A e rrezikon Shqipëria anëtarësimin e Malit të Zi në BE?
24 Tetor 2026
Në gushtin e këtij viti, kryeministri malazez Milojko Spajiҫ, qeveria e të cilit po drejton procesin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian, bëri një deklaratë që ringjalli debatet e vjetra të rajonit. Spajiҫ, kryeqeveritar i një shteti të vogël të Ballkanit Perëndimor, i cili konsiderohet "prijësi” drejt BE-së, paralajmëroi se "dy shtete fqinjë me Malin e Zi, synojnë bllokimin e rrugës të anëtarësimit përmes sulmeve hibride”.
"Autoritetet malazeze disponojnë të dhëna serioze operative, sipas të cilave mbyllja e kapitujve të rinj në negociatat me BE-në pritet të shoqërohet me sulme hibride, ku dyshohet se janë të përfshirë zyrtarë të të paktën dy shteteve të rajonit” - shkroi Spajiҫ në platformën X në ditët e fundit të gushtit.
Ai nuk përmendi emra konkretë, por mediat vendase pretenduan se kryeministri nënkuptonte Serbinë dhe Shqipërinë, gjithashtu shtet më i përparuar se fqinjët në "vrapin” drejt BE-së, duke ndjekur Malin e Zi.
Shqipëria, rrezik për Malin e Zi?
"Jo, unë nuk e shoh Shqipërinë si rrezik për integrimin europian të Malit të Zi" – thotë Johann Sattler, ish-ambasador i Austrisë në Tiranë dhe aktualisht ambasador i Bashkimit Europian në Podgoricë. Duke iu përgjigjur Deutsche Welle-s në lidhje me deklaratën e kryeministrit Spajiҫ, kreu i delegacionit të BE-së e përjashton Shqipërinë nga këto pretendime.
"U bënë shumë spekulime, sepse u përmendën dy shtete. Të gjithë e hamendësuan të parin, Serbinë, ndërsa i dyti nuk u zbulua kurrë zyrtarisht. U përfol Shqipëria ose Republika Srpska në Bosnjë-Hercegovinë. Kjo nuk përjashton ekzistencën e grupeve kriminale ndërkufitare me pjesëmarrje shqiptare, kjo është çështje e luftës kundër krimit të organizuar. Por Shqipëria si shtet nuk përbën aspak rrezik politik. Të dyja vendet kanë marrëdhënie shumë të mira, ndihmojnë njëra-tjetrën dhe janë aktualisht në pararojë në procesin e anëtarësimit."
"Sulmet e fqinjëve, për interesa politike të brendshme"
Jovan Subotiҫ, aleat politik i Milojko Spajiҫ dhe anëtar i Parlamentit malazez, pranon se sulmet hibride po e vështirësojnë rrugën e Malit të Zi drejt Bashkimit Europian. Duke qenë në të njëjtën linjë me Spajiҫ, ai theksoi se megjithatë "sulmet nuk luajnë rol domethënës, sepse mbështetja e qytetarëve për anëtarësimin në BE ka mbetur e palëkundur".
"Kur bëhet fjalë për këto kërcënime hibride, vërejmë se mediat e reja e vënë në shënjestër rrugëtimin e Malit të Zi drejt BE-së, pasi disa nga vendet fqinje dëshirojnë të jenë të parat që anëtarësohen, ose të paktën të jenë në të njëjtin grup me Malin e Zi. Përpiqem të mos flas për shtetet në tërësi, por për regjimet aktuale, të cilat i ndërmarrin këto veprime për përfitime të brendshme politike, dhe jo për të kundërshtuar Malin e Zi si vendin që kryeson procesin" – tha Subotiҫ për DW.
I pyetur në lidhje me akuzat ndaj Shqipërisë, Subotiҫ zgjedh një gjuhë krejtësisht diplomatike. "Nuk ia kam idenë. Kryeministri ka burimet dhe shërbimet e tij në dispozicion, të cilat janë përgjegjëse që të informojnë vetëm atë".
Milica Kovacevic drejton Qendrën për Tranzicion Demokratik në Podgoricë. Deklarata të tilla politikanësh, ajo i lidh me fushatën zgjedhore në Malin e Zi. "Liderët politikë bëjnë shpesh deklarata dramatike, shpesh përmes rrjeteve sociale, pa ofruar informacione mbështetëse apo prova konkrete. Kjo e bën të vështirë vlerësimin e mirëfilltë të pretendimeve të tilla" – i thotë ajo DW.
"Ndërhyrja e huaj është padyshim një shqetësim legjitim, por pretendimet që përfshijnë vende të caktuara kërkojnë një bazë faktike dhe nuk duhet të trajtohen si fakte të vërtetuara pa prova të mëtejshme. Prandaj, do të tregohesha e kujdesshme në interpretimin e deklaratës së kryeministrit për ndërhyrjet nga ndonjë vend fqinj specifik, veçanërisht kur ai nuk i ka identifikuar publikisht ato vende dhe as nuk e ka shpjeguar natyrën e kërcënimeve të pretenduara".
Serbia, "dora” e Rusisë në Malin e Zi?
Në fillim të tetorit, autoritetet malazeze arrestuan pesë shtetas rusë, njëri prej të cilëve blogeri ushtarak pro-Kremlinit dhe themeluesi i rrjetit "Rybar", Mikhail Zvinchuk. Ai u arrestua së bashku me bashkëshorten e tij dhe tre të tjerë, nën akuzën se kërcënonin sigurinë kombëtare të vendit. Pas deportimit ata udhëtuan fillimisht drejt Serbisë, e më pas në Rusi.
Duke iu referuar kësaj ngjarjeje, ambasadori i BE-së në Podgoricë, Sattler, tha se "duhet treguar vigjilencë e lartë kur vjen puna tek ndërhyrjet nga jashtë". "Ndërhyrjet po ndodhin në të gjitha vendet tona, në të gjitha vendet europiane, dhe sigurisht, po ndodhin edhe këtu në Ballkan, ku sistemet janë më të dobëta dhe ku pikat e hyrjes janë, ndonjëherë, më të lehta. Ajo që kemi vënë re është se kanë filluar të shtohen gjatë muajit të fundit aktorët të cilët nuk dëshirojnë anëtarësimin e Malit të Zi dhe që nuk duan që Bashkimi Europian të shënojë sukses".
Ekspertja Kovaҫeviҫ, e cila në fokus të punës së saj të përditshme ka edhe monitorimin e medias, i sheh si kërcënim, sidomos në prag të zgjedhjeve të ardhshme, përpjekjet "për të minuar besimin e publikut te institucionet demokratike dhe proceset zgjedhore, për të nxitur tensionet etnike e fetare, për të thelluar polarizimin politik dhe për të manipuluar debatin publik përmes dezinformimit dhe narrativave përçarëse".
Shumë platforma mediatike në Malin e Zi zotërohen dhe financohen nga biznese serbe, përmes partive opozitare malazeze. "Këto kërcënime nuk vijnë ekskluzivisht nga jashtë. Aktorët politikë vendas shpesh kontribuojnë në këtë dinamikë. Kombinimi i ndërhyrjeve të jashtme dhe interesave politike vendase përbën një sfidë serioze për qëndrueshmërinë demokratike të Malit të Zi, veçanërisht gjatë zgjedhjeve dhe në këtë fazë kritike të integrimit në BE" – thotë Kovaҫeviҫ.
Për shkak të së shkuarës, ndikimi serb në Malin e Zi ka qenë e vijon të mbetet i fortë, sipas analistëve. Vendi shpesh është konsideruar si "Kalë Troje" i Rusisë dhe Serbisë në Bashkimin Europian. Filip Ivanoviҫ, zëvendëskryeministri i Malit të Zi për Punët e Jashtme dhe Ҫështjet Europiane, e mohon kategorikisht këtë akuzë.
"Metafora se Mali i Zi gjoja qenka një 'Kalë Troje' është një absurditet i turpshëm. Ajo fabrikohet kryesisht nga qarqe opozitare të brendshme për të njollosur imazhin e qeverisë jashtë vendit. Më tregoni qoftë edhe një fakt të vetëm ku Mali i Zi ka vepruar në kundërshtim me vlerat apo politikat e BE-së. Ne kemi 100% përputhshmëri me Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së, kemi zbatuar të gjitha sanksionet ndaj Rusisë dhe po forcojmë shtetin e së drejtës. Pretendimet për 'Kalë Troje' janë trillim i pastër" – tha ai gjatë një takimi me gazetarë europianë që mbulojnë ҫështjet e zgjerimit t BE-së në Podgoricë, javën e kaluar.