A e dini sa e keni tensionin e gjakut?
25 Gusht 2013
Vlerat normale të tensionit të gjakut janë 120 me 80. Gjatë kontrollit mjekësor shpesh matet së pari tensioni i gjakut. Dhe jo vetëm në rastet, kur pacienti shkon te internisti, apo kardiologu. Matja e tensionit është kontroll rutinë, sepse rastet e hipertensionit, apo tensionit të lartë të gjakut janë të shpeshta, thotë profesor Rainer Düsing i klinikës universitare në Bon. Në hipertensionin e shkallës së parë hyjnë vlerat 90-99 dhe 140-159. Në Gjermani rreth 35 milionë njerëz kanë tension shumë të lartë gjaku dhe kjo varet shumë nga mosha. Kur një 50 apo 60 vjeçar shkon te mjeku për ndonjë gjë të vogël, atëherë mundësia që ky pacient të ketë tension të lartë është një me dy." Hipertensioni është një faktor rreziku, shkak për sëmundje kardiovaskulare dhe këto janë shkaku i shumicës së vdekjeve në Gjermani.
Në shumicën e rasteve ai zbulohet rastësisht
Jürgen Weber ishte vetëm tridhjetë vjeç, kur mjeku konstatoi gjatë një kontrolli rutinor se ai kishte tension të lartë gjaku.. Ai vetë nuk e kishte matur kurrë tensionin. Përse ta maste? Ai ishte shumë i ri. Por ai kishte vlera shumë të larta: 160 me 90. Ankesa nuk kishte patur kurrë, thotë 75-vjeçari i sotëm. "Pikërisht të rinjtë ndjehen mirë me tension të lartë gjaku. Dhe kështu ishte edhe në rastin tim", thotë ai. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka botuar një listë me vlerat e tensionit të gjakut, sipas saj vlerat e tensionit të lartë të gjakut nisin nga 140 me 90.
Çfarë kuptimi kanë dy vlerat?
Ne matjen e tensionit të gjakut shfaqen gjithmonë dy vlera: vlera më e ulët quhet diastolike një lloj tensioni bazë, që ushtrohet vazhdimisht në enët e gjakut. Vlera më e lartë quhet sistolike: "Zemra rreh rreth 60 deri 80 herë në minutë", thotë Düsing. "Çdo herë pompohet një vëllim i caktuar në sistemin e qarkullimit të gjakut. Ne kemi vlerën më të lartë, kjo është vlera maksimale, menjëherë pasi zemra ka derdhur gjakun në sistemin e qarkullimit, dhe kemi vlerën më të ulët, ajo krijohet, sepse zemra bën pauza të vogla."
Zemra pompon gjakun në enët e gjakut me një farë presioni dhe furnizon kështu trupin me oksigjen. Enët e gjakut janë fleksibel, ato mund të zgjerohen dhe të tkurren. Kur tensioni i gjakut në arterie është gjithmonë i lartë, enët e gjakut humbasin pikërisht këto veçori: ato nuk janë më aq elastike, kësaj i shtohen edhe kalcifikimi i tyre. Organet nuk furnizohen më mjaftueshëm me gjak. Sistemi delikat i enëve të gjakut dëmtohet dhe mund të shkaktojë hemoragji cerebrale, infarkt në zemër, si dhe dëmtim të veshkave.
Çfarë e favorizon tensionin e lartë të gjakut?
Jürgen Weber supozon se tensioni i lartë i gjakut është i trashëguar gjenetikisht. "Babai im kishte tesion të lartë gjakut, gjyshi im gjithashtu. Dhe kësaj i shtohet edhe stresi i jetës së përditshme", thotë ish-pronari i hotelit.
Faktorë të tjerë të rrezikshëm janë mbipesha, mungesa e lëvizjes, apo konsumi i rregullt i alkoolit. Edhe të ushqyerit ka një ndikim të madh në tensionin e gjakut. Prandaj mjekët porosisin të mos përdoret shumë kripa: "Eliminimi i kripës nga trupi dhe rregullimi i tensionit të gjakut janë të ndërvarur shumë nga njëri-tjetri. Një nga teoritë është, nëse përdorni shumë kripë, trupi e nxjerr atë përsëri jashtë vetëm me tension të lartë gjaku", thotë Düsing. Por ky është një debat, që nuk po merr fund prej tridhjetë, dyzet vjetësh. "Unë personalisht mendoj se është e padiskutueshme, që kripa është një faktor përgjegjës për tensionin e lartë."
Tensioni i lartë shumë i përhapur
Para disa vjetësh është bërë një studim krahasues për hipertensionin në vendet e industrializuara, thotë Düsing. Sipas studimit Gjermania dilte para SHBA-së dhe vendeve të tjera europiane. Por edhe vende të tjera kanë probleme me tensionin. "Në lindjen e Mesme, në shtetet e Gjirit Persik, Kinë, kudo prevalenca është shumë e lartë: 20 deri 30 për qind të popullatës.
Për njerëzit, tek të cilët ilaçet nuk bëjnë më efekt, ka edhe metoda të tjera. Njëra është i ashtuquajturi denervacion renal. Këtu nervat që janë të përfshira në rregullimin e tensionit të gjakut të çaktivizohen me ngrohje,ose me ftohje. Të ashtuquajturat nerva simpatik janë pjesë e sistemit nervor autonom. Ai drejton në mënyrë të pandërgjegjshme frymëmarrjen tonë dhe metabolizmin. Te njerëzit me presion të lartë të gjakut, ata janë shumë aktive. Të çaktivizuara veprimtaria e tyre mund të reduktohet me rreth pesëdhjetë për qind, po kështu dhe presioni i lartë i gjakut.
Një metodë e dytë shkon mbi baroreceptorët - nerva të veçantë - në arteriet e qafës. Ata kontrollojnë tensionin e gjakut dhe i i japin vlerat në tru. Kjo nga ana tjetër dërgon impulse nervore, që të rregullojnë tensionin. Tek pacientët me tension të lartë gjaku ndodh që këto baroreceptorë janë të dëmtuar. Atëherë mund të ndihmojë një dhënës impulsi. Ai vendoset në qafë nën lëkurë dhe punon ngjashëm me një stimulues kardiak. Të dyja metodat janë praktikuar prej disa vjetësh. Dusing është i mendimit, se këto masa kanë ende karakter shumë eksperimental, pasi nuk ka studime të qarta. "Në SHBA janë më të kujdesshëm, sepse atje nuk është e pranuar asnjë nga keto dy metoda. Ne në Gjermani jemi gjithmonë një çikë në krye të lëvizjes. Nëse kjo është e mirë, apo e keqe, do të tregohet pas disa kohësh, kur të ketë të dhëna." Të dhënat e para rreth këtyre metodave, do t'i kemi në vitin e ardhshëm. Aktualisht po kryhet një studim, që do të përfundojë në vitin 2014.
Rregullat e arta
"Redukto përdorimin e kripës! Përpiqu, të bësh më shumë lëvizje fizike! Lëvizja është një aktivitet shumë i efektshëm për uljen e tensionit! Pi më pak alkool! Ul peshën", këshillon specialisti. "Pesha e trupit dhe tensioni i gjakut shkojnë paralel me njëra-tjetrën. Rritet pesha e trupit, rritet tensioni. Reduktohet ajo, ulet përsëri tensioni."
Jürgen Weber merr ilaçe kundër tensionit të lartë të gjakut. Por ai ndjek edhe këshillat e mjekëve: "Unë ha ushqime të shëndetshme, lëviz shumë dhe bëj qigong, një teknikë relaksimi." Dy herë në ditë ai mat tensionin e gjakut. Vlerat e tij janë rreth 140 me 75, një hipertension i lehtë.