A i dëbon arbitrarisht Greqia refugjatët?
21 Janar 2020Vetëm pak gradë mbi zero është temperatura e ujit të lumit Evro në janar. Lumi shënon kufirin natyror mes Greqisë dhe Turqisë. Natën dhe në mëngjes atë e mbulojnë shtresa të mëdha mjegulle dhe shkurret përrreth janë të ngrira.
Këto imazhe idilike dimërore trazohen prrej valës së parreshtur të refugjatëve, që zgjedhin rrugën e vështirë përmes lumit për të mos zbarkuar në pikat e nxehta siç janë ishujt grekë Lesbos, Samos apo Chios. Këtë emigrantët ilegalë e paguajnë me jetën e tyre. "Kam nxjerrë dhjetëra të vdekur nga lumi," na thotë një peshkatar në deltën e Evros dhe na tregon nga fotografitë e celularit kufomat në ujë. Disa, që e kanë mbijetuar kalimin natën në mjegull, kanë ngrirë prej temperaturave të akullta në brigjet e tij, duke qenë të uritur, të rraskapitur dhe duke u fshehur prej policisë kufitare.
Jeta në kufijtë e jahstëm të BE-së
Zona përreth lumit është zonë e ndaluar ushtarake. Vetëm bujqit e rajonit, që menaxhojnë fushat e tyre përgjatë brigjeve, mund të kalojnë atje. "Në lumë poshtë nuk kalon dot, nëse nuk ke makinën me targat e caktuara", na thotë një bujk në fshatin e govël Nea Vissa. "Vajza ime erdhi një herë me një makinë të marrë me qira drejt fushës sonë, por menjëherë atë e ndaloi policia dhe ushtria."
Njerëzit në brigjet e Evros e dinë se çfarë do të thotë jeta në kufi. Konflikti i vazhdueshëm me Turqinë është kudo i pranishëm: "Ne vazhdimisht na kërcënojnë ushtarët turq të kufirit, që mendojnë, se ne duam të depërtojmë në ujërat e tyre, ndonëse kjo nuk është e vërtetë", ankohet peshkatari. Jeta në kufijtë e jashtëm të BE-së nuk ka vetëm tensione politike. Ndërkohë aty rrezikon të përshkallëzohet situata me refugjatët.
Tensione gjatë arratisë
Njerëzit në Evros jetojnë me refugjatët qysh prej luftës së parë të Gjirit Persik më 1991 dhe ata e dinë mirë, se këtu rregullisht njerëzit në apo anës Evros humbasin jetën. Por situata tani është përkeqësuar, thotë Marianthi Tasouli nga fshati Mikro Dereio. Gjithmonë u kemi ndihmuar njerëzve me ushqime e rroba, edhe sot e bëjmë këtë, na thotë ajo. Megjithatë tani vendasit janë shumë të frikësuar.
"Djalin tim katër burra e kërcënuan me një thikë dhe i thanë, që t'i çojë ata në fshatin tjetër", tregon Tasouli. Në fshatin fqinj Roussa një pronar shtëpie tregon, se refugjatët vazhdimisht kanë fjetur në shtëpinë e tij, kur ai nuk ndodhej aty: "Ata kanë ndezur zjarr për t'u ngrohur dhe kanë shkaktuar edhe dëme." Të tjerë kujtojnë, se janë përballur me vjedhje dhe sulme. Pronari i një kafeneje Dimitris Kazantzis nga Nea Vissa një mëngjes u befasua, kur gjeti një copë letër dhe 10 Euro në lokalin e tij: "Refugjatët kishin marrë dru për zjarr tek unë dhe këtë e kishin paguar."
Dëbime ilegalisht nga Greqia?
Përse njerëzit gjatë arratisë nuk paraqiten tek autoritetet, që sipas ligjit janë të detyruara të verifikojnë procedurat e azilimit për ta? Organizata të pavarura jo qeveritare bëjnë fjalë për dhunë të pakontrolluar dhe dëbime ilegalisht të refugjatëve - të ashtuquajturat Push Backs - kthimet në Turqi të tyre nga policia greke. Sipas këtyre të dhënave refugjatët pengohen të hyjnë në territorin e sovranitetit grek- Ose ata i detyrojnë aplikantët për azilim, qysh në stacionet e policisë greke që natën me nxitim të kthehen mbrapsht në vendin fqinj përmes lumit.
Banorët ndihen të lënë në baltë - dhe heshtin për qëndrimin agresiv të autorieeteve: "Kushdo i njeh këtu automjetet pa targa të policisë dhe kushdo e di që refugjatët i kthejnë ilegalisht", tregon pronari i kafenesë në fshatin Praggi, direkt pranë lumit. "Unë ia kam dalë pas tentativës së katërt", rrëfen afgani 19 vjeçar në Selanik. "Dy herët e para më kapi policia turke. Herën e tretë ajo greke. Ata më rrahën, më shkatërruan celularin dhe më kthyen mbrapsht në Turqi."
Në dhjetor revista "Der Spiegel" publikoi regjistrimet e kamerave të sigurisë, që dokumentonin të ashtuquajturat Push-Backs, kthimet ilegale, nga persona të maskuar në brigjet e lumit Evros. Një nëpunës i Frontex-it, i cili patrullon në kufirin greko-turk, e vlerëson si të besueshëm materialin e verifikuar nga revista "Der Spiegel", sikurse vë në dukje ai gjatë një bisede jo formale për DW.
Organizatat e pavarura kërkojnë zbardhjen e rasteve
"Shpesh njerëzit pas mbërritjes në Greqi futen nga policia në një makinë transporti, afërsisht 60 deri në 100 vetë, dhe dërgohen në një vend ku i mbajnë të ndaluar", tregon Selma Mesic nga "Mobile Info Team" në Selanik. Kjo organizatë interviston refugjatët me ndihmën e vullnetarëve dhe dokumenton dëbimet ilegalisht. "Në mbrëmje ata i dërgojnë tek lumi. Refugjatët tregojnë, se atje i presin persona të maskuar, që i ngarkojnë njerëzit nëpër barka dhe i kalojnë në anën tjetër të lumit."
Në raportin e dhjetorit "Border Violence Monitoring Networks", një tjetër organizatë, që merret me Push-Backs ilegalë në itineriarin e Ballkanit, bën fjalë për një rast të dokumentuar nga nëntori 2019. Dy marokenë të moshës 25 dhe 26 vjeç, sipas këtij raporti, thonë, se e kanë kaluar lumin duke qenë tre vetë. Punonjësit greke të kufirit i kanë kapur djemtë, i kanë lidhur me kabllo plastike këmbë e duar dhe i kanë hedhur në lumin Evros. "Unë nuk e di nëse ai jeton ose jo", na thotë njëri prej djemve. Ai dhe shoqëruesi i tij pas kësaj ngjarjeje u detyruan të kthehen në Turqi. DW e konfrontoi policinë greke me këtë rast duke i kërkuar intervistë. Por ajo nuk pranon të flasë për këto raste.
Selma Mesic kërkon zbardhjen e rasteve në mënyrë të pavarur. Kritikat, se refugjatët i sajojnë të tilla histori, ajo i konsideron të pamundura: "Shumë organizata të pavarura dhe institucione të BE-së kanë mbledhur sasi të mëdha të dhënash për dëbimet ilegalisht. Të gjithë arrijnë në konkluzionin, se raportimet e të prekurve janë të besueshme. Njerëzit nga vende të ndryshme kanë raportuar për raste të ngjashme në kohë të ndryshme. "Sistematika e aksioneve është koherente në të gjitha rrëfimet. Njerëzit përshkruajnë vende dhe veprime të ngjashme. "Eshtë shumë e pamundur të jenë të sajuara ngjarje të tilla, që rrëfehen nga kaq shumë persona për shpeshtimin e rasteve, sipas një modeli që përputhet me rrethanat."