1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

020309 Drogen UNO

Astrid Freyeisen.2 Mars 2009

100 vjet pas fillimit të luftës ndërkombëtare kundër drogave tregtia me lëndët narkotike vazhdon të jetë një problem i madh. Një konferencë ndërkombëtare në Shangai diskuton mbi shkaqet dhe rrugëzgjidhjet

Skena droge në një muzeum në ShangaiFotografi: AP

Lufta ndërkombëtare kundër drogave filloi në Shangai përpara plot 100 vjetësh. Në shkurt të vitit 1909 u takuan atje përfaqësues të 13 shteteve në të ashtuquajturin Komisioni i Opiumit. Asokohe Kina përjetonte një konsum shumë të lartë opiumi, një në katër burra kinezë ishte i varur nga lënda narkotike. Ajo ishte një burim i rëndësishëm të ardhurash për tregtarët e drogës nga perëndimi. Sot bota sërish gjendet pëpara problemeve të mëdha në luftën kundër drogave. Kjo u bë e qartë në një konferencë ndërkombëtare në Shangai.

Rui Ying viziton fermën e një çifti të moshuar. Ajo është e ngarkuara për fushatën kundër SIDA-s në një qytet të vogël kinez në trekëndëshin e artë, pranë zonës kufitare me Laosin, Tailandën dhe Birmaninë, ku kultivohet bima e opiumit, që përpunohet më pas në heroinë. Çifti i moshuar duhet të kujdeset për një vajzë të vogël. Një rast ky për Rui-n:

"Babai i vajzës vdiq nga SIDA, edhe nëna e saj është e infektuar. Ajo është larguar nga shtëpia dhe vogëlushen ua ka lënë gjyshërve. Babai i vajzës vdiq kur ajo ishte foshnje dyjavëshe. Ai ishte prej dhjetë vjetësh toksikoman. Ka të ngjarë, që ai të ketë përdorur shiringa të vjetra dhe kështu është infektuar."

Soldiers set alight the drugs during a drug destruction activity in southwest China's Chongqing Municipality Sunday, June 26, 2005. Activities aimed at warning people against the harm of drugs and helping curb drug trafficking were held across China June 26 to mark the United Nations-sponsored International Anti-Drug Day. (AP Photo / Xinhua, Liu Chan)Fotografi: AP

Qyteti Ruili i përket provincës Yunnan në jugperëndim të Kinës. Kultivimi, shitja dhe përdorimi i drogave është atje i ndaluar. Autoritetet përpiqen t'u ofrojnë fshatarëve stimuj për të kultivuar diçka tjetër në vend të drogës. Por kjo nuk është e mjaftueshme, thotë një toksikoman:

"Ky rajon ka një histori të gjatë konsumi droge. Edhe të vjetrit kanë qenë të varur nga droga. Ruili gjendet pranë Birmanisë. Situata në kufi është konfuze. Sigurimi i drogës në anën kineze bëhet kështu më i thjeshtë. Këtu mund të kontrabandohen shumë gjëra, edhe drogat."

Pikërisht kësaj situate përpiqen t'i japin fund Kombet e Bashkuara. Zyra e OKB-së kundër Drogës dhe Kriminalitetit (UNODC) është e bindur se janë arritur disa suksese. Ky është konkluzioni i një konference në Shangai, 100 vjet pas fillimit atje të luftës kundër drogës. Asokohe vetëm Kina dhe India prodhonin tre herë më shumë opium nga sa është sot në qarkullim. Sot 90 për qind e bimëve të opiumit kultivohen në një vend të vetëm: Afganistan. Kjo krijon vështirësi edhe në vendin fqinj, shpjegoi përfaqësuesi iranian Mog Dasham në konferencën në Shangai:


"Droga është një problem i madh në Iran. Tek ne nga Afganistani hyn jo vetëm drogë, por edhe tre milionë refugjatë të paligjshëm. Ky është një kërcënim për sigurinë tonë. Ne do të bëjmë gjithçka për përmirësimin e situatës ekonomike në Afganistan dhe zhdukjen e varfërisë atje."

Por duket se është shumë e vështirë, që këto objektiva të vihen në jetë, megjithëse sot, sipas OKB-së, nga droga është e varur vetëm 0,5 për qind e gjithë popullsisë së globit në moshë madhore. Edhe numri i atyre, që humbasin jetën për shkak të konsumit të narkotikëve është shumë më i vogël nga numri i atyre, që vdesin për shkak të alkoholit dhe duhanit. I ngarkuari i lartë i OKB-së për luftën kundër drogave, Antonio Maria Costa, përmend disa nga pengesat në këtë luftë: pushteti i mafies, korrupsioni dhe mungesa e vendosmërisë së qeverive:


"Instrumentat juridikë të OKB-së ofrojnë mundësinë për të vepruar bashkarisht kundër krimit të organizuar. Por vendet anëtare deri tani kanë dështuar në përdorimin e tyre në mënyrë të tillë, që të kishin pasoja të ndjeshme për tregtinë e drogës. Në internet ofrohen droga, armë dhe njerëz. Arritja jonë më e rëndësishme, interneti, kthehet kështu në një armë në duart e terroristëve. Tregtia e drogës pasuron kriminelët, shkatërron komunitete dhe rrezikon kombet. Kundër saj duhet vepruar urgjentisht dhe me gjithë forcën e mundshme."

Gjatë këtij muaji OKB-ja në Vjenë do të negociojë mbi strategji të reja në luftën kundër drogave.