1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A është Erdogani pranë një fitoreje të re?

24 Qershor 2018

Zgjedhjet në Turqi përfunduan, ka nisur numërimi i votave. Presidenti Erdogan flet për një "revolucion demokratik". Opozita publikon shifra të saj.

Präsidentschaftswahlen Türkei Erdogan
Fotografi: Reuters/A. Konstantinidis

Pas numërimit të më pak se 70 përqind të votave në zgjedhjet presidenciale në Turqi, Presidenti Rexhep Taip Erdogan kryeson. Por përparësia e tij po rrudhet, bën të ditur Spiegel në botimin online.

Kandidati i partisë islamike-konservatore Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) ka mbledhur pas numërimit të rreth 70 përqind të votave 55,2 përqind të tyre. Këtë e bën të ditur agjencia shtetërore turke e lajmeve Anadolu.

Sfiduesi më i madh i Erdoganit, Muharrem Ince i partisë opozitare CHP, sipas këtyre të dhënave ka zënë vendin e dytë, me 29,7 përqind të votave. Por nëse Erdogani e humbet shumicën absolute dhe merr në fund më pak se 50 përqind të votave, ai duhet ta kalojë në 8 korrik në balotazh kundër kandidatit që do të zërë vendin e dytë.

Muharrem InceFotografi: Getty Images/B. Kara

Partia pro Kurde HDP e ka kaluar kufirin e 10 % të votave që duhen për në parlament, por nuk janë numëruar të gjitha votat. I habitshëm është për disa vëzhgues suksesi i partisë MHP (nacionalistë të djathtë). Sipas sondazheve, kjo parti pritej të merrte 5-7 përqind të votave. Por deri tani ajo ka siguruar 11 përqind. Ky fakt fiton rëndësi sepse kjo parti është në aleancë me AKP-në e Erdoganit.

Në qendrën e CHP në Stamboll është përhapur deziluzionim, për shkak të numrit të vogël të votave të siguruar deri tani. Opozita ka publikuar shifra të saj, duke qenë se ajo nuk u beson shifrave të agjencisë shtetërore të lajmeve Anadolu. Shifrat i publikoi "platforma për zgjedhje korrekte" Adil Seçim, organizata ombrellë e të gjithë vëzhguesve të partive opozitare dhe organizatave civile në lokalet zgjedhore.

Sipas opozitës së cituar nga Zeit online, deri para një ore në Turqi qenë numëruar vetëm 12 përqind e votave. Erdogani kishte arritur të merrte 43,51 përqind, sfiduesi Ince 33,92 përqind. AUD