1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bora ka bllokuar shumë rajone në Alpe

15 Janar 2019

Pas dy javë gjendje dramatike me reshjet e borës në Alpe, meteorologët parashikojnë kohë më të mirë. Por gjendja dramatike në shumë rajone vazhdon.

Schneechaos in den Alpen - Lawine Hotel Hubertus
Fotografi: picture alliance/dpa/B. Liss

Përfundim i reshjeve gati dyjavore u mundëson ekipeve të shpëtimit që të veprojnë edhe në zonat e bllokuara nga bora. Rreziqet nga rrëshqitjet e borës janë ende tepër të mëdha. Ndërprerja e reshjeve do të ishte një sinjal për hapjen e shumë rrugëve të bllokuara për shkak të rrezikut nga orteqet e borës. Të hënën në Austri kanë qenë të mbyllura 180 rrugë. Në landin Salzburg kanë qenë të shkëputur nga bota rreth 41.000 njerëz që kanë mbetur të bllokuar.

Fotografi: picture alliance/Keystone/G. Ehrenzeller

"Duket se gjendja do të shtensionohet", thotë Thomas Wostal nga Qendra për Meteorologji dhe Gjeodinamikë (ZAMG) në Vjenë. Edhe sot (15.01) kanë vazhduar punimet në zhbllokimin e rrugëve dhe furnizimin e njerëzve të bllokuar. "Por turistët dhe sportistët edhe më tej duhet të kenë kujdes se në cilat zona lëvizin, për shkak të rrezikut nga rrëshqitjet e borës. Të mërkurën gjendja do të jetë edhe më e rrezikshme, për shkak të ngritjes së mundshme të temperaturave", bëjnë të ditur ekipet e shpëtimit.

Brenda dy javësh në këto rajone ka rënë trefishi i borës që zakonisht bie atje gjatë muajit janar. Lartësia e borës në disa zona të Tirolit ka arritur deri në 4,5 metra. Në përgjithësi niveli i borës në këto zona është aktualisht rreth 3-5 metra. Autoritetet thonë se në tetë ditët e kaluara janë hedhur rreth 5000 tonelata kripë.

Fotografi: picture alliance/dpa/B. Liss

Të hënën kanë qenë të bllokuara shumë zona në Aple - në Gjermani, Zvicër dhe Austri. Ekipet e shpëtimit kanë shkaktuar shpërthime dhe rrëshqitje të kontrolluara të borës, me qëllim hapjen e rrugëve dhe evitimin e rreziqeve. Ndërkohë njoftohet edhe për tre persona të tjerë që kanë humbur jetën. Gjendje e rëndë është edhe në Davos të Zvicrës, ku do të mbahet takimi i dhjetëra presidentëve dhe kryeministrave nga mbarë bota. Tema këtë vit janë pikërisht ndryshimet e klimës dhe rreziqet nga këto ndryshime ekstreme.

Fotografi: Reuters/M. Dalder

Edhe në Bavari ka pasur probleme të mëdha me reshjet e borës. Shumë shtëpi janë dëmtuar nga sasitë e mëdha të borës mbi kulme, disa hotele janë mbyllur dhe evakuuar. Mijëra ndihmës janë ende në terren. Ndërkohë edhe ushtria është duke ndihmuar popullatën civile dhe shërbimet e ndihmave. Vlerësohet se në terren janë rreth 1500 ushtarë dhe 230 pjesëtarë të forcave të sigurisë. Shumë zona janë mbyllur për turistë dhe sportistë.

bc/ust/stu (dpa, afp)