1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

4000 hapa në ditë për një jetë më të gjatë

15 Gusht 2023

Ai që bën 10,000 hapa në ditë do të qëndrojë i shëndetshëm. Një meta-analizë tregon se shëtitjet edhe më të shkurtra janë të mjaftueshme. Po sa duhet të shëtisim në ditë?

Shetitja është gjysma e shëndetit!
Shetitja është gjysma e shëndetit!Fotografi: Michael Reichel/dpa/picture alliance

Lëvizja është e shëndetshme - kjo dihet dhe theksohet gjithmonë. Edhe një shëtitje e thjeshtë kontribuon shumë në qarkullimin më të mirë të gjakut, përmirëson metabolizmin, forcon sistemin imunitar dhe parandalon sëmundjet kronike.

Shëtitje në park me fëmijëFotografi: FRANK HOERMANN/SVEN SIMON/picture alliance

Ndërsa dikur numëroheshin kaloritë, sot numërohen hapat, më saktë: 10.000 hapa në ditë. Deri më tani, besohej se kushdo që ecën kaq shumë hapa në ditë - në varësi të gjatësisë së hapave, rreth gjashtë deri në tetë kilometra - mbetet në formë të mirë dhe është në gjendje më të mirë shëndetësore.

Meta-analiza hedh poshtë teorinë e 10.000 hapave

Për një kohë të gjatë, shkencëtarët kanë dyshuar në këtë vlerë të supozuar magjike prej 10.000 hapash. Një meta-analizë e re e publikuar në Gazetën Evropiane të Kardiologjisë Parandaluese tani tregon madje se të mjaftueshme për të reduktuar rrezikun e vdekjes së hershme janë edhe më pak se 4000 hapa në ditë. Sipas kësaj analize, mjaftojnë madje edhe 2.300 hapa në ditë për të ulur rrezikun e vdekjes nga sëmundjet kardiovaskulare.

Studiuesit analizuan gjithsej 17 studime të ndryshme dhe kanë pasur akses në të dhënat e mbi 227.000 njerëzve nga pjesë të ndryshme të botës. Ata zbuluan se ecja e përditshme është e lidhur ngushtë me shanset më të mira për të jetuar më gjatë dhe më shëndetshëm – pavarësisht nga mosha, gjinia apo vendbanimi.

Në thelb, sa më shumë të ecni, aq më mirë. Vetëm 1000 hapa në ditë reduktojnë rrezikun e vdekjes së parakohshme me 15 për qind, tregon kjo analizë. Ndërsa me 500 hapa, rreziku i sëmundjeve fatale të zemrës ulet me shtatë për qind. Prej 4000 e më shumë konsiderohet pra si një gjatësi ideale në ditë për të eliminuar në masë më të madhe rreziqet sëmundjet kardiovaskulare.

Shetitja pranë detitFotografi: Carsten Rehder/dpa/picture-alliance

Rregulli i 10.000 hapave vjen nga marketingu

Këto janë pra të dhënat e fundit nga meta-analizat për lëvizjen dhe gjendjen shëndetësore. Ndërsa rregulli i 10.000 hapave në ditë nuk është vërtetuar kurrë shkencërisht. Shkencëtarët mendojnë se kjo me siguri buron nga strategjia e marketingut të një kompanie japoneze, e bërë për qëllimet e veta.

Në vitin 1964, në kohën e Lojërave Olimpike në Tokio, kompania Yamasa prezantoi instrumentin e parë për matjen e hapave, të quajtur "Manpo-kei" - që do të thotë "numërues i 10.000 hapave". Ky numër hapash i mban njerëzit në formë dhe është shprehje e një stili jetese të shëndetshëm, shpjegoi prodhuesi në atë kohë. Kjo tezë u shndërrua shumë shpejt në një rekomandim të përgjithshëm - por më së voni ajo tani është hedhur poshtë. Sipas analizave të fundit, mjaftojnë edhe shumë më pak hapa në ditë, por me rëndësi është lëvizja e përditshme.

 

 

 

bc (ard)