1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A ka ndodhur në Turqi në vitet e kaluara një revolucion i vogël kulturor?

ADD29 Gusht 2007

Shtypi gjerman i së mërkurës për zgjedhjen e presidentit të ri të Turqisë

Fotografi: AP

Shtypi i sotëm gjerman përqendrohet në zgjedhjen e presidentit të ri të Turqisë. Komentatorët janë të ndarë në vlerësimet për zgjedhjen e Abdullah Gylit( Gül) në këtë post. Për këtë temë, në gazetën DIE WELT ndër të tjera lexojmë:

"Bërja e betimit dhe dorëzimi i pushtetit nga presidenti që largohet nga detyra, kemalisti i bindur Ahmet Nexhdet Sezer është një çast i simbolikës së thellë. Sepse presidenca e Gylit vulos sipas të gjitha gjasave fundin e sistemit të vjetër kemalist, më saktë, të ndikimit politik të ushtrisë. Ky është shkaku i vërtetë, se pse gjeneralët u përpoqën të pengojnë presidencën e tij: si kryekomandant i forcave të armatosura, Gyli ka menjëherë pushtetin, që ta shkarkojë kundërshtarin e tij, shefin e shtabit të përgjithshëm, gjeneralin Jashar Byjukanit. Nënshkrimi i tij do të jetë nën qindra shkresa konfirmuese, me të cilat në administratë do të depërtojnë nëpunës besnikë ndaj partisë AKP- në atë administratë, e cila deri tani ka qenë një bastion i kemalizmit. Ai do të nënshkruajë një kushtetutë të re, për të cilën po punon AKP-ja, dhe nga e cila midis të tjerave do të eleminohet një paragraf, sipas të cilit sistemi arsimor duhet të orientohet në parimet e Ataturkut. Një ndryshim i thellë qeverisës me pasoja afatgjata kulturore po përvijohet.

Ushtria e ka thënë qartë se nuk e sheh veten të mundur dhe askush nuk mund të thotë tani se si dhe nëse do të veprojë, përveç nivelit simbolik."

Fotografi: AP

Ndryshe mendon gazeta HANDELSBLATT, e cila botohet në Dyseldorf:

"Për Turqinë, zgjedhja e Gylit paraqet një stacion të rëndësishëm në rrugën e emancipimit nga ushtarakët. Për Turqinë kjo zgjedhje është njëkohësisht një hap i rëndësishëm në drejtim të Evropës. Por rëndësia e kësaj zgjedhjeje është edhe më e madhe. Ajo krijon parakushtet, që partneri më i rëndësishëm i Perëndimit në këtë rajon të ndërlikuar të stabilizohet dhe që të lindë një model për pajtimin e fesë islame me modernizmin, model, i cili të rrezatojë në të gjithë botën myslimane."

Ja edhe vlerësimi i WESTDEUTSCHE ZEITUNG, e cila botohet në Dyseldorf:

"Eshtë një ironi i historisë, që Turqia me myslimanët e bindur Gyl dhe Erdogan ka gjetur një udhëheqje, e cila, duke marrë me vete pjesë të mëdha të popullit, e ka çuar me të vërtetë Turqinë në epokën moderne, për të cilën, nacionalistët kemalistë tundnin flamujt. Por prej së cilës ata druheshin, sepse jo pa të drejtë besonin, se do të humbisnin sovranitetin e tyre shpjegues mbi politikën dhe ekonominë."

Dhe së fundi, nga gazeta FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG për këtë temë shkëpusim:

"Në sasinë e pushtetit që zotëron AKP-ja, ku bën pjesë Gyli, padyshim nuk është pa faj edhe ushtria, e cila së fundi u ndje sërish me një paralajmërim. Ndërhyrja me internet e saj në përpjekjen e parë të Gylit për t'u zgjedhur president, çoi në zgjedhjet e parakohshme të 22 korrikut, në të cilat, partia konservatore islamike e AKP-së dhe Erdoganit triumfoi.

Republikë islamike Turqia nuk do të bëhet. E përfytyrueshme është që qeveritarët, në bashkëpunim me kryetarin e ri të shtetit të përpiqen që në kuadër të një demokratizimi të mëtejshëm ta zbutin sipas interesit të tyre ligjin për mbajtjen e shamisë së kokës.Kjo do të sillte përplasje me kundërshtarin politik.

Në Turqi ka ndodhur në vitet e kaluara jo më pak se një revolucion i vogël kulturor. Elita kemaliste, e cila sundonte deri atëherë pa kufizim, që prej themelimit të AKP-së në vitin 2002 e sheh veten të provokuar politikisht nga grupime, të cilat konsideroheshin me dekada të tëra si periferike dhe që e kërkonin pjesërisht shpëtimin në islamizmin radikal të Nexhmedin Erbakanit. Në këto forca bënte pjesë edhe kryeministri Erdogan dhe Abdullah Gyli. Që ata e liruan veten nga këto ambiente dhe që përpiqen të ndjekin rrugë më të moderuara, ky është një hap që ndiqet me siguri me interes edhe në vende të tjera islamike."