Po shkëputet Japonia nga energjia atomike?
1 Mars 2012Lobi japonez i energjisë atomike mund të marrë frymë lirisht. Prova e qëndrueshmërisë doli "në përgjithësi" mirë, sipas standarteve të Zyrës Ndërkomnëtare për Energjinë atomike, IAEA. Në këtë përfundim ka ardhur grupi dhjetëvetësh i ekspertëve nga Vjena, i cili me kërkesë të Tokios kontrolloi nëse reaktorët atomike të Japonisë mund t`u bëjnë ballë katastrofave të rënda si tërmeti, cunami dhe ndërprerja e energjisë elektrike.
Provën e qëndrueshmërisë reaktorët e morën, por IAEA kërkon të bëhen inspektime të tjera. Përveç kësaj autoritetet japoneze për kontrollin e energjisë bërthamore duhet të sigurojë se në të ardhmen të gjitha masat e marrë do të dokumentohen sipas ligjit dhe do të rishikohen, thuhet në raportin përfundimtar të IAEA. Pikërisht në këtë pikë ka patur në të kaluarën dështime të panumërta dhe aksidente, sepse operatorët nuk njoftonin për ndërprerjen e energjisë elektrike ose kanë mashtruar në rastin e riparimeve.
Edhe për këto, autoritetet japoneze të kontrollit do të reformohen. Deri tani NISA, autoriteteti i kontrollit ndodhej në ministrinë e Ekonomisë, duke vëzhguar prej aty ekonominë atomike. Në të ardhmen do të krijohet një autoritet shtesë, që do të jetë pjesë e ministrisë së Ambientit. Qeveria ka marrë vendimin për këtë, projektligji përkatës kalon në muajin prill në parlament.
Japonia shpejt pa energji bërthamore
Sektori atomik merr një paralajmërim, se megjithatë nuk ka arsye për të festuar. Nga 45 reaktorët atomikë, që ndodhen në gjithë vendin, aktualisht ndodhen vetëm tre në rrjet. Sepse çdo 13 muaj reaktorëve në Japoni u bëhen punimet mirëmbajtëse, kështu që janë mbyllur. Dhe nëse edhe tre reaktorët e mbetur mbyllen në muajin prill po ashtu për punime mirëmbajtjeje, atëherë ishulli do ia dalë mbanë pa energji atomike.
Në fillim do të vendosen kufijtë për kohën e mbajtjes në punë të reaktorëve bërthamorë në 40 vjet. Megjithatë në projektligj ekzistojnë disa boshllëqe, sepse qeveria i ka lejuar në raste të veçanta operatorët që t'i mbajnë në punë impiantet edhe pas kalimit të afatit, nëse plotësojnë kërkesat e sigurisë.
Lobiistët e energjisë atomike në Japoni ndiejnë rezistencën e madhe. Dekada me radhë në Japoni ka qenë e paimagjinueshme që vendi me ekonominë e tretë të fuqishme të botës, t`ia dilte mbanë pa energji atomike. Deri sa ndodhi Fukushima, 54 reaktorët atomikë të vendit prodhonin 30 përqind të nevojave për energji. Aktualisht, reaktorët që ndodhen në rrjet prodhojnë më pak se tre përqind të energjisë kombëtare.
Autor: Alexander Freund/ Aida Cama
Redaktoi: Auron Dodi