1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

70 të infektuar me virusin Corona në Maqedoninë e Veriut

20 Mars 2020

Që nga konfirmimi i rastit të parë në Mqedoninë e Veriut të premten (20.03) numri i të infektuarve me virusin COVID-19 ka arritur në 70.

Nachweis Coronavirus im Labor Symbolbild
Fotografi: picture-alliance/NurPhoto/M. Ujetto

Aktualisht prekur me virusin Corona janë regjistruar në Dibër, Shkup, Gostivar, Shtip dhe Ohër. Të gjithë pacientët janë në gjendje të qendrueshme dhe me simptoma të lehta. Pacientja e vetme që po trajtohet me aparaturat respirative është në fazën kritike. Do të hapen qendra shtesë për marrjen e materialit për testin në poliklinikat në Çair dhe Jane Sandanski, deklaroi ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe. Sipas tij janë bërë gjithsej 888 teste, ndërsa vendi posedon edhe 1400 teste rezervë, ndërsa në javët e ardhshme pritet furnizimi edhe me 2 mijë të tjera.

"Në klinika  kemi 120 aparate respirimi, të cilat janë të mjaftueshme, pasi sipas statistikave vetëm 5% e të infektuarve kanë nevojë për frymëmarrje artificiale. Kina ka konfirmuar donacionin prej 200 aparatesh respirative. Stafi mjekësor në Dibër është përforcuar nga dy pediatër dhe një infektolog, si dhe dy specialistë të pulmonologjisë. Kanë mbërritur edhe masat mbrojtëse. Nga të gjitha rastet përqindja e të shëruarve është 1.5%. Numri i personave të izoluar ka mbërritur në 4136”, deklaroi Venko Filipçe.

Institucionet shëndetësore, vuri në dukje ministri Venko Filipçe, janë në gjendje të përballen me rritje të numrit të të infektuarve, por kjo betejë siç është shprehur ai, nuk do të mund të fitohet vetëm nga mjekët dhe stafi tjetër shëndetësor.

"Sistemi shëndetësor për momentin po menaxhohet mirë, pacientët me COVID-19 po zbulohen në fazën e hershme dhe kjo e bën të mundur menaxhimin sa më efikas të situatës. Për më tepër, duhet të them se kjo nuk është një betejë që mund të luftohet dhe fitohet vetëm nga punonjësit shëndetësorë. Me rëndësi të madhe është roli i qytetarëve, ndërgjegjja dhe vetëdijësimi i tyre se të gjithë duhet të japin kontributin e tyre për kapërcimin e kësaj krize”, apeloi Filipçe.

Rreth dy mijë persona janë në vetizolim, shumica nëpër shtëpitë e tyre, ndërsa një pjesë në institucione të ndryshme shtetërore.

Masat shtesë të qeverisë, ndalohet grupimi i më tepër se pesë personave

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar masa të reja, që sipas saj kanë për qëllim pengimin e përhapjes së virusit COVID-19. Masat parashikojnë ndalimin e grumbullimit të më shumë se pesë personave në vende publike, parqe e hapësira të tjera të hapura. Gjithashtu ndalohet lëvizja në malin "Vodno” të Shkupit nga ora 18:00 deri në orën 06:00, ndërsa bankat, farmacitë, postat dhe ndërmarrjet tjera detyrohen të organizojnë kontrolle në hyrjet e tyre. Qeveria gjithashtu ka vendosur ndalimin e eksportit të miellit dhe grurit, ndërsa ka përcaktuar që çmimet e produkteve ushqimore duhet të mbeten të njëjta si para shfaqjes së virusit.

Nga Inspektori i Tregut thonë, se shërbimet lokale janë në terren për të sanksionuar shkeljet e ndalimeve të qeverisë, kështu që ata nuk arrijnë t'u përgjigjen të gjitha thirrjeve. Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, kujton gjobat dhe dënimin me burg.

"Dua t‘i paralajmëroj të gjithë qytetarët, hotelierët dhe tregtarët që nuk do t'i zbatojnë masat, se do të gjobiten deri në 5.000 euro, dhe në përputhje me nenet 205 dhe 206 të Kodit Penal, mund të burgosen deri në një vit. Në kohë krize, ne duhet të jemi solidar, përgjegjës, dhe jo të mendojmë për fitime ", është shprehur ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi.