A ekziston rreziku nga salafizmi? - Rrymat fondamentaliste myslimane në Gjermani
13 Korrik 2011Raporti i fundit për mbrojtjen kushtetuese flet për ekzistencën në Gjermani të 29 organizatave islamiste me 37 mijë anëtarë. Në fokus të ekspertëve janë "salafistët", një grup i cili është duke u rritur më shpejt dhe më shumë se grupet e tjera. Këto nuk janë arsye për ta bërë këtë grup të rrezikshëm, por presidenti i mbrojtjes së Kushtetutës, Heinz Fromm, thotë: „Jo çdo salafist është terrorist, por gati të gjithë terroristët që ne njohim kanë pasur kontakt me salafistët ose janë salafistë."
Emri i tyre vjen nga fjala arabe "salaf", që arabisht do të thotë "paraardhës", dhe përfaqëson një rrymë të respektimit të madh të besimit dhe të zakoneve të të parëve, sipas një teorie fetare të shekullit të 14-të, e cila u përdor 300 vjet më vonë si bazë për vahabizmin, që sundon sot në Arabinë Saudite. Megjithë një orientim të tillë të prapambetur, ithtarët e kësaj rryme në Gjermani përdorin internetin dhe teknologji të tjera moderne për të përhapur mesazhe, që janë shumë të thjeshta, siç mendon ministri i Brendshëm gjerman Hans-Peter Friedrich:„Ata prezantojnë një botëkuptim të thjeshtë, të mbyllur. Ata synojnë të bindin të rinjtë, që në kërkim të orientimit ndodhen në një fazë të rrezikshme."
Kryetari i Këshillit Qendror të myslimanëve në Gjermani, Aiman Mazyek, nuk e konsideron salafizmin si ndonjë shfaqje mode. Por, problem është radikalizimi i saj ashtu si dhe radikalizimi i feve të tjera, fenomene që shfaqen herë pas here. Me këtë fenomen merren edhe komunitetet myslimane, sepse ata duan të pengojnë të rinjtë që të rrëshqasin në ekstreme. "Është detyrë e shoqërisë, por edhe e komunitetit mysliman që të forcojnë qendrën për të dobësuar skajet. Kjo duhet të jetë edhe motoja e punës parandaluese. Jo duke diskriminuar të gjithë komunitetin mysliman me shprehje të fiskuara dhe populiste, por duke luftuar së bashku me myslimanët me rrymat esktreme. Kjo është rruga e drejtë."
Por, ideologët e salafistëve duan të pengojnë integrimin. Ibrahim Abu Nagie është njëri prej tyre. Ai ushqen një faqe në internet me titull "Feja e vërtetë" dhe i thur atje lavdi përmbajtjeve që ofron. Kurset e ofruara prej tij mund të ndiqen offline dhe pa rënë në sy të ekspertëve. Abu Nagie ka patur disa herë probleme, megjithatë ai vazhdon t`ì drejtohet të rinjve: „Dialogu, integrimi janë vetëm për të të prishur. Në mënyrë që të heqësh dorë nga islamizmi".
Më pak radikal është grupi "Ftesë për parajsë", i drejtuar nga dy njerëz të konvertuar në myslimanë. Ish-boksieri Pierre Vogel dhë zëdhënësi i tij Sven Lau, kanë ngritur në Mönchengladbach qendrën e tyre dhe kanë pasur aty tensione me banorët e zonës. Nëpërmjet aktiviteteve si takimi përkujtimor për Osama Bin Ladenit, shoqata tërhoqi jashtë mase vëmendjen e publikut dhe kjo shkaktoi shpërbërjen e saj. Por, ai vazhdon aktivitetet e tij, sidomos për konvertimin në mysliman salafist. Sven Lau shpreson që këtu të ketë suksesin më të madh: „Shumica e atyre që vijnë tek ne janë të rinj të moshës 20- 30 vjeçare. Qëllon që ndonjërin e kap dobësia, dhe fillon vjen më pak në xhami, fillon të pijë cigare dhe të shkojë në diskotekë. Por, në përgjithësi aty vijnë njerëz pa pushim."
Cilat janë arsyet për vajtjen e të rinjve myslimanë dhe atyre të konvertuar tek salafistët? Politikani i kristiandemokratëve Wolfgang Bosbach, është kryetar i Komisionit për çështjet e brendshme të parlamentit. Ai kërkon një shpjegim për suksesin e salafistëve: „Ka mundësi që ka të bëjë me tërheqjen që krijohet kur ndodh konfrontimi me një ideologji që nuk njeh kompromise."
Diçka e tillë mund të jetë tërheqëse për njerëzit që janë intolerantë dhe të dhunshëm kundrejt besimtarëve të feve të tjera dhe ndaj atyre që mendojnë ndryshe dhe që ngrihen për diskriminimin e grave dhe të homoseksuelëve. Bosbach nuk beson se kalimit tek salafizmi mbase ka të bëjë me refuzimin nga shoqëria gjermane. Mes salafistëve ka edhe një numër të caktuar njerëzish të konvertuar.
„…dhe ata nuk mund të pretendojnë se nuk ndihen të pranuar nga shoqëria gjermane", thekson ai.
Aiman Mazyek është i mendimit se ekstremizmi dëmton myslimanët në Gjermani. Prandaj, thotë ai, duhet rritur përpjekjet për tra frenuar këtë fenomen.
Autor: Peter Philipp/ Aida Cama
Redaktoi: Bahri Cani