1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

65 vjet Izrael

Bettina Marx13 Maj 2013

"Nëse ju doni [një shtet të hebrejve] kjo s'është ëndërr", shkruante gazetari vjenez dhe themeluesi i sionizmit Theodor Herzl në 1902. Pa kaluar as 50 dhjet vjet vizioni i tij u bë realitet: u themelua shteti izraelit.

Fotografi: DW/Kostermans

14 maj 1948 ishte një ditë, që e tronditi Lindjen e Mesme. Në këtë ditë në një muzeum në Tel Aviv u shpall shteti i Izraelit. Disa fotografi të zbehura bardh e zi, regjistrime të turbullta filmike dhe një regjistrim radiofonik me ton si të gërvishtur dëshmojnë për këtë ngjarje. Këto fotografi tregojnë shefin e vetadministrimit hebre të Palestinës, David Ben Gurion. Mbi kokën e tij varet një portret i Theodor Herzl, themeluesit të sionizmit. Në dorën e majtë ai mban fletën me tekstin e deklaratës së pavarësisë.

"Në tokën e Izraelit u krijua populli hebre. Këtu u krijua qenia e tij shpirtërore, fetare dhe politike", deklaroi Ben Gurion. I dëbuar me dhunë populli hebre edhe në mërgim i qëndroi besnik atdheut të tij. Shpresa për kthimin në atdhe nuk u shua kurrë. Në mënyrë festive Ben Gurion proklamoi: "Ne deklarojmë themelimin e shtetit hebre në tokën e Izraelit. Ky është shteti i Izraelit."

Themelimi i shtetit të Izraelit, më 14.5.1948Fotografi: picture-alliance / akg-images

Në ditaret e tij kryeministri i parë i Izraelit më pas shkruante: "Mbledhja përfundoi duke kënduar Hatikva, himnin tonë kombëtar. Jashtë, në rrugët e Tel Avivit, populli kërcente."

Lufta e pavarësisë

Gëzimi për themelimin e shtetit ishte megjithatë i eklipsuar nga pritja e luftës që ishte në prag. Shtetet arabe e refuzuan vendimin e OKB-së të vitit 1947, për ta ndarë zonën nën mandatin britanik mes hebrejve dhe arabëve. Në këtë dokument hebrejve u garantohej më shumë se gjysma e Palestinës. Këtë territor duhej ta ndanin gati 500.000 banorë hebrej me 440.000 palestienzët. Kjo ishte një recetë e sigurtë për një tragjedi, që do të pasonte, thotë historiani izraelit Ilan Pappe. Për ta zhvendosur ekuilibrin demografik në favor të hebrejve, Ben Gurion vendosi, që të dëbojë një milionë palestienzë. Si rjedhojë u asgjësuan 530 fshatra palestineze dhe 11 qytete u shkatërruan. 750.000 palestinezë, më shumë se 80% e popullsisë, u larguan asokohe nga atdheu i tyre. Ata u arratisën në vendet arabe fqinjë ose në territore, ku nuk dominote Izraeli, në Jordanin Perëndimor dhe në Gazë.

Lufta gjashtëditore dhe pasojat e saj

Por më pak se njëzet vjet më pas, në luftën gjashtëditore në vitin 1967, Izraeli e shtriu sundimin edhe në këto territore. Mes 5 dhe 10 qershorit 1967 trupat izraelite mposhtën ushtritë egjiptiane, të Jordanit dhe të Sirisë dhe morrën Jordanin Perëndimor, Rripin e Gazës dhe kodrat Golan nën kontrollin e tyre. Suksesi i madh i papritur ushtarak shkaktoi një valë entuziazmi kombëtar dhe fetar në radhët e popullsisë izraelite. Kryesisht pushtimi i Jeruzalemit Lindor me pasurinë më të shenjtë hebreje murin e vajtimit ngjalli ndjenja çlirimi sikur të kish ardhur Mesia. Shumë shpejt në territoret e pushtuara u themeluan vendbanimet e para hebreje. Ato jo vetëm u toleruan prej qeverisë nën udhëheqjen e partisë së punëtorëve, por edhe u nxitën qëllimisht. Me ndihmën e vendbanimeve të konceptura si fshatra mbrojtjeje synohej që të bllokohej popullsia paletineze në Jordanin Perëndimor dhe në Rripin e Gazës dhe të parandalohej këtu krijimi i strukturave autonome.

As Marrëveshja e Paqes me Egjiptin në vitin 1979, as procesi i paqes i nisur në vitin 1993 ose tërheqja nga Rripi i Gazës në vitin 2005 nuk mundën t'i japin fund politikës së ngulimeve. Edhe kryeministri Itxhak Rabin, i vrarë në vitin 1994, i cili ishte një kundërshtar i shpallur i ngulimeve, stepej kur ishte fjala për shpërbërjen e vendibanimeve në zonat e pushtuara.

Sot jetojnë rreth 500.000 banorë hebrej në Jordanin Perëndimor dhe në Jeruzalemin Lindor. Ndër ta janë shumë migrantë të rinj të ardhur nga Evropa Lindore dhe Azia Qendrore, të cilët pas shpërbrjes së Bashkimit Sovjetik u vendosën në Izrael. Rreth një milionë hebrej rus pranoi Izraeli. Në vitin 1991 përveç tyre u sollën në Izrael edhe rreth 14.000 hebrej nga Etiopia.

Marrëdhëniet me Gjermaninë

Republika Federale e Gjermanisë ka marrëdhënie diplomatike me Izraelin qysh nga viti 1965. Në vitin 1952 Gjermania në Marrëveshjen e Luksemburgut mori përsipër të paguajë gati tre miliardë e gjysmë marka si "zhdëmtim" për zhveshjen nga të drejtat dhe vrasjen e hebrejve evropianë nga Gjermania naziste. "Ne duhej ta rikuperonim këtë padrejtësi, që iu bë hebrejve prej nacionalsocialistëve, aq sa kjo është e mundur", deklaroi atëherë kancelari Konrad Adenauer.

Takimi David Ben-Gurion dhe Konrad Adenauer më 14.03.1960 në Hotelin e Nju Jorkut Waldorf-AstoriaFotografi: picture-alliance/dpa

Më 14 mars 1960 në hotelin e Nju Jorkut Waldorf Astoria ai u takua për herë të parë për një bisedë personale me kryeministrin izraelit David Ben Gurion. Pas takimit Ben Gurion deklaroi për shtypin: "Isha i gëzuar që u takova me kancelarin Adenauer. Në Kneset unë pata deklauar, se Gjermania e sotme nuk është Gjermania e dikurshme. Pas takimit me Adenauerin jam i sigurtë, që ky konstatim ka qenë i drejtë."

Fotografia e dy patriarkëve - Ben Gurion i buëzqeshur dhe me flokët si një kurorë e bardhë dhe Adenaeueri me sy të mprehtë dhe me flokë të thinjur të krehura pas koke u përhap në mbarë botën. Një vit më vonë, në maj 1961 dy kreministrat u takuan sërish, kësaj here në shtëpinë modeste të David Ben Gurionit në Kibuc Sde Boker në shkretëtirën e Negevit.

Siguria e Izraelit parim themelor i shtetit gjerman

Ndërkohë marrëdhëniet mes Berlinit dhe Jeruzalemit janë mjaft të ngushta dhe plot besim. Gjermania konsiderohet si një ndër aleatët më besnikë të Izraelit, që e mbështet atë si në aspektin politik ashtu edhe në atë diplomatik, por edhe në furnizimin me armë.

Kancelarja Angela Merkel duke folur para Knesetit më 18.03.2008Fotografi: picture-alliance/ dpa

Në shkurt 2000 presidenti gjerman Johannes Rau ishte i pari president gjerman që foli para parlamentit izraelit. „Vendimi juaj për të më ftuar mua, më mbush me mirënjohje", tha Rau, i cili prej vitesh ishte i lidhur ngushtë personalisht me Izraelin. "Unë e ndiej këtë si një shenjë të vullnetit, për të mos e harruar kurrë historinë dhe si një shprehje të guximit për t'u çliruar nga mpirja e tmerrit të historisë.“

Në mars 2008 kancelarja Angela Merkel mbajti një fjalim të shumëvlerësuar në Kneset. Ashtu si çdo kryeministër gjerman përpara saj edhe ajo ndihet e detyruar në mënyrë të veçantë për përgjegjësinë historike të Gjermanisë ndaj sigurisë së Izraelit, tha kancelarja duke shtuar: "kjo përgjegjësi historike e Gjermanisë është pjesë e parimeve themelore shtetërore të vendit tim. Kjo do të thotë, që siguria e Izraelit është e panegocieueshme për mua si kancelare e Gjermanisë."