1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A mund të krahasohen rastet në gjendje amoku në "Perëndim" dhe masakrat familjare në "Lindje"?

9 Maj 2009

Intervistë me Prof. Dr. Thomas Hauschild (Universiteti Marthin Luther, Instituti i etnologjisë, filozofisë dhe sociologjisë, Halle/Gjermani) mbi sulmin e bërë në një dasëm në juglindje të Turqisë.

Prof. Thomas HauschildFotografi: Martin-Luther-Universität Halle-Wittenberg

Ç'rol luajnë traditat në këto veprime?


Ç'është e vërteta këtu nuk luajnë asnjë rol dhe kjo shihet në faktin se shumë prej tyre kanë të njëjtin mbiemër. Procesi i gjakmarrjes zhvillohet midis dy klaneve apo familjeve kurse në këtë rast flitet për persona që janë në të njëjtën familje dhe kjo nuk ka të bëjë me traditën. Ky veprim konsiderohej për një kohë të gjatë nga shoqëria fshatare si një veprim i dënueshëm, kjo lloj dhune brenda familjes. Kjo formë e dhunës me armë të mekanizuara nuk është përdorur atëherë dhe kjo ngjarje e shëmtuar tregon se sa është përhapur modernizimi edhe në zonat e fshatrave.


Rruga për në fshatin Bilge në Turqi, ku në një ceremoni dasme u vranë 44 vetë.Fotografi: AP

Vitet e fundit në kulturat oksidentale njerëzit në gjendje amoku në lidhen shpesh me terma si gjakmarrja dhe vrasja për nder. A mund të bëhet ndonjë krahasim midis njerëzve në gjendje amoku në "Perëndim " dhe masakrave familjare në "Lindje"?


Nuk ekziston fjala masakra në "Lindje", sepse masakra ka në të gjithë botën. Ato janë të lidhura me të rinjtë të cilët dalin nga frerët qoftë për shkak të lojrave në video qoftë për shkak të luftës në realitet. Pjesa juglindore e Turqisë nuk është shumë larg kësaj sepse atje ka luftë brenda kufijve (luftë civile) dhe jashtë kufijve. Të rinjtë ndikohen nga këto kushte dhe shfrenohen. Ata bëjnë gjëra të tmerrshme si për shembull të rinjtë në gjendje amoku ose të rinjtë që shkaktuan masakrën e dasmës.


Cilët janë përgjegjësit kryesorë për këto veprime?


Nuk ka asnjë përgjegjës për këto veprime, por janë shumë faktorë që ndikojnë në sjelljen e tyre. Por kjo gjë mund të evitohet dhe ka disa njerëz që duhet të kenë një lloj përgjegjësie. Për shembull masakra në Ruandë, ku gati një milion njerëz humbën jetën mund të evitohej nëse do të ishte treguar më shumë kujdes për të kuptuar se çfarë po ndodhte në të vërtetë atje, ngjarjet në Kamboxhia mund të evitoheshin nëse do të merreshin si të vërteta ato çfarë paralajmëronte Partia Komuniste. Në këto fusha mund të reagosh, një shtet i fortë mundi t'i evitojë këto ngjarje. Por në gjendjet e amokut situata është shumë më e vështirë për t'u ndaluar.


Cilat janë mësimet që duhen nxjerrë nga ky rast apo shumë raste të tjera që kanë ndodhur dhe a mund të evitohen veprime të tilla?


Mësimi që duhet të nxjerrim nga kjo është që vendet orientale nuk duhet të akuzohen vazhdimisht kur bëhet fjalë për gjakmarrje. Shumica e njerëzve mendojnë se kjo situatë që ndodhi në dasëm ka të bëjë me traditën, me ritualet në një dasëm. Duhet menduar se kjo gjë ndodhi me persona që janë në të njëjtën familje pra nuk ka të bëjë me gjakmarrjen ose me ndonjë ritual tjetër. Një shprehje shumë e bukur e Gëtes thotë: Nuk ka ç'më duhet kur popujt në Turqi zihen. Ne interesohemi shumë në këtë fushë të dimë çdo hollësi, por në të njëjtën kohë nuk kemi njohuritë e duhura dhe nuk e dimë se si jetojnë në të vërtetë këta njerëz dhe se çfarë i shtyn ata të bëjnë këto veprime.

Autore: Meltem Karagöz / Eva Klosi

Redaktoi: Elert Ajazaj