1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

43 ministra takohen në Hamburg - Mijëra demonstrojnë kundër takimit të ASEM-it

Bernd Riegert28 Maj 2007

Në Hamburg të hënën (28.05) mijëra njerëz protestuan kundër takimit të ministrave të jashtëm evropianë dhe homologëve të tyre nga vendet e Azisë, shkurt ASEM. Protetsta u drejtua edhe kundër samitit të G8-ës që zhvillohet javën e ardhëshme në Heligendam të Pocdamit. Në këtë kuadër në Hamburg është zhvilluar edhe një takim mes ministrit të jashtëm të Gjermanisë dhe homologut të tij kinez.

Demonstratë kundër takimit të ASEM-it në Hamburg
Demonstratë kundër takimit të ASEM-it në HamburgFotografi: AP

Në përgjithësi të paqtë, sipas të dhënave të policisë, në qendër të Hamburgut marshuan rreth 4.000 demonstrues kundër globalizimit dhe takimit të ministrave të jashtëm evropianë dhe aziatikë. Pothuajse po aq shumë policë, që kishin ardhur edhe nga landet e tjera, ishin vënë në shërbim për të siguruar takimin Azi-Evropë.

Gjykata kushtetuese përmes një procedure të përshpejtuar vendosi, që vendi i takimit të bllokohej në një rreth prej 500 metrash nga frika e trazirave të dhunshme. Organizatorët e demonstratës patën ngritur padi, sepse ata donin të protestonin pikërisht përpara bashkisë, ku zhvillohej takimi. Demonstruesit, që u arrestuan, pasi hodhën qese me bojë dhe bomba me tym, manifestimin në Hamburg e shfrytëzuan si një provë të përgjithshme për demonstratën e madhe që është planifikuar të zhvillohet kundër samitit të G8-ës javën e ardhëshme në Heligendam.

Komisionerja e BE-së për politikën e jashtme, Benita Ferrero-Valdner, nuk ka mirëkuptim, për ata që demonstrojnë kundër bisedimeve politike mes 45 shteteve evropiane dhe aziatike: "Unë shtroj pyetjen, përse duhet një protetstë kaq e ashpër. Ne kemi diskutuar për të drejtat e njeriut dhe kjo çështje është në rendin e ditës. Lidhur me këtë po zhvillojmë një diskutim të hapur. Unë mendoj, se pa dialog nuk mund të arrish asgjë."

Në takimin e ASEM-it, ku marrin pjesë 16 shtete nga Azia, ndër to Kina, India, Japonia dhe Korea e Jugut, synohet të thellohet bashkëpunimi mes BE-së dhe Azisë në fushën e politikës, ekonomisë dhe të kulturës. Konfliktet tregtare, si dhe partneriteti strategjik në çështjet globale si ndryshimi i klimës dhe terrorizmi janë gjithashtu tema diskutimi. Ferrero-Valdner: "Ne kemi hyrë në dialog të ngushtë me ASEM-in, në radhë të parë edhe për të nxitur integrimin rajonal."

Vendime konkrete nuk do të merren në Hamburg. Edhe sa i përket mbrojtjes së klimës nuk ka lëvizje. Ministri i ri kinez i punëve të jashtme, Yang Jiechi gjatë një takimi bilateral me ministrin gjerman të punëve të jashtme, Frank-Valter-Shtajnmajer (Frank-Walter Steinmeier), në funksionin e këtij të fundit si kryetar i radhës së këshillit të ministravetë BE-së, theksoi, se Kina nuk do të përcaktojë objektiva të detyrueshme për mbrojtjen e klimës në kuadrin ndërkombëtar. Yang tha, se Kina nuk është përgjegjëse për ngrohjen e klimës. E megjithatë ne natyrisht jetojmë në të njëjtin planet dhe duam që të arrijmë zgjidhje të përbashkëta për të ardhmen, theksoi kreu i diplomacisë kineze.

Sa u përket çështjeve politike BE-ja është në përgjithësi në marrëveshje me vendin më të madh të ASEM-it, Kinën, e cila ka të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit, tha ministri i jashtëm gjerman Shtajnmajer. Grindja atomike me Iranin duhet të zgjidhet paqësisht. Eshtë biseduar për hapat e mëtejshëm: "Ne jemi të një mendimi, se duhet të rrisim presionin ndaj Iranit, për ta vënë atë në lëvizje që t´u përgjigjet kërkesave të bashkësisë ndërkombëatre dhe të Agjencisë Ndërkombëtare Atomike."