1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

70 milionë nga BEI dhe BERZH-i për rindërtimin e aksit Fier – Tepelenë si pjesë e aksit Mal i Zi - Shqipëri - Greqi

Viron Gjymshana23 Qershor 2005

70 milionë euro është kredia më e fundit që Banka Europiane e Investimeve (BEI)në bashkëpunim me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) kanë aprovuar për aksin rrugor Fier – Tepelenë. Ky projekt që përfshihet në programin e ndihmave ekonomike të BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor vihet në jetë pas një studimi të kryer nga qeveria shqiptare në bashkëpunim me specialistët e Komisionit Europian.


Për Orlando Arango-n e Bankës Europiane të Investimeve ky projekt do të ndihmojë në jo vetëm shkëmbimet tregtare dhe zhvillimin ekonomik ndërmjet këtyre tri shteteve, por do të nxisë edhe zhvillimin ndërmjet veriut dhe jugut të Shqipërisë.


Sipas specialistëve të Komisionit Europian, aksi Fier - Tepelenë është veçse një pjesë e një projekti madhor që duhet të bashkojë Malin e Zi me Shqipërinë dhe Greqinë dhe në këtë mënyrë ai do të ndihmojë në zhvillimin ekonomik dhe shkëmbimet tregtare jo vetëm ndërmjet këtyre tri shteteve, por edhe ndërmjet vetë veriut dhe jugut të Shqipërisë.

Për Orlando Arango-n të Bankës Europiane të Investimeve projekti i fundit është shumë më i realizueshëm nga pikëpamja praktike dhe financiare edhe sesa Korridori 8, i cili, sipas tij, nuk mundi të realizohej edhe për mungesa të fondeve dhe interesimit nga vetë vendet nëpër të cilat ishte i destinuar të kalonte…

Siç dihet projekti 8 u konkurrua edhe nga një projekt analog grek i cili kalonte paralelisht me këtë korridor, duke nisur nga Igumenica në Detin Jon, pranë kufirit me Shqipërinë dhe duke u degëzuar pranë Detit të Zi drejt Varnës së Bullgarisë dhe Stambollit të Turqisë. Athina përfitoi fonde të konsiderueshme nga BE-ja për këtë projekt paralel që po shkon drejt përfundimit të tij.

Ndërkohë që dy bankat e sipërpërmendura europiane, në bashkëpunim edhe me qeveritë përkatëse duket se janë më të interesuara tani për akset rrugore veri – jug siç është ai që lidh Malin e Zi me Shqipërinë dhe Greqinë, apo ai i njohur si Adriatika që fillon nga Kroacia, vazhdon në Mal të Zi dhe Shqipëri dhe përfundon po ashtu në jug të Greqisë.

Punimet e aksit rrugor Fier – Tepelenë pritet të përfundojë plotësisht deri në vitin 2009.