1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

40.000 vjet heqje lirie për atentatorët e 11 marsit 2004 në Madrid

Pandeli Pani31 Tetor 2007

Tre vjet e gjysmë pas akteve terroriste ndaj katër trenave në Madrid, Gjykata Kombëtare e Spanjës shpall vendimet. Prej atentateve gjetën vdekjen 192 vetë dhe u plagosën mbi 1.800 të tjerë.

Gjyqtari Javier Gomez BermudezFotografi: AP

Tre prej 28 të akuzuarve për akte terroriste ndaj trenave më 11 mars të vitit 2004 në Madrit u dënuan me heqje lirie deri në 40.000 vjet. Një prej personave që dyshohej si një nga kryesuesit e grupit, që kreu veprat terroriste, u lirua. Prej dhjetë bombave që shpërthyen asokohe në Spanjë gjetën vdekjen 192 vetë dhe u plagosën 1841 të tjerë. Përgjegjësinë për këtë akt terrorist e mori përsipër Al-Kaida.

Nën masa të rrepta sigurie gjykatësi Havier Gomez Bermudes (Javier Gomez Bermudez) lexoi vendimin e trupit gjykues, në të cilin të akuzuarit dënohen për një sërë veprash penale.

Procesi ndaj 28 personave të akuzuar për aktet terroriste të Madridit ishte mjaft i vështirë. Trupit gjykues iu desh të shqyrtonte më tepër se 90.000 faqe dokumenta dhe të dëgjonte qindra dëshmitarë dhe ekspertë ligjorë. Disa prej seancave, ku ekspertët shpjegonin përmbajtjen e lëndëve eksplozive dhe mënyrën e ndërtimit të bombave, u ngjanin seminareve për studentët e përparuar të kimisë.

Asnjë shenjë pendese apo faji

Salla e gjygjit në MadridFotografi: AP

Asnjëri prej të akuzuarve nuk e pranoi fajin. Ata madje mohuan edhe se dokumenta të ndryshme ishin shkruar me dorën e tyre, apo se zërat e regjistruar nga përgjimi i telefonave ishin të tyret.

Kryeprokurori i çështjes Havier Zaragoza, mendon se materialet e mbledhura ishin të mjaftueshme për dënimin e tyre: “Këto janë prova dhe jo spekulime, prova për dënimin e të akuzuarve.”

Atentatorët u përpoqën jo vetëm që të hidhin poshtë çdo lloj lidhje të mundshme me atentatin, por madje u pëpoqën që ta kthenin procesin në qesharak. Pyetjes së gjykatësit nëse e ndjente veten fajtor apo të pafajshëm, njëri ndër të akuzuarit iu përgjigj "super jo fajtor, zotëria juaj". Fjalën "super" mbaje për vete, iu përgjigj kryetari i trupit gjykues Javier Gómez Bermúdez, i cili me autoritetin dhe natyrshmërinë e vet arriti ta mbyste që në qelizë çdo marifet apo taktikë.

Meqenëse ky proces kishte në Spanjë rëndësi të madhe politike - kryetari i trupit gjykues u ofroi mediave shumë akses gjatë procesit. Çdo minutë e procesit u transmetua në televizion dhe në internet.

Me dënimet e rënda ky rast për drejtësinë spanjolle mori fund. Gjithësesi ai nuk ka përfunduar për të gjithë. 19-vjeçari Antonio Utrera, i cili prej atentateve ka mbetur gjysmë i paralizuar thotë pas procesit: “Do të më pëlqente që shpallja e vendimit, t'i shuante ato që kanë ndodhur. Por t'i harrosh 192 vetë, kjo më duket egoiste."