në Friedberg. Në Bad Nauheim të landit Hessen, ku Elvisi jetonte në atë kohë, ekziston prej kohësh një rrugë që mban emrin e tij: Elvis-Presley-Straße.

Presidenti John F. Kennedy: "Unë jam berlinez”

Në vitin 1963, Berlini ishte i ndarë prej dy vitesh nga muri në sektorin lindor sovjetik nga tre sektorët perëndimorë. Pikërisht atëherë presidenti amerikan John F. Kennedy vizitoi Berlinin Perëndimor.

John F. Kennedy (majtas) së bashku me kryebashkiakun e Berlinit Perëndimor Willy Brandt (në mes) dhe kancelarin federal Konrad Adenauer.Fotografi: picture alliance/AP

Me këtë vizitë dhe me fjalinë e tij që tha në gjermanisht: „Ich bin ein Berliner" ("Unë jam berlinez”), ai shprehu angazhimin e SHBA-së për mbrojtjen e Berlinit Perëndimor.

"Mënyra amerikane e jetesës” dhe gjermanët

Ndoshta pak gjëra në kulturën e përditshme përfaqësojnë aq shumë "Amerikën” sa Coca-Cola, dhe gjermanët e kanë përqafuar me dëshirë këtë simbol. Madje në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës: si tregon fotografia e kancelarit federal Willy Brandt, i cili gjatë një pushimi në plazhet e Floridës në vitin 1972, pi një kanaçe Coca-Cola. Vetëm kapela e tij nuk duket se përshtatet plotësisht me stilin amerikan.

Kancelari gjerman Willy BrandtFotografi: Horst Ossinger/dpa/picture alliance

"Mënyra gjermane e jetesës”: makinat në San Francisko

Nga ana tjetër, për shumë amerikanë, ka pak gjëra që simbolizojnë Gjermaninë aq shumë sa automobilët e saj. Qysh në vitet 1950, Volkswagen (VW Käfer) ishte një sukses i madh eksporti në SHBA. Më vonë, sidomos automjetet premium të Mercedes, BMW, Audi dhe Porsche fituan popullaritet të madh.

SHBA, San Francisko 2026 | Një Mercedes në kryqëzimin e California Street dhe Powell Street.Fotografi: Rüdiger Wölk/IMAGO

Që nga vendosja e tarifave doganore nga presidenti Donald Trump, shumë kompani gjermane kanë zgjeruar prodhimin e tyre brenda SHBA-së për të shmangur taksat e importit.

Dyshja Merkel–Obama: vizione të ngjashme

Ndoshta marrëdhënia politike më e ngushtë mes udhëheqësve të Gjermanisë dhe SHBA-së ishte ajo midis kancelares Angela Merkeldhe presidentit Barack Obama.

Angela Merkel & Barack Obama në Samitin G7 në Alpet gjermane në vitin 2015Fotografi: Michael Kappeler/AP Photo/picture alliance

Të dy kanë ruajtur kontakte edhe pas largimit nga detyra dhe janë takuar privatisht. Në qershor 2026, Merkel mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Qendrës Obama në Çikago, ndërsa presidenti Donald Trump nuk ishte i pranishëm.

Trump dhe Merz: marrëdhënie të tensionuara pavarësisht afërsisë diplomatike

Që nga rikthimi i Donald Trumpit, marrëdhëniet transatlantike nuk janë më si dikur. Edhe pse kancelari Friedrich Merz e ka vizituar Shtëpinë e Bardhë tri herë dhe është përpjekur të shmangë përplasjet në temat më të ndjeshme, mosmarrëveshjet e hapura vazhdojnë.

Kancelari Friedrich Merz dhe presidenti amerikan Donald TrumpFotografi: Guido Bergmann/BPA/dts Nachrichtenagentur/IMAGO

Së fundmi, një konflikt i tillë u shfaq lidhur me luftën në Iran. Mbetet e paqartë nëse Trump do ta pranojë ndonjëherë ftesën e Merzit për të vizituar Gjermaninë.

E ardhmja e trupave amerikane në Gjermani është e pasigurt

Ushtarë amerikanë në kazermën Storck në Bavari. Që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore në Gjermani janë të stacionuara trupa amerikane. Aktualisht bëhet fjalë për rreth 37.000 ushtarë.

Ushtarët amerikanë së bashku me personelin civil dhe familjarët e tyre janë rreth 75.000 persona.Fotografi: Nicolas Armer/dpa/picture alliance

Së bashku me personelin civil dhe familjarët e tyre, komuniteti amerikan numëron rreth 75.000 persona. Pas mosmarrëveshjeve të fundit me kancelarin Merz, presidenti Trump ka njoftuar një reduktim prej të paktën 5.000 ushtarësh. Kjo ka shtuar dyshimet mbi garancitë amerikane për sigurinë e Evropës.

Kallstadt në Rajnland-Pfalc: vendlindja e gjyshit të Trumpit

Një shtëpi e thjeshtë në Kallstadt të Rajnland-Pfalcit. Këtu lindi gjyshi i Donald Trumpit, i cili emigroi në SHBA gjatë shekullit XIX. Në rast se Donald Trump do të vijë për vizitë në Gjermani, Kallstadt ka shumë të ngjarë se do të ishte një nga ndalesat e tij.

Shtëpia ku ka lindur gjyshi i Donald Trumpit, Kallstadt të landit Rajnland-Pfalc Fotografi: Michael Bermel/Eibner-Pressefoto/Imago

Megjithatë sipas shumicës së banorëve të fshatit, ai nuk është i mirëpritur atje. Në Gjermani, Donald Trump konsiderohet në shkallë të gjerë si një nga presidentët më të papëlqyer amerikanë në histori.

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW