1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A duhet të mësojnë nxënësit shqiptarë maqedonishten që nga klasa e parë?

28 Nëntor 2009

Qëllimi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për të futur gjuhën maqedonase në mësim, që nga klasa e parë për nxënësit shqiptarë, ka shkaktuar reagime të ashpra. Po organizohen edhe peticione tw shqiptarëve.

Nxënesit në MaqedoniFotografi: Petr Stojanovski

Planet e qeverisë që gjuha maqedonase të futet në mësim që nga klasa e parë për nxënësit shqiptarë, e jo si deri më tani nga klasa e tretë, kanë shkaktuar reagime të ashpra tek opinioni shqiptarë. Ata kanë ndërmarrë iniciativa edhe për nënshkrimin e një peticioni.

Në Tetovë nënshkrimi i peticionit është organizuar nga Shoqata për mbrojtjen e identitetit kombëtar "Ilirikum Libertas“, ose" Liria ilire“, e cila në këtë qytet udhëhoqi protestat e studentëve shqiptarë pas promovimit të „Enciklopedisë maqedonase“. Ndërsa në shkollën fillore “Bashkimi” në Gostivar, fushata për të nënshkruar peticionin është organizuar nga Këshilli i prindërve shqiptarë.

"Ne prindërit të cilët i kemi fëmijët në klasën e parë, jemi kundër këtij vendimi. Në atë moshë të vogël, fëmijët nuk janë në gjendje ta mësojnë ashtu si duhet gjuhën e nënës, e lëre më atë maqedonase. Ndërkohë që duhet marrë parasysh se ata duhet ta mësojnë edhe anglishten. Kjo është një barrë e rëndë për ta", thekson Isen Hyseni, nga Këshilli i prindërve.

Peticioni dhe qëllimet e organizatorëve të tij

Sipas tij, qëllimi i ortganizatorëve të peticionit është mbledhja e dhjetë mijë firmave, të cilat do t'u dërgohen të gjitha institucionece qeveritare, OJQ-ve, ambasadave të huaja dhe misioneve ndërkombëtare në vend. "Nëse nuk tërhiqet vendimi i qeverisë, atëherë do të organizohen protesta të qeta dhe do të ketë bojkot të mësimit", pohon ai.

Janë në gjendje t'i mësojnë disa gjuhë në klasë të parë?Fotografi: Petr Stojanovski

Profesori i sociologjisë në Universitetin Shtetëror të Shkupit Ilia Aceski, është i mendimit të kundërt. "Kjo popullsi, e cila nuk dëshiron ta mësojë gjuhën maqedonase, respektivisht nuk mund ose dëshiron ta mësojë, do të thotë se e përjashton veten nga administrata. Ajo nuk dëshiron të jetë anëtare e një sistemi politik, i cili quhet shtet i Maqedonisë", pohon ai.

Sipas profesor Aceskit është ky "një hap më tej drejt ndarjes së shtetit, i cili është shtyrë në federalizim të 'qetë' me 'metoda të buta'. Shqiptarët janë unik në faktin se ata në thelb nuk kanë nevojë për gjuhën maqedonase."

"Agresioni ndaj identitetit" apo përparësi e nxënësve shqiptarë

Për intelektualët shqiptarë futja e gjuhës maqedonase në mësim që nga klasa e parë për nxënësit shqiptarë do të thotë "agresioni ndaj identitetit kombëtar shqiptar në vend" dhe se "vendimi i qeverisë maqedonase është krejtësisht i paligjshëm, anti-kushtetues dhe jo pedagogjik". Kundërshtimet e këtilla erdhën nga Shoqata e pedagogëve shqiptarë në Tetovë dhe nga Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë „Naim Frashëri“ nga Shkupi dhe Kumanova. Me qëllim të përmirësimit të marrdhënieve ndëretnike në Maqedoni, OSBE-ja ka propozuar politika të reja të arsimit për mësimin e gjuhëve etnike.

Zëvendësministrja e Arsimit Lindita Qazimi mendon se mësimi i gjuhës maqedonase që nga klasa e parë për nxënësit shqiptarë është në dobi të tyre dhe se mësimi i një gjuhe më shumë për ta paraqet edhe një përparësi tjetër.

Akademia e Shkencave dhe ArteveFotografi: Petr Stojanovski

„Është e vërtetë se ka reagime. Por ne do t'i marrim parasysh mendimet e psikologëve dhe pedagogëve kur bëhet fjalë për mësimin e një gjuhe tjetër që nga mosha gjashtëvjeçare. Jemi duke i shikuar modulet që do të futen në klasën e parë, apo do të mbeten ashtu siç kanë qenë deri më tani në klasën e tretë”, thotë ajo.

Qëndrimet e tyre në opinion i kanë dhënë Xheladin Murati, profesor i pedagogjisë në Universitetin e Shtulit në Tetovë, dhe Havzi Mustafa, profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetit e Shkupit. Ata mendojnë se fëmijët në moshën gjashtëvjeçare, kur nuk e zotërojnë mirë as gjuhën amtare, nuk kanë mundësi fizike që në të njëjtën kohë t'i mësojnë tri gjuhë.

"Fëmijët mund të mësojnë disa gjuhë..."

Agim Poloska, profesor i gjuhës shqipe në Fakultetin e filologjisë në Shkup, pohon se "fëmijët piqen shumë herët dhe asgjë të keqe s'ka aty që të fillohet nga klasa e parë. Lirisht mund të futet: gjuha maqedonase në mësimin shqip, ose gjuha shqipe në misimin maqedonas. Në një shoqëri multikuklturore siç është Maqedonia, kjo është e pashmangshme."

Profesor i Sociologjisë Aceski ndërlidhet në këtë kontekst dhe thotë: "Gjithsesi, në ato zona ku shqiptarët janë shumicë, kushtimisht duhet thënë se edhe ata duhet ta dinë gjuhën shqipe. Në këtë rast gjuha është ngritja e nivelit të lartë politik në aspektin e njohurive për të kryer funksionet e shtetit."

Autor: Sveto Toevski/Qeriman Bekteshi

Redaktoi: Bahri Cani