1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A mund të arrijnë marrëveshje Kurti dhe Vuçiq?

18 Gusht 2022

Si është situata në kufirin mes Serbisë dhe Kosovës në ditën e takimit të Kurtit me Vuçiqi në Bruksel? Mesazhet nga kufiri për politikanët janë të qarta.

Grenzübergänge im Kosovo-Serbien
Fotografi: Visar Kryeziu/AP/picture alliance

Situata në pikën kufitare Jarinje në veri të Kosovës është më e tensionuar se zakonisht. Njësitet speciale të Policisë së Kosovës me automatikë sigurojnë rrugët. Nenad Radosavleviq kalon pikën kufitare me makinë.

Mund të shihet se si numri i njësive speciale po rritet çdo ditë, thotë Radosavleviq, duke e përshkruar situatën në veri të Kosovës si "të vështirë dhe të tensionuar”. Me të hyrë në Kosovë, ai vendos mbulesën në targat serbe në makinën e tij Passat.

Qeveria e Kosovës kishte planifikuar që prej datës 1 gusht të fillonte me zbatimin e rregullave, sipas të cilave automjetet me targa të vjetra duhet të riregjistrohen në hyrje të Kosovës me targat RKS. Gjithashtu, në pikat kufitare pas hyrjes në Kosovë, dokumentet personale serbe duhet të plotësohen me një dokument shtesë.

Fotografi: Fatos Bytyci/REUTERS

Autoritetet e Kosovës i arsyetuan veprimet e tyre duke thënë se autoritetet serbe kryejnë procedurë identike kur qytetarët e Kosovës kalojnë kufirin dhe hyjnë në Serbi. Kryeministri Albin Kurti ka folur për "masën e reciprocitetit”.

Tendosjet në Mitrovicë

Pak para hyrjes në fuqi të rregullores, në veri të Kosovës shpërthyen trazirat. Në qytetin e ndarë të Mitrovicës u dëgjuan sirenat, në veri u bllokuan rrugët, ndërsa ka pasur edhe të shtëna. Për shkak të presionit ndërkombëtar, Kurtit iu desh të shtynte për një muaj zbatimin e rregullores.

Ishte "çmenduri e pastër”, thotë Radosavleviq, i cili kritikon Kurtin dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq: "Fatkeqësisht, në Kosovë kemi një populist me tipare të forta autoritare. Në anën tjetër është një politikan që shkoi një hap më tej dhe tani është bërë një diktator i vërtetë”. As njëri as tjetri, thotë Radosavleviq, nuk dinë t'i zgjidhin problemet - "ata vetëm i zhvendosin ato ose krijojnë probleme të reja".

Problem është politika?

Fotografi: Zylfije Adem Jakupi/AA/picture alliance

Radosavleviq është një serb i Kosovës dhe jeton në komunën Leposaviq, një nga katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës. Serbët përbëjnë vetëm rreth pesë për qind të popullsisë së Kosovës dhe jetojnë kryesisht në veri.

Nëntëdhjetë përqind e popullsisë janë shqiptarë të Kosovës – si Melihate Beshiri. Ajo ka një dyqan të vogël në Mitrovicë dhe shet limonadë dhe akullore – sigurisht edhe për serbët, siç thekson menjëherë.

Ajo thotë se njerëzit nuk kanë probleme me njëri-tjetrin dhe se ata shkojnë mirë mes. Sipas saj, politika është ajo që kërcënon bashkëjetesën me mosmarrëveshjet. Beshiri kujton se si u trondit nga zhurma e papritur e sirenave pasditen e 31 korrikut. Sirenat e rikthyen at137 në kujtimet nga viti 1999, viti i fundit i luftës në Kosovë: "Ishte një ndjenjë shumë e shëmtuar, sepse e dimë që nuk vihet alarmi në situata paqësore. Më kujtoi kohën kur duhej të iknim”.

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, paqja mes serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës ka qenë e brishtë. Serbia ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Në kushtetutën e Serbisë, Kosova është ende pjesë e Serbisë. Ndërsa Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008.

Ura

Populli i Kosovës është mësuar me rrethana të jashtëzakonshme. Radosavleviqit i lejohet të drejtojë veturën e tij serbe vetëm deri te ura mbi Ibër, në Mitrovicë. Pjesa jugore e qytetit është e banuar kryesisht me shqiptarë - Radosavleviq shkon në këtë pjesë me makinën e tij të dytë, me targa kosovare.

Fotografi: Festim Beqiri/TV7News/dpa/picture alliance

Ai nuk beson se kryeministri i Kosovës Kurti mund të heqë dorë nga kërkesat e tij për targat. Prandaj, në bisedimet e sotme në Bruksel, Kurti mund ta bindë Vuçiqin se serbët e Kosovës duhet të riregjistrojnë veturat e tyre. Por në këmbim ai mund të pajtohet me themelimin e të ashtuquajturit Asociacioni i komunave me shumicë serbe - një plan i vjetër serb që do t'u jepte komunave me shumicë serbe të drejta të rëndësishme vetëqeverisëse.

Sipas Vuçiqit, qeveria e Kosovës mund të veprojë me kaq besim vetëm për shkak se ka mbështetjen e NATO-s. Në prag të takimit të Brukselit, Vuçiq tha se me ndihmën e NATO-s, shqiptarët "mund të bëjnë çfarë të duan”. Por shtoi se nuk do të lejojë një pogrom kundër popullit serb. "Ne do të bëjmë gjithçka për të ruajtur paqen - pothuajse me çdo kusht."

 

Anne Tillack

Reportazh i ARD