30 vjet World Wide Web publik
8 Maj 2023Viti 1989 ishte vit ndryshimesh të mëdha. Një prej tyre ndodhi në kokën e Tim Berners Lee. Ky fizikant i qendrës së njohur botërore CERN në Gjenevë, nuk ishte i kënaqur me kaosin e madh në këmbimin e informacioneve midis institucioneve të ndryshme, grupeve të ndryshme të punës dhe grupeve projektuese. Ai gjeti zgjidhjen me anë të krijimit të një rrjeti digjital botëror informacioni, me të cilin shkencëtarët do të lidheshin me njeri-tjetrin.
Shkencëtari 34 vjeçar e shkruajti konceptin e tij në formë të shkurtuar. "Vague but exciting" - "E paqartë, por interesante", e komentoi shefi i tij këtë Memo. Me sa duket ideja e tij nuk ishte shumë e qartë. Sepse me të nuk u mor njeri fillimisht. Por Berners-Lee vazhdoi të vriste mendjen dhe krijoi pjesët e veçanta përbërëse të rrjetit digjital botëror, World Wide Web: Të ashtuquajturat URL për adresat e Web-it, HTML, për të përshkruar faqet e Web-it, pra për t'i programuar ato. Po ashtu duhet të funksiononte protokolli teknik HTTP për linqet dhe më në fund duhej krijuar edhe receta për një Webbrowser. Për publikun botëror ky zbulim mund të shihej pikërisht 30 vjet më parë: Më 30 prill 1993 shkencëtarët e CERN, hapën rrjetin digjital botëror, World Wide Web. Kështu filloi marshimi fitimtar i internetit. Nga pikëpamja teknologjike shumë pak gjëra kanë ndryshuar deri më sot.
Brockhaus-in e zë pluhuri në bibliotekë
Vajzës 13 vjeçare i duhet shpjeguar sot se në atë kohë nuk njihej as internet as smartphone. Në vend të bërjes së pazarit në qendër të qytetit, siç bëhej më parë, blerjet online plotësojnë sot çdo dëshirë. Volumet e Brockhaus i zë pluhuri në bibliotekë, sepse Wikipedia është parimisht adresa që kërkojnë të gjithë ata që duan të marrin informacione për revolucionin e 1789-ës ose për zbulimin e internetit. Kush kërkon një banesë, nuk shfleton më faqen e tretë ose të trembëdhjetë të gazetave të ditës, por kërkon në portalet e internetit dhe gjen aq shumë reklama, sa për të mbushur çdo lloj gazete.
Por ana tjetër e medaljes, për lidhjet me rrjet digjital është dizorientimi, fluksi i madh i informacioneve. Në rrjet të gjithë njerëzit mund të publikojnë dhe vlerësojnë pikëpamjet, idetë, produktet, mallrat dhe vizionet e tyre, dhe kjo ka qenë edhe ideja fillestare e rrjetit dhe funksionimit të tij. Donald Trump është një shembull i mirë për këtë gjë. Atij i mjaftoi mes të tjerash, një llogari në Twitter për të mbledhur një grup ndjekësish besnikë, megjithë informimet e gabuara, ose mbase për shkak të tyre.
Makinat e kërkimit si Google ose DuckDuckGo vërtet ndihmojnë sot që të ndash grurin nga kashta në një fushë të pafund informacionesh. Megjithatë koncernet e mëdha digjitale si Google, Apple, Facebook, Amazon dhe Microsoft janë koncerne botërore interesante, që ndjekin kryesisht interesa përfituese. Ata përfitojnë duke bërë strukturimin e internetit.
Një ide që nuk ka patur lidhje me Tim Berners-Lee. Ai mund ta kishte patentuar teknologjinë e tij të World Wide Web, por vendosi qëllimisht që të mos e bënte këtë. Uria për fitime ishte në kundërshtim me idealin e tij të këmbimit falas të informacioneve.
Niveli tjetër i Inteligjencës Artificiale
Hapi tjetër po ashtu brenda internetit sapo ka filluar. Është fjala për Inteligjencën Artificiale, (IA). Disa muaj më parë ChatGPT u bë shkak për të hapur një diskutim të ri. Mbas 30 vitesh internet, shtrohet pyetja a është ChatGPT e ardhmja e internetit? "Duke qenë model gjuhësor bazuar në IA, unë nuk mund të them me siguri nëse ChatGPT do jetë e ardhmja e internetit, sepse e ardhmja e internetit varet nga shumë faktorë dhe është vazhdimisht në transformim. Megjithatë ka disa karakteristika të ChatGPT dhe modeleve të ngjashme të IA, që kanë potencial të ndikojnë mbi internetin dhe ta ndryshojnë,” thotë software për veten e vet kur pyetet nga Deutsche Welle. Megjthatë e rëndësishme është të vëzhgohet nëse modelet e IA sjellin me vete edhe sfida etike, si për mbrojtjen e të dhënave, transparencën dhe përgjegjësinë.
Këtu hapi i ri i internetit lë për të dëshiruar. Sepse vërtet që ChatGPT mund të gjenerojë tekste që kanë lidhje me njëra tjetrën dhe tingëllojnë koherente sa i përket përmbajtjes, por burimet mbeten të pazbuluara. Ndryshe ka qenë puna me Tim Berners Lee 30 vjet më parë, ndryshe Sër Tim Berners-Lee. Faqja e parë e tij në internet ka pasur adresën: http://info.cern.ch/hypertext/WWW/TheProject.html
Ajo përmban edhe sot informacione bazë për World Wide Web: "Rrjeti WorldWideWeb (W3) është një nismë e gjerë hyper- mediatike për marrjen e informacioneve, nismë që synon krijimin e mundësive për të patur akses universal tek universi i madh i dokumenteve,” lexohet aty. Hypermedia vjen nga hypertekst dhe do të thotë tekste që kanë link, pra lidhje me tekste të tjera. Kështu krijohet një rrjet të dhënash, pa të cilin bota e sotme nuk do të mund të funksiononte.
Kush ka pyetje mund të fillojë një udhëtim në kohë. Në faqen e parë tëinternetit të publikuar në botë ekziston deri më sot një link për personat që marrin pjesë në projekt. Atje has Tim Berners-Lee, i cili ka marrë ndërkohë titull kalorsiak. Shkencëtari 34 vjeçar i atëhershëm ka pasur në CERN numrin e telefonit 3755, E-Mail: timbl@info.cern.ch.
Por Sir Tim Berners-Lee nuk mund ta kërkosh më tek CERN-i. Sot ai është profesor në Institutin e Teknologjisë (MIT) në Masaçusets, dhe që prej vitit 2016 drejton një katedër në Universitetin e Oksfordit. Deri më sot ai drejton konsorciumin e krijuaj prej tij World Wide Web Consortium (W3C), Organizmin për standartizimin e teknikave në World Wide Web. Kjo gjë mësohet me anë të disa klikimeve ose shprehjes së dëshirave me smartfon në internetin e tij.