1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

50 Jahre OECD

22 Maj 2011

OECD-ja feston 50-vjetorin e lindjes. Transformimi që ka kaluar organizata në këtë gjysmëshekulli reflekton edhe transformimin e botës: Dikur ishte në fokus plani Marshall, ndërsa sot është strukturimi i globalizmit.

Logo OECD
Logo OECD

Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik njihet në Gjermani më së shumti nga studimet e famshme dhe të përfolura të saj që mbajnë emrin PISA. Që nga pragu i mijëvjeçarit të ri, OECD-ja ekzaminon në to çdo tre vjet, se sa mirë dinë të lexojnë nxënësit 15-vjeçarë të vendeve pjesëmarrëse dhe se sa të zotët janë ata në matematikë dhe shkenca natyrore. "Pikërisht në kohë krizash globale dhe sfidash të reja, OECD-ja është treguar një organizatë ndërkombëtare me kompetenca të larta që jep ndihmesë në përmirësimin e politikës në shërbim të një jete më të mirë", deklaron Heino von Meyer nga qendra e OECD-së në Berlin në një video jubilare dhe shton se «të gjithë e njohin studimin PISA në Gjermani».

Nota të këqija për Gjermaninë

Studimi krahasues ndërkombëtar PISA ("Programme for International Student Assessment") synon të tregojë se sa po i përgatisin sistemet e arsimit të vendeve të tyre të rinjtë e sotëm për mësimin e përjetshëm në një botë globale. Dhe meqënëse sa më të mira që të jenë rezultatet e nxënësve nëpër teste, aq më e lartë supozohet të jetë perspektiva e zhvillimit të tyre ekonomik, këto teste ndiqen me shumë vëmendje nga publiku. Por ja që pikërisht Gjermania, vendi i poetëve dhe mendimtarëve, deri tani ka dalë shumë keq në PISA. OECD-ja kritikon sidomos faktin që në Gjermani suksesi në jetë varet nga prejardhja kulturore dhe sociale. Ndaj kësaj kritike fondamentale të shoqërisë duhet të reagojë politika.

Studimi PISA 2010Fotografi: picture-alliance/dpa



Por, kush beson tani se OECD-ja në radhë të parë është një organizatë ndërkombëtare që merret me arsimin, gabon. Se si e sheh veten organizata, këtë e tregon videoja jubilare nga selia qendrore në Paris me rastin e 50-vjetorit të lindjes, që është vendosur në Youtube. Sipas kësaj, OECD-ja vepron «për të bashkëpunuar për një ekonomi më të mirë botërore» dhe kjo «në një botë, ku sfidat kombëtare dhe globale janë të ndërvarura si kurrë më parë». Si temat qendrore të kohës sonë përmenden çështja e energjisë dhe siguria e mjeteve ushqimore, përveç tyre edhe rrjedha globale e parave dhe mjedisi. OECD-ja është vendi ku shtetet takohen në partneritet «për t'u kujdesur për përparim global».

Në fillim ishte Marshall

Asnjë fjalë për të kaluarën nuk përmban kjo video jubilare, megjithëse OECD-ja i ka rrënjët në Evropën e shkatërruar pas Luftës së Dytë Botërore. Asokohe, në prill 1948, 18 shtete themeluan "Organizatën për Bashkëpunim Ekonomik në Evropë», shkurt OEEC, e cila do të hartonte një koncept të përbashkët për rindërtimin. Detyra kryesore ishte administrimi i parave nga plani Marshall. Ishte fjala për një shpërndarje sa më eficiente të 13 miliardë dollarëve amerikanë, që përfshinte programi ndihmës i SHBA-së për Evropën perëndimore. Vendet evropiane përfituese duhej të thoshin fjalën e vet dhe të bashkëhartonin projektet.

Nga ceremonia e inagurimit të ekspozitës në trenin e Planit Marshall në Shtutgart.Fotografi: picture-alliance/ dpa



Por edhe pas mbarimit të planit Marshall nevoja për të biseduar për çështje të politikës ekonomike mbeti. OEEC-ja u shndërrua në vitin 1961 në OECD. Me ndryshimin e emrit erdhi vetvetiu edhe hapja: "Nga Meksika deri në Japoni, nga Islanda deri në Zelandën e Re, anëtarët e OECD-së besojnë se kombet mund krijojnë mirëqenie me anë të tregtisë së lirë dhe investimeve", thuhet në videon jubilare në Youtube. Sot OECD-ja, që e ka selinë qendrore në Paris, bashkon 34 vende të rëndësishme të industrializuara, të cilat, siç thonë vetë, janë përqafuese të hapura të ekonomisë së tregut dhe demokracisë.

"Forum global për ide të reja"

Është një klub i vendeve të pasura dhe të zhvilluara. As edhe një shtet i vetëm afrikan nuk bën pjesë në të. As vendet në ekspansion industrial si Kina, India dhe Brazili nuk përfaqësohen. Kili është i vetmi shtet i Amerikës Jugore, që është anëtar. Me Rusinë po zhvillohen negociata anëtarësimi. Me gjithë ekskluzivitetin e saj, OECD-ja i jep të drejtën vetes të japë përgjigje globale ndaj pyetjeve të rëndësishme globale dhe të tërheq vëmendjen për partneritetet e shumta me vendet jo-anëtare dhe me organizata të tjera. OECD-ja është krenare që direktivat e saj kundër korrupsionit dhe për një qeverisje të mirë janë kthyer në kritere mbarëbotërore. Sipas sekretarit të përgjithshëm të saj, Angel Gurría, OECD-ja sot përkufizohet si "një forum global idesh të reja për të sjellë mirëqenie në vendet e zhvilluara dhe në zhvillim". Ajo është një platformë idesh dhe diskutimesh dhe më shumë mund të quhet një konferencë e përhershme ekspertësh se sa një organizatë ndërkombëtare.

Qoftë shëndeti ose shoqëritë në plakje, qoftë mirëqeverisja apo ekonomizimi i qëndrueshëm, vrimat për evazione fiskale apo rritja ekonomike globale, shanset dhe rreziqet e internetit apo siguria e arkitekturave financiare: OECD-ja ka një diapazon shumë të gjerë tematik. Në fakt gjithçka hyn tek ajo, përveç çështjeve të politikës së mbrojtjes. Mbi 200 komisione dhe grupe pune përkujdesen që organizata të publikojë çdo vit rreth 300 studime. Listat e klasifikimit të vendeve dhe studimet e krahasimit në shkallë ndërkombëtare tërheqin thuajse përherë një vëmendje të madhe në masmedia dhe i detyrojnë politikanët e vendeve anëtare që të veprojnë.

Nëpërmjet mësimit nga ai që supozohet si më i miri dhe me anë të trysnisë së kolektivitetit mendohet të nxitet përparimi dhe mirëqenia – sipas rregullave të ekonomisë demokratike e liberale të tregut. OECD-ja financohet nga kontributet e anëtarëve të saj dhe aktualisht ka një buxhet prej 342 milionë eurosh. Shtetet e Bashkuara të Amerikës paguajnë kontributin më të madh (rreth 25 përqind), të pasuar nga Japonia (16 përqind) dhe Gjermania (9 përqind).

Autor: S. Petersmann / A. Shuka
Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora