1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

A po i shesin rusët pronat në Mal të Zi?

24 Prill 2013

Dekreti i presidentit rus, sipas të cilit politikanët rusë nga 1 qershori duhet të mbyllin llogaritë në bankat e huaja dhe të shesin pronën jashtë Rusisë, mund të ndikojë në tregun e pasurisë së patundshme në Mal të Zi.

Fotografi: DW

Sasha Beljakov, rus i cili investon prej vitesh në pronën e tij në Herceg Novi, ka dëshirë të tregojë se si njihet me presidentin rus Vladimir Putin, por edhe me zyrtarë të tjerë rusë. „Dhe zoti (Vladimir) Jakunjin, i cili është ministri i hekurudhave të Rusisë dhe (Jevgenij) Primakov është mik i madh i imi. Ai ka qenë dy herë në Herceg Novi me pushime. Dhe zoti Jakunjin ka qenë me pushime.“ Megjithatë miqtë e tij nuk kanë pronë në Mal të Zi. Beljakov thotë se edhe pse zyrtarët e lartë rusë kanë shumë para, në bregdetin e Malit të Zi vijnë vetëm për të pushuar.

Numri më i madh i turistëve në Mal të Zi zgjedh për të pushuar në Budva. Dhe ky qytet quhet metropoli malalez i turizmit. Sipas të dhënave të zyrës së pasurisë së patundshme të Malit të Zi një e katërta e banesave dhe e lokaleve të metropolit janë në pronësi të shtetasve të huaj. „Nga viti 2008, që nga kriza e parë ekonomike në botë, janë vetëm rusët, do të thoja, blerësit e huaj, ndoshta edhe ndonjë mund të vijë nga Beogradi, Novi Sadi, por ky është një fenomen shumë i rrallë“, thotë Ljubomir Novaković, pronar i agjencisë GRA-MAR, e cila, sipas fjalëve të tij, si dhe gati të gjithë agjencitë e tjera, punon me rusë.

Budva: A do t'i shesin rusët këtu pasuritë?Fotografi: picture-alliance/ZB

Dhe në zyrën e pasurive të patundshme thonë se nga shtetasit e huaj, pronarë të pasurive të patundshme, pas atyre nga vendet e rajonit, ka më së shumti rusë. „Shumë politikanë të lartë nuk ka, por funksionarë, që punojnë në qeverinë e Rusisë, të cilët punojnë në organet shtetërore, prej tyre ka shumë“, thotë Beljakov, i cili njeh shumë rusë, që kanë blerë pasuri të patundshme në Mal të Zi. „Ka njerëz nga Këshilli i Sigurimit, që punojnë tek presidenti i federatës ruse, ka nga ushtria, ministria e Punëve të Brendshme, nga marina ruse. Eshtë ky nivel. Këtu ka qenë edhe (Aleksandar) Medvedev, zëvendëskryetari i Gaspromit dhe për të tjerë nuk di.“

Janë pikërisht ato, të cilët me dekret të Vladimir Putinit, janë të detyruar që nga 1 qershori të mbyllin xhirollogaritë në bankat e huaja dhe të shesin pronën jashtë Rusisë. Obligimi vlen për të gjithë politikanët e nivelit federal, por edhe për ata të nivelit më të ulët, deri tek qytetet. Ata duhet të vendosin, nëse dëshirojnë të mbajnë funksionet  e tyre, apo të ruajnë llogaritë e tyre bankave dhe pasuritë e patundshme jashtë vendi.

Vendimi ka shkaktuar turbullira, jo ndonjë ofertë të veçantë

Beljakov thotë se zyrtarët rusë nga Mali i Zi kanë vendosur të dëgjojnë Putinin. „Për shembull në Herceg Novi, kanë blerë rreth 100 objekte banesa të vogla, të mesme, disa ndërtesa, restorante e të tjera. Gati gjysma është nxjerrë tani në shitje."

Pronë pë t'u shiturFotografi: DW/ Sasa Bojic

Edhe pse zyra e agjencisë së tij ndodhet në qendër të Herceg Novit, Novaković thekson se që nga shpallja e këtij lajmi nuk kanë marrë ndonjë ofertë të posaçme. Ai thotë se shitja ka rënë për shkak të krizës, por ai nuk pret që lajmi mbi vendimin e Putinit të prekë rëndë tregun e Malit të Zi. „Kjo ka shkaktuar pak turbullirë në punën tonë, në kuptimin se humbet kërkesa dhe se këto rusë shesin pasuritë e patundshme, por mendoj se është çështje e këtyre njerëzve, që kanë prona të patundshme dhe janë të punësuar në administratën shtetërore në Rusi, që janë shumë të pakët në numër“, shpjegon ai. „Këtu kanë blerë njerëz, të cilët para së gjithash bëjnë punë private, dhe jo ata, që janë të punësuar si nëpunës."

Largohen për arsye të tjera

Nëse numri më i madh i pronarëve të pasurive të patundshme përpiqet tani që t'i shesë, ky nuk është lajm i mirë për tregun e vogël të Malit të Zi, thotë analisti ekonomik, Vasilije Kostić. „Në këtë rast është shumë e rëndësishme që të dihet, se në ç'masë kjo ndodh në të vërtetë, se një iniciativë e tillë nuk vjen për shkak të pasigurisë së hapësirës, apo shkaqeve të tjera, që janë të pranishme në tregun tonë, por që kjo është çështje e një vendimi politik“, thekson Kostić. „Kjo për faktin e thjeshtë se është shumë e rëndësishme, që një aktivitet i tillë mund të ndikojë te pronarët të tjerë të kapitalit.“

Në ambasadën e Rusisë në Podgoricë thonë se nuk kanë listë të shtetasve të tyre, dhe as të shtetasve, zyrtarëve, politikanëve dhe nëpunësve civilë, të cilët blejnë prona të patundshme në Mal të Zi. Ata i referohen kadastrës. Megjithatë në administratën për pasuritë e patundshme theksojnë se nuk kanë lista të aktualizuara, se nuk dinë se sa nënshtetas rusë janë me të vertetë, që kanë pronë në Mal të Zi. Beljakov pret se do të jenë gjithnjë e më pak. Jo vetëm për shkak të vendimeve të Putinit, por edhe pse atyre nuk u lejohet të qëndrojnë në Mal të Zi më shumë se 90 ditë, nëse nuk marrin leje për qëndrim më të gjatë, për të cilën u kërkohet, siç thotë ai, tepër, edhe hapja e firmës, punësimi i punëtorëve etj. „Për shembull në Spanjë, nëse blen ndonjë pronë, ti menjëherë mund të marrësh qëndrim të përhershëm të jetosh në Spanjë. në Republikën Domenikane është edhe më e thjeshtë, atje mund të marrësh menjëherë nënshtetësi dhe gjtihçka, ndërsa këtu jo.“ Beljakov mendon se rusët, që kanë planifikuar që fillojnë punë në Ballkan, tani largohen sepse e shohin se për shkak të krizës nuk do të jenë të suksesshëm në këtë synim të tyrin. „Të gjitha këto i kanë blerë, kur çmimet kanë qenë më të larta dhe askush nuk i ka numëruar paratë. Tani çmimet kanë rënë dhe realisht ata blejnë me gjysëm çmimi.“ Por përpiqen t'ua shesin, për këtë është i sigurtë Beljakov, së pari rusëve të tjerë:

Qyteti i Kotorrit në Mal të ZiFotografi: Fotolia/Oleg Podzorov

„Nuk bëhet aspak fjalë për shitje masive të rusëve si pronarë pasurish të patundshme“, insiston Novaković. Agjencija e tij ka vërejtur interesim për pasurinë e patundshme malazeze në panair në  Moskë, 9 deri me 16 prill, por ai e pranon se shitje nuk ka. Ai shpreson se vendimi i Putinit, sa më shumë që afrohet afati për zbatimin e tij, nuk do të ketë ndikim të madh. „Mendoj se është më tepër psikologjik, që të ulë kërkesën, se sa ç'është një histori e vërtetë reale. Sepse them, shumica e blerësve nuk kanë qenë nëpunës civilë. Nuk flas për njerëzit, që janë të punësuar në ndonjë firmë. Nuk është nevoja që të jenë të gjithë biznesmenë, ka njerëz, që punonjë në firma, në firma privare në  Rusi. Kjo nuk përfshin këto njerëz."

Plazh në BudvaFotografi: DW

Autor: Ana Bogavac/Angjelina Verbica

Redaktoi: Auron Dodi