1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

75 vjet Instituti Goethe

21 Qershor 2026

Për treçerek shekulli Instituti Goethe është angazhuar për shkëmbimin kulturor, punën arsimore dhe partneritetet në të gjithë botën, madje edhe në kushte të vështira politike.

Instituti Goethe, pamje simbolike
Instituti GoetheFotografi: Swen Pförtner/dpa/picture alliance

Menjëherë pas intervistës së saj me DW, Gesche Joost, presidente e Institutit Goethe që nga viti 2024, udhëtoi për në Meksikëme Ministrin e Jashtëm gjerman Johann Wadephul. Instituti Goethe në Mexico City është një nga më të mëdhenjtë në botë dhe, sipas saj, është shembull i punës së institucionit kulturor gjerman.

"AmerikaLatine është një rajon tepër i rëndësishëm për Gjermaninë dhe për ne, me të cilin kemi partneritete shumë të forta", shpjegoi ajo. "Meksika është një nga partnerët tanë të shquar, veçanërisht kur bëhet fjalë për punëtorë të kualifikuar". Kështu, Instituti i përgatit meksikanët e rinj të interesuar për karriera në infermieri ose inxhinieri në Gjermani jo vetëm me kurse gjuhe, por edhe me informacion rreth jetës së përditshme dhe kulturës në Gjermani. "Për mua, Instituti në Meksikë është i gjithë 'Goethe-Institut' me pak fjalë'", tha Joost.

Një fillim delikat pas Luftës së Dytë Botërore

Për 75 vjet, Instituti Goethe ka punuar për ta përfaqësuar mirë Gjermaninë në botë dhe për të promovuar gjuhën dhe kulturën gjermane tek njerëzit në mbarë botën. U themelua në vitin 1951 gjatë një periudhe kur Gjermania duhej të rifitonte besimin ndërkombëtar pas Luftës së Dytë Botërore dhe krimeve të nacionalsocializmit. Fillimisht, si "Goethe e.V. zur Fortbildung ausländischer Deutschlehrer" (Shoqata Goethe për Arsimimin e Mëtejshëm të Mësuesve të Huaj të Gjermanishtes), ai ftoi mësues të huaj në kurse trajnimi gjuhësor në Gjermani.

Instituti Goethe gjatë një aktiviteti në GreqiFotografi: Diogenis Dimitrakopoulos/DW

Megjithatë, fokusi shpejt u zhvendos në mësimdhënien e gjuhëve jashtë vendit: Instituti i parë Goethe u hap në Athinë në vitin 1952, ndërsa dhjetë vjet më vonë kishte 54 degë ndërkombëtare. Në Gjermani ishte prfezent në 17 vende. Sot, Instituti Goethe ka një rrjet global që punëson gati 4,400 njerëz në 154 institucione në 100 vende. Rreth një milion njerëz japin një provim zyrtar të gjuhës gjermane në një Instituti Goethe ose institucion partner çdo vit.

Nga muzika klasike dheri tek xhazi

Që në fillim, thelbësore për suksesin e Institutit ishte besueshmëria e tij si një shoqatë e pavarur. Ndërsa merr dy të tretat e financimit nga buxheti i Ministrisë së Jashtme, programimi i tij zhvillohet në mënyrë të pavarur - dhe është përshtatur me frymën e kohës dhe situatën politike gjatë dekadave.

Shpejt u bë e qartë se Instituti nuk donte të kufizohej vetëm në gjuhë. Shtrirja kulturore dhe informative duhet të ndihmojë në përçimin e një imazhi gjithëpërfshirës të Gjermanisë.

"Ishte shumë e qartë se qëllimi nuk ishte të promovohej e ashtuquajtura kulturë gjermane në botë", thotë Gesche Joost, "por përkundrazi, të shqyrtohej së bashku: Si të fillojmë nga e para, dhe si duam të gjithë të formësojmë shoqërinë dhe të ardhmen së bashku?"

Në vitet e para, programet kulturore u ndërtuan në mënyrë të vetëdijshme mbi muzikën klasike gjermane. Emra si Schiller, Bach dhe Beethoven nuk ishin zbehur nga fama ndërkombëtare e nacionalsocializmit. Në vitet 1960, xhazi gjerman u bë një eksport i madh për Institutin, me muzikantin dhe kompozitorin Klaus Doldinger, për shembull, që bëri turne të mëdha nëpër botë me grupin e tij. Gjatë dekadave, laureatët e Çmimit Nobel Günter Grass, Heinrich Böll dhe Herta Müller udhëtuan gjithashtu në emër të Institutit Goethe.

Me frymën e ndryshimit të gjeneratës së vitit 1968, profili i Institutit ndryshoi më tej. Instituti Goethe trajtoi gjithnjë e më shumë perspektiva kritike mbi çështjet sociale dhe, për shembull, përfshiu shqyrtimin e nacionalsocializmit në programet e tij.

Dialogu dhe mësimi i ndërsjellë

Ishte një kohë kur Republika Federale e Gjermanisë, nën Kancelarin socialdemokrat Willy Brandt, po ripërcaktonte veten. Në vitin 1970, sociologu Ralf Dahrendorf, atëherë Sekretar Parlamentar i Shtetit në Ministrinë e Jashtme, njoftoi parimet e reja udhëzuese: politika kulturore do të bëhej "shtylla e tretë e politikës së jashtme".

Gesche JoostFotografi: Goethe-Institut / Loredana La Rocca

Por Dahrendorf nuk ishte i shqetësuar vetëm me rivlerësimin e politikës kulturore - ai synonte një mënyrë të re të të menduarit. "Ajo që japim është po aq e vlefshme sa gatishmëria jonë për të marrë", shpjegoi ai.

"Hapja ndaj të tjerëve është, pra, një parim i politikës sonë të jashtme kulturore". Dhe kështu, Instituti Goethe evoluoi gjithashtu nga eksporti kulturor drejt dialogut, bashkëpunimit dhe të mësuarit të ndërsjellë. Kjo qasje vazhdon të formësojë punën e tij edhe sot.

Gjatë ndarjes së Gjermanisë, Lindja dhe Perëndimi konkurruan për aleanca politike jashtë vendit, veçanërisht në fushën e politikës së jashtme kulturore, veçanërisht gjatë Luftës së Ftohtë. Në vitet 1970, shtypi i Gjermanisë Lindore madje përhapi thashetheme se Institutet Goethe ishin agjenci spiunazhi.

Pas rënies së Perdes së Hekurt në vitin 1989, Instituti Goethe hapi shumë lokacione të reja në Evropën Lindore dhe në vendet e ish-Bllokut Lindor, përfshirë Moskën. Pas agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, Ministria e Jashtme e Rusisë urdhëroi një reduktim drastik të stafit atje, por puna vazhdon megjithatë.

E njëjta gjë vlen edhe për Ukrainën, ku dega e Kievit ka mbetur e hapur vazhdimisht që nga fillimi i luftës. Instituti ofron atje një koncept hibrid fleksibël për kurset e tij të gjermanishtes. Në rast të një sulmi ajror, mësimet me pjesëmarrje fizike zhvendosen në vende më të sigurta. Janë gjithashtu në dispozicion formate të ndryshme dixhitale dhe hibride, të cilat pjesëmarrësit mund t'i qasen sipas nevojës.

"Pika e Kthimit" tashmë e përfunduar

"Kam përshtypjen se puna në një krizë është bërë normë në shumë rajone," thotë Gesche Joost. "Ose për shkak se demokracia ka ngecje, ose sepse kolegët po punojnë në kushte censure për shkak të kërcënimeve nga konfliktet e armatosura."

Në shumë Institute Goethe, ndryshimi shumë i diskutuar i paradigmës ka ndodhur prej kohësh. "Ne e kemi pranuar se jemi partnerë të rëndësishëm të shoqërisë civile në rajonet e krizës. Në të njëjtën kohë, duhet të jemi të kujdesshëm të veprojmë me ndjeshmëri dhe diplomaci për të shmangur përjashtimin." Kolegët e saj po bëjnë një punë të shkëlqyer në këtë drejtim, gjë që i imponon respektin, deklaroi Presidentja.

Instituti GoetheFotografi: Michael Debets/Pacific Press/picture alliance

Në kohë kur liria e shprehjes kulturore, liria e fjalës, shkenca dhe arsimi janë gjithnjë e më shumë nën presion, Instituti Goethe synon të vazhdojë të ofrojë hapësira për diskutim ku debati i hapur, reflektimi kritik dhe shkëmbimi kulturor janë të mundur. Kjo aktualisht po bëhet më e vështirë në shumë vende të botës, për shkak të qëndrimit të Gjermanisë ndaj konfliktit të Lindjes së Mesme.

Disa partnerë në botën arabe kanë pezulluar bashkëpunimin e tyre, ndërsa diku tjetër ngjarjet e instituteve po bojkotohen. "Detyra jonë është të shpjegojmë qëndrimin gjerman dhe historinë pas tij, por edhe të nxjerrim në pah debatet rreth kësaj çështjeje në Gjermani", shpjegon Gesche Joost. "Në të njëjtën kohë, ne gjithashtu ia përcjellim kritikat nga shumë vende Gjermanisë."

Puna e Institutit Goethe është penguar vitet e fundit nga shkurtime të konsiderueshme në fondet federale, duke bërë të domosdoshme një transformim që përfshin mbylljen e disa lokacioneve. Në të njëjtën kohë, integrimi i numrit në rritje të punëtorëve të huaj të kualifikuar e vë Gjermaninë para sfidave të reja.

Gesche Joost e sheh institutin e saj si një lojtar vendimtar në këtë: "Ne shohim që shumë punëtorë të huaj të kualifikuar shohin një të ardhme në Gjermani. Megjithatë, mbërritja në Gjermani nuk është gjithmonë e lehtë".

"Për t'i mbështetur ata, ne kemi trajnerët tanë, të cilët janë në dispozicion për t'iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me jetesën dhe punën në Gjermani dhe për të ofruar udhëzime, veçanërisht në fillim. Ky është një kontribut i rëndësishëm që Instituti Goethe mund të japë në Gjermani."

Instituti Goethe po feston përvjetorin e tij nën moton "Ne në Botë" me partnerë në të gjithë botën. Programi përfshin koncerte, shfaqje, seri filmash dhe forume diskutimi. Festimet tashmë kanë filluar. Pika kulmore e festimeve do të jetë një ceremoni zyrtare më 23 qershor 2026 në Haus der Berliner Festspiele në prani të Presidentit Steinmeier dhe të ftuarve të shumtë ndërkombëtarë.

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW