A diskriminohen myslimanët në Evropë? - Konferencë në Bruksel
10 Janar 2008Emine Bozkurt, eurodeputete socialiste nga Holanda u ankua, se sipas të dhënave të qendrës së BE-së për vëzhgimin e ksenofobisë në vendet e BE-së është në rritje refuzimi ndaj njerëzve të besimit islam: “Në disa shtete të BE-së myslimanët rezultojnë në një pozicion mjaft të keq në tregun e punës. Ata janë më pak të sukseshëm në shkollë dhe e kanë të vështirë të depërtojnë në institucionet e shoqërisë. Në Holandë të rinjtë migrantë, shpesh here me prejardhje myslimane, janë dy herë më shumë të papunë krahasuar me holandezët. Dy arësye ka për këtë: diskriminimi dhe islamofobia. ”
Edhe sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Konferencës Islamike, Ekmeledin Ihsanoglu, kritikoi faktin, që në sytë e tij është në rritje intoleranca në Evropë, veçanërisht pas ngjarjeve "tragjike" në Madrid dhe në Londër, këtu ai kishte parasysh sulmet terroriste të ekstremistëve islamistë. Diskriminimi i myslimanëve përbën një kërcënim për paqen botërore, mendon sekretari i përgjithshëm i organizatës, që përfaqëson aleancën e çlirët mes më shumë se 50 shteteve me shumicën e popullsisë myslimane. Mediet perëndimore, sipas Ekmeledin Ihsanoglu, myslimanët i paraqesin në mënyrë të njëanshme si terroristë dhe islami parqitet si kërcënim. Por në fakt askush nuk do të islamizojë Evropën, tha ai duke kritikuar edhe karikaturat daneze dhe filmat kritikë ndaj myslimanëve.
Ezdemir: çdo mysliman në Evropë duhet të angazhohet për të drejtat civile
Eurodeputeti Çem Ezdemir (Cem Özdemir), gjerman me prejardhje turke, e kundërshtoi sekretarin e përgjithshëm të Organizatës së Konferencës Islamike: “Nuk ka kuptim, që të sillesh vazhdimisht në rolin e viktimës, sepse kështu nuk ndryshon asgjë. Një qëndrim i tillë të çon në pasivitet. Unë do të këshilloja për një qëndrim aktiv si qytetar. Konkretisht kjo do të thotë, që gjithkush të mendojë, se si mund të kontribuojë për ta ndryshuar imazhin e vet. Për këtë duhet që çdo xhami në Evropë të jetë një shtëpi e hapur. Ndërkohë që shumë të tilla nuk e bëjnë këtë. E rëndësishme është pjesëmarrja në debatin shoqëror. Nëse ekziston ndonjë frikë, këtë nuk mund ta cilësosh në mënyrë shabllone si racizëm.”