1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A janë ekzekutuar vërtet dy pengjet gjermane në Afganistan?

Deutsche Welle21 Korrik 2007

Informacione kundërthënëse të talibanëve dhe qeverisë

Afghanistan Karte
Fotografi: AP

Gjermania është përfshirë nga një shtangie shoku prej lajmit për ekzekutimin e dy inxhinierëve të rrëmbyer të mërkurën në Afganistan - kjo do të ishte edhe hera e parë që ndodh diçka e tillë. Një zëdhënës i talibanëve njoftoi nëpërmjet telefonit medien gjermane për vdekjen e njërit peng. Pas mbarimit të ultimatumit të ri njëorësh ai njoftoi ekzekutimin e të dytit. Megjithatë, ministria e jashtme afgane këmbëngul se njëri prej pengjeve është ende gjallë.

Deri tani lajmet ishin kundërthënëse: Derisa zëdhënësi i talibanëve Kari Jussuf Ahmadi kishte deklaruar se dy pengjet ishin vrarë njëri pas tjetrit me diferencë të shkurtër orësh, zëdhënësi i ministrisë së jashtme afgane, Sultan Ahmad Bahin, kishte bërë të ditur se njëri peng kishte vdekur nga një goditje në zemër prej vapës ekstreme, ndërsa tjetri ishte ende gjallë dhe po bëhej çdo përpjekje për ta liruar. Sipas Bahinit, i cili iu referua të dhënave të shërbimeve të fshehta, zëdhënësi i talibanëve nuk zotëronte të dhëna të besueshme.

Në mbrëmje është shprehur edhe ministri i jashtëm gjerman Frank Walter Steinmeier. Ai tha, se duhet të besojmë që njëri peng ka vdekur në duart e pengmarrësve, por nuk është vrarë dhe se pengu tjetër është gjallë. Sipas shërbimit në internet të revistës 'Spiegel', pengmarrësit janë një fis që simpatizon talibanët, por nuk i përket lëvizjes së tyre politike.

Në dallim nga rastet e mëparshme të marrjes peng të shtetasve gjermanë, motivet këtë herë duken politike. Gjermanët e marrë peng në Irak Susanne Osthoff, René Bräunlich, Thomas Nitzschke dhe së fundi Hannelore Krause u liruan brenda disa javësh apo muajsh, siç spekulohet, kundrejt pagesës. Të njëjtin fat pati edhe një shtetas në Afganistan, i cili konsiderohej i humbur deri në fillim të qershorit. Dy gjermanët e tanishëm u rrëmbyen të mërkurën në provicën Vardak, ku punonin në projektin e një dige. Sipas ministrisë së jashtme në Berlin, ata janë punonjës të një sipërmarrjeje në Kabul.

Këtë herë pengmarrësit kërkuan prej qeverisë gjermane të premten, të tërhiqte ushtrinë nga Afganistani dhe ta fillonte këtë tërheqje brenda 24 orëve - në rast të kundërt, pengjet do të vriteshin. Reagimi i qeverisë gjermane, nëpërmjet ministrit të mbrojtjes Franz Josef Jung dhe kancelares Angela Merkel, mund të përmblidhet me fjalët: Nuk lejojmë të na bëhet shantazh.

Zgjatja prej parlamentit e mandatit të ushtrisë gjermane në Afganistan duhet të ndodhë në vjeshtë dhe pëballë gjendjes së ndërlikuar në Afganistan prej disa javësh Gjermia gjendet në debat për këtë temë. Kancelarja ka theksuar, se do të angazhohet për zgjatjen e mandateve të trupës ndërkombëtare ISAF dhe të misioneve Enduring Freedom dhe të avionëve zbulues Tornado. Prej këtyre vetëm misioni Enduring Freedom vihet në diskutim.

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW