1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

70 vjetori i Këshillit Qendror të Hebrenjve në Gjermani

15 Shtator 2020

Jeta hebraike është sërish normale në Gjermani. Forca që e ktheu atë në përditshmëri në këtë vend është Këshilli Qendror i Hebrenjve. Një histori e kujtesës së dhimbshme dhe integrimit të suksesshëm.

Symbolbild Antisemitismus in Deutschland
Fotografi: picture alliance/dpa/F. Rumpenhorst

Në fillim ishte menduar si diçka provizore. Gati pesë vite pas Shoah-s, gjenocidit masiv të Gjermanisë hitleriane ndaj 6 milionë hebrenjve, përfaqësues të komunitetit hebre të rigjallëruar në Gjermani themeluan "Këshillin Qendror të Hebrenjve në Gjermani. Një shenjë e ekzistencës së jetës hebreje në Gjermani, në vendin e vrasësve. Por komunitetet e para filluan të ringrihen që në javët e para pas fundit të Luftës së Dytë Botërore dhe fitores së aleatëve ndaj Gjermanisë naziste në vitin 1945. "Komuniteti Kulturor Izraelit" në Mynih, sot një nga më të mëdhatë në Gjermani, përkujtoi në korrik 75 vjetorin e themelimit. Deri në fund të viti 1945 në Gjermani ishin rikrijuar 51 bashkësi hebraike. Në kohën e themelimit të Këshillit Qendror jetonin në tërësi 15.000 hebrenj në Gjermani. Në fillim aty ishin të përfaqësuar edhe bashkësitë gjermanolindore. Por numri i hebrenjve, që nuk kishin një institucion të përafërt në RDGJ si në perëndimin gjerman ra. Në vitin 1989 ishin vetëm 5 komunitete hebraike në RDGJ me rreth 500 hebrenj.

Ndihmë për të mbijetuarit

"Këshilli Qendror nuk u themelua si përfaqësues i interesave të hebrenjve në Gjermani nën aspektin e jetës hebreje në 50 vjet, 70 apo 100 vjet", thotë Jozef Schuster, mjeku 66 vjeçar drejton prej afër gjashtë vitesh Këshillin Qendror të Hebrenjve. Këshilli Qendror u krijua në fillim si "një organizatë mbështetëse", thotë ai. Këshilli duhej të lehtësonte ardhjen nga Europa Qendrore dhe Lindore e të mbijetuarve të larguar nga përndjekja e nacionalsocialistëve, por edhe "largimin" e atyre që dëshironin të largoheshin nga Gjermania.

Josef SchusterFotografi: picture-alliance/dpa/G. Fischer

Por në fund historia rrodhi ndryshe. Hebrenjtë qëndruan aty, ku familjet e tyre kishin shekuj që jetonin. Ose u kthyen nga pjesë të tjera të botës, që u kishin ofruar strehë në kohën e përndjekjes. Edhe Josef Schuster bën pjesë tek ata. Babai dhe gjyshi i tij i mbijetuan kampit të përqëndrimit në Dahau, Buhenvald, dhe nga Gjermania shkuan në Palestinë. Schuster vetë lindi në vitin 1954 në Haifa. Kur ishte tre vjeç familja e tij u kthye në Gjermani.

Vendim i vetëdijshëm për Gjermaninë

"Për një kohë të gjatë në qarqet hebreje ishte shumë problematike të pohoje se jeton me vetëdije vetë në Gjermani", thotë Schuster. Kjo ndryshoi në vitet 70-të, kur president i Këshillit Qendror ishte Werner Nachmann. "Ai ishte i pari që e tha hapur; Po, ekziston jeta hebraike në Gjermani." Gjithmonë vinte kritikë nga Izraeli për këtë, për shumë vetë dukej tërësisht e pamundur të mund të kishte një jetë normale hebreje në vendin e vrasësve. Më vonë në vitet 90-të presidenti i Këshillit Qendror të Hebrenjve, Ignatz Bubis tha fjalinë e rëndësishme. "Unë jam qytetar gjerman i besimit hebre."

Sot Këshilli Qendror i Hebrenjve është institucioni i njohur i përfaqësimit të interesave të komuniteteve hebraike në Gjermani. Aty bëjnë pjesë 150 bashkësi, me rreth 100.000 anëtarë, sipas të dhënave zyrtare.

Përditshmëri me mbrojtje nga policia

E megjithatë kërcënimet dhe antisemitizmi janë pjesë e përditshmërisë së jetës së hebrenjve në Gjermani. Para zyrave të Këshillit Qendror në Berlin, një ndërtesë e ndërtuar me masa sigurie, qëndrojnë natë e ditë roje policët. Një pamje që e sheh në mjaft institucione të jetës hebraike kudo në Gjermani. Shkarravina me fyerje për hebrenjtë, kërcënimet janë pjesë e së përditshmes. Herë pas here ka edhe sulme ndaj hebrenjve. Sipas autoriteteve shpesh ato kanë motive ekstremiste të djathta, por edhe migrantët bëjnë pjesë tek agresorët.

Verrezat hebraike të shkarravitura me kryqe naziste nga ekstremistë të djathtëFotografi: picture-alliance/dpa/B. Wüstneck

Në tetor të vitit kaluar, Gjermania u trondit nga përpjekja e dështuar e një ekstremisti të djathtë që synonte vrasjen në masë të hebrenjve në një sinagogë në Halle. Ai vrau më pas një kalimtare dhe një punëtor të një kioske. "Nuk kam ndjesinë, se numri i njerëzve me resentimente apo qëndrime antisemitiste është më i madh apo se ka më shumë se para 20 apo 30 vjetësh" thotë Schuster. Por ai ka ndjesinë, dhe për këtë bën përgjegjëse AfD-në, se "ka më shumë gatishmëri për t'i artikuluar këto mendime".

Në jubileun e themelimit të Këshillit Qendror të Hebrenjve, presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier e vlerësoi këshillin si "një zë të rëndësishëm, që nevojitet dhe dëgjohet." Jeta hebreje është zhvilluar në Gjermani "në të gjithë shumëllojshmërinë e saj". Por Steinmeier theksoi edhe kërcënimin e vazhdueshëm dhe aktual. Sot, thotë Schuster, është i rëndësishëm një "hebraizëm me vetëbesim dhe një jetë hebraike me vetëbesim". Ato duhet të jenë pjesë e vetëkuptueshme dhe integrale e shoqërisë. Tani jeta hebraike në Gjermani ka përpara edhe një jubile tjetër më të madh; në vitin 2021 shënohet 1700 vjetori i fillimit të jetës hebreje në Gjermani. Këshilli Qendror do të përpiqet që të bëhet fjalë jo vetëm për të shkuarën, por edhe për të ardhmen.