1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nationaler Integritätsbericht

20 Janar 2012

Sa e ndjeshme është Gjermania ndaj korrupsionit? Kësaj pyetje është përpjekur t'i japë përgjigje organizata Transparency International në kuadër të një projekti të BE-së. Në Berlin u prezantuan rezultatet e raportit.

Prezantimi i "Raportit të Integritetit Kombëtar" nga TI në Gjermani
Prezantimi i "Raportit të Integritetit Kombëtar" nga TI në GjermaniFotografi: dapd

Pjesë e konsolidimit të Europës është edhe dëshira për mësuari nga njëri - tjetri, duke folur për dobësitë dhe anët e forta të vendeve të veçanta anëtare. Kështu u shpreh kancelarja gjermane Angela Merkel, e pyetur për të ardhmen e politikës ekonomike të BE-së.

Komisioni i BE-së në vjeshtë 2010 pati vendosur të merrte një rrugë të ngjashme, për të hetuar më nga afër temën delikate dhe të rrezikshme të korrupsionit, dhe pati dhënë dritën e gjelbër për një projekt në 26 vende të Europës. Financuar me para të BE-së, Organizata Transparency International (TI) zhvilloi të ashtuquajturin koncept të "sistemit kombëtar të integritetit" si metodë hulumtimi. Me këtë synohet të jepet një pamje e përgjithshme për përpjekjet antikorrupsion të një vendi.

Nga legjislativi në ekonomi

Ka mjaft vend për përmirësime - raporti i integritetit kombëtar paraqet kërkesa konkrete për GjermaninëFotografi: dapd

13 fusha ose institucione në politikë, ekonomi, shoqëri dhe kulturë u analizuan në lidhje me strukturat, burimet dhe masat e marra prej tyre për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit. Kështu e shpjegoi kryetarja e TI për Gjermaninë Edda Müller të enjten (19.01.2012) në Berlin metodikën e ndjekur, gjatë prezantimit të Raportit të Integritetit për Gjermaninë. Në përgjithësi Gjermania merr vlerësimin "mirë" deri "shumë mirë", tha Müller.

Në një shkallë nga 0 deri në 100, autoritetet e revizionit (94) dhe ato të drejtësisë (88) morën vlerësimet më të larta. Partitë politike (70) dhe administrata publike (71) ishin në nivelin më të ulët të vlerësimit të brendshëm. Gjermania përfiton nga struktura e saj federative dhe është më pak e ndjeshme ndaj korrupsionit në krahasim me vendet e centralizuara, shpjegoi Edda Müller nga TI. Megjithatë ka vend për përmirësime.

Gjermania prapa

Veç kësaj objekt kritike është mosratifikimi i konventës së OKB-së kundër korrupsionit të vitit 2005, theksoi Müller, pasi nuk janë bërë ende përshtatjet e duhura juridike në fushën e korrupsionit të deputetëve. Edhe masa të tjera anti-korrupsion të këshilluara nga OECD dhe Këshilli i Europës nuk janë zbatuar. Në këtë sfond dhe si rrjedhojë nga studimi, Transparency International ka hartuar një katalog me "84 kërkesa për një republikë me integritet".

Katalogu përmban kërkesa konkrete për të 13 sektorët e shqyrtuar, herë 11 si në rastin e ekonomisë e herë vetëm 2 sa i takon formimit për luftën kundër korrupsionit.

Në rastin e partive politike për shembull është i nevojshëm një reformim i ligjit për financimin sa i takon trajtimit të dhurimeve, thuhet në raport. Për sektorin e medieve arrihet në përfundimin se si rrjedhojë e rritjes së trysninë ekonomike, kryesisht në mediet e shtypura, janë keqësuar kushtet e punës për gazetarët, çka sjell gjithnjë e më shpesh një lloj vetëcensure. Edhe në ndërgjegjen e shoqërisë rëndësia e luftimit të korrupsionit është pak e ankoruar dhe shumë shpesh trajtohet si problem thjesht juridik. Këtu është e nevojshme më shumë punë sqaruese.

Jo krahasime të nxituara - kryetarja e TI për Gjermaninë Edda MüllerFotografi: dapd

Çfarë i lejohet presidentit federal?

Presidenca nuk ka qenë objekt i studimit, u bë e ditur nga grupi i punës së TI. Edda Müller shtoi se nga vrojtimi i ngjarjeve rreth presidentit Christian Wulff mbeten për fat të keq pa përgjigje pyetje interesante lidhur me avantazhe ekonomike të palëve të treta. Veç kësaj presidenti fatkeqësisht është bërë një shembull i kundërt i zhvillimeve pozitive në Gjermani, sa i takon rëndësisë së transparencës si mjet në luftën kundër korrupsionit. Nga ana tjetër skandali rreth presidentit Wulff me siguri ka forcuar kërkesën e përgjithshme për transparencë në opinionin publik.

Krahasimi i thjeshtë nuk është i mundur

Katalogun e kërkesave nga Raporti për Integritetin Kombëtar për Gjermaninë, Transparency International ia ka dërguar partive politike me kërkesën për t'u pozicionuar deri në 15 mars.

Pas disa javësh në nivelin e BE-së do të prezantohen raportet e tjera kombëtare të integritetit. Ato janë hartuar të gjitha me metodën e zhvilluar nga TI. Krahas raportit për Gjermaninë, deri tani janë paraqitur edhe raportet për Francën, Britaninë e Madhe dhe Danimarkën, tha drejtuesja e TI për Gjermaninë Edda Müller. Ajo paralajmëroi megjithatë ndaj konkluzioneve të nxituara në vlerësimin krahasues të studimeve. Sistemet janë shumë të ndryshme, çdo vend ka traditën e tij dhe struktura të ndryshme politike.

Në etapën e dytë të projektit të BE-së do të iniciiohen projekte kombëtare, të cilat synojnë përmirësime në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit. Sipas parimit të "praktikës më të mirë", në këtë proces do të ndërthuren praktikat nga vendet e tjera.

Autor: Kay-Alexander Scholz

Redaktoi: E. Xhani

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë