3 Maj - Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit
3 Maj 2017Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, Kombet e Bashkuara kritikojnë "demonizimin" e mediave kritike në shumë vende të botës. "Shumë krerë qeverish e shohin gazetarinë si armik, reporterët si mashtrues, përdoruesit e Twitterit si terroristë dhe blogerët si blasfemues të zotit", është shprehur i ngarkuari i posaçëm i OKB-së për lirinë e shtypit, David Kaye.
Pa liri shtypi nuk ka demokraci
Ndërsa presidenti i Parlamentit Europian, Antonio Tajani theksoi në Bruksel se "demokracia e vërtetë nuk mund të ekzistojë pa lirinë e medias." ai shton se "si gazetar që kam qenë, e di se sa e rëndësishme të punosh në mënyrë të pavarur." Sipas tij gazetarët frikësohen jo vetëm në regjimet autoritare, por edhe në vende që "normalisht shihen si vende demokratike."
Ndërsa e ngarkuara e qeverisë gjermane për të Drejtat e Njeriut, Bärbel Kofler e cilësoi lirinë e shtypit si "kusht të pazëvendësueshëm" për zhvillimin e të drejtave të njeriut". "Nëse nuk lejohesh të raportosh për shkeljen e të drejtave të njeriut, si do informohesh për to?"
Amnesty International kërkoi lirimin e gazetarëve të arrestuar në Turqi. Në asnjë vend të botës nuk ndodhen të burgosur kaq shumë gazetarë, sa në Turqi, theksoi Sekretari i Përgjithshëm i AI për Gjermaninë, Markus N. Beeko.
Shoqata e Gazetarëve Gjermanë (DJV) shikon populizmin si "armikun modern të lirisë së shtypit". "Nëse gjithnjë e më shumë gazetarë përdorin gjuhën e populizmit, atëherë duhet që tek gazetarët të bien të gjitha këmbanat e alarmit", u shpreh kreu i DJV-s, Frank Überall.